Shumëgjuhësia në karrierë: Sa pozitivisht ndikon?

12 Shkurt '20

Shumëgjuhësia në karrierë: Sa pozitivisht ndikon?
	 	 

Tregu i punës sot është shumë konkurrues, ndaj njerëzit që mund të flasin më shumë se një gjuhë janë shumë të kërkuar nga punëdhënësit. Mësimi i një gjuhe të huaj ju rritë profesionalisht dhe hapë shumë dyer në karrierë. Sa më shumë gjuhë të huaja që njihni, aq më të mëdha do të jenë gjasat për t’u përfshirë më shpejt në treg të punës.

Një studim i ri, i realizuar nga Universiteti i Uashingtonit zbuloi se bazuar në aktivitetin e trurit, njerëzit që jetojnë në komunitete ku fliten gjuhë të shumta, mund të identifikojnë fjalët në një gjuhë tjetër më mirë sesa ata që jetojnë në një mjedis njëgjuhësh.

Ndërkaq, një tjetër studim i botuar kohë më parë në revistën Brain and Language (Truri dhe Gjuha), skanimet e trurit treguan se njerëzit që flisnin vetëm një gjuhë duhej të punonin më shumë për t'u përqëndruar në një fjalë të vetme.Ndërkohë, njerëzit dygjuhësh mund të kenë tru më efikas në përpunimin e gjuhës dhe detyrave të tjera.

Në një intervistë për AkademiPune, Lavdrim Avdyli, themelues i AEC (Academy Education Center), foli rreth ndikimit që ka në punësim njohja e gjuhëve të huaja. Ai tha se njerëzit që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, kanë shumë më shumë përparësi në karrierë.

Lavdrim Avdyli

“Njerëzit që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, kanë më shumë mundësi se të tjerët dhe nuk bllokohen në asnjë moment. Normalisht edhe opsionet për punë janë më shumë. CV-ja zhvillohet në mënyrën më të përshtatshme dhe punëdhënësit kanë më shumë opsione të shohin gjëra tek ti, që ndoshta të tjerët nuk i kanë”

Njohuritë në shumë gjuhë të huaja, Lavdrimi thotë se mund t’iu sigurojnë më shumë vende pune dhe atë në disa fusha. Këta individë mund të ushtrojnë edhe profesione të ndryshme. “Sa më shumë gjuhë të huaja që dini, aq më shumë mundësi për të pasur disa vende të punës do të keni, duke filluar prej administratës, përkthimit, gazetarisë, politikës dhe normalisht edhe mësimdhënies.”

Cila është mënyra më e lehtë për ta mësuar një gjuhë të huaj?

Një gjuhë e huaj mund të mësohet në shumë mënyra. Shumë njerëz mësojnë vetëm nëpërmjet televizorit, librave, muzikës, etj. Sipas Lavdrim Avdylit, mënyra më e mirë për të mësuar dhe përvetësuar një gjuhë të huaj është komunikimi. Si profesor i gjuhës angleze, ai thotë se kur mësohet një gjuhë e huaj, duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë edhe shqiptimit.

“E para që unë do të propozoja në rast se dëshironi ta mësoni një gjuhë të huaj, është largimi nga librat. Librat, janë diçka shumë e mirë për t’u lexuar kur kemi më shumë kohë sepse leximi i librave na ndihmon në zhvillimin e vetes por jo gjithmonë një gjuhë mësohet prej një libri. Çelësi kryesor për ta mësuar një gjuhë të huaj, është komunikimi sepse nëpërmjet komunikimit zhvillohet edhe gramatika, fjalori, shkrimi dhe leximi. Mirëpo, efekti nuk është arritur vetëm nëse mësohet gramatika apo shkrimi. Në rast se nuk mund të tingëllojmë në gjuhën angleze si amerikanë, britanezë, kanadezë por automatikisht dallohemi nëse vijmë nga një pjesë e Ballkanit, kjo nuk mund të konsiderohet sukses, pra nëse edhe shqiptimit nuk i kushtohet rëndësi” 

Si tjetër mundësi për ta mësuar më shpejtë dhe lehtë një gjuhë të huaj, Lavdrimi nënvizon anagazhimin përmes televizorit. Gjithsesi, ai thotë se edhe programet në televizione duhet të përzgjedhen për nivelin e gjuhës që zotëroni.

“Një mundësi tjetër është anagazhimi përmes televizorit. Shikimi i filmave, serialeve ose dëgjimi i këngëve është gjë pozitive mirëpo duhet përzgjedhur programin e duhur për nivelin e gjuhës që keni. Kjo do të thotë, që nëse tentoni ta zhvilloni një gjuhë duke dëgjuar muzikë por dëgjoni një këngë shumë të shpejt dhe që nuk e kuptoni, atëherë krejt çka kuptoni është një ritëm i mirë muzike por asgjë më shumë. Prandaj, është gjithmonë më mirë në rast se zgjedhni një këngëtar ose këngë që pak a shumë e kuptoni, qoftë edhe nëse e kuptoni 10% sepse atë 10 përqindësh ju e zhvilloni dhe tjetrën herë bëhet 20, 30 e kështu me radhë. E njejta gjë vlen edhe për filmat, serialet por mundësisht duke u larguar nga gjuha shqipe apo gjuha amtare cilado qoftë ajo. Nëse jeni duke e shikuar një film në gjuhën angleze është mirë që edhe titrat të jenë në po atë gjuhë. Pra kur zhvilloni një gjuhë, mundohuni ta zhvilloni komplet”

 “Eksploroni derisa ta gjeni punën e përshtatshme”

Lavdrim Avdyli, u përfshi në tregun e punës qysh në moshën 16 vjeçare. Gjatë intervistës me AkademiPune, ai tha se karrierën e tij fillimisht e nisi si mësimdhënës i gjuhës angleze, me një grup shumë të vogël nxënësish, duke eksploruar edhe fusha të tjera në të njejtën kohë. Bazuar në përvojat e tij, ai këshillon të rinjtë që presin të hyjnë në treg të punës, që të punojnë punë të ndryshme derisa të gjejnë se cila është ajo karrierë që ju përshtatet më së shumti.

pune e pershtatshme

“Unë kam arritur të mësoj shumë gjuhë të huaja për arsye se i kam zhvilluar disa punë në karrierën time. Unë nisa të punoj në moshën 16 vjeçare për herë të parë, si mësimdhënës i gjuhës angleze, pastaj kalova edhe në fusha të tjera. Kam punuar edhe si gazetar, si përkthyes, në administratë e burime njerëzore. Prandaj, këshilla më e mirë që unë mund të jap për të rinjtë sot, është të mos ndalën në asnjë përvojë pune që iu ofrohet, sepse kur i provojnë të gjitha mundësitë që ofrohen atëherë e kuptojnë se në cilën punë mund ta gjejnë veten më mirë”, përfundoi ai. 

Academic Education Center (Qendra e Edukimit Akademik) është shkollë private, e cila ofron kurse të gjuhëve të huaja, trajnime në mësimdhënie, lidership, etj. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC