Sot, pothuajse të gjithë punëdhënësit duan të punësojnë njerëz që flasin më shumë se një gjuhë. Njohja e disa gjuhëve mund t'iu sjellë përfitime të shumta në karrierë. Duke e njohur gjuhë të tjera, ju rrisni mundësitë për të gjetur një vend të mirë të punës e gjithashtu të siguroni edhe të ardhura të mira.
Shumë organizata, institucione, biznese, kanë nevojë për sa më shumë njerëz që njohin gjuhë të huaja. Individët që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, mund të ushtrojnë shumë profesione, mirëpo disa prej tyre mund të sjellin suksesin më pranë.
Përfaqësues të shërbimit me klientë
Në fushën e shërbimit me klientë do të keni goxha sukses në rast se e njihni edhe një gjuhë të huaj. Duke qenë se puna ju obligon të takoheni me njerëz dhe biznese të ndryshme, është shumë mirë nëse njihni gjuhë të huaja sepse mund të keni punë edhe me klientë ndërkombëtarë. Në këtë profesion, punëdhënësit duan njerëz që mund të kapërcejnë pengesat gjuhësore dhe të zgjerojnë bazën e tyre të klientëve.
Përkthyes/ Interpretues
Në ditët e sotme, profesioni i përkthyesit është shumë i kërkuar. Shumica e institucioneve apo bizneseve kanë nevojë të kenë të punësuar dikë që mund t’iu përkthejë materiale nga gjuhë të ndryshme. Kur njihni gjuhë të huaja, gjithmonë mund ta keni një vend të sigurt të punës si përkthyes. Thuhet se punësimi i përkthyesve dhe interpretuesve do të rritet shumë gjatë viteve në vijim.
Specialistë në burime njerëzore
Pjesa e burimeve njerëzore gjithashtu kërkon njohuri në gjuhë të huaja. Ata që kanë karrierë në burime njerëzore dhe njohin më shumë se një gjuhë, ndihmojnë ndërmarrjet shumë më shumë kur vjen puna tek punësimi i kandidatëve. Jo të gjithë kandidatët që intervistohen mund të njohin një gjuhë të caktuar sepse ata mund të vijnë nga kultura të ndryshme.
Mësimdhënës
Nëse dëshironi të keni një karrierë të suksesshme si mësimdhënës, është mirë të mësoni edhe një gjuhë të huaj. Mësimdhënësit që flasin më shumë se një gjuhë kanë shumë mundësi të jenë të suksesshëm në këtë profesion, sidomos në zonat ku ka popullësi multikulturore. Vlen të theksohet se shkollat tashmë kanë programe të ndryshme gjuhësore.
Shkrimtarë / Gazetarë
Njohuritë e një gjuhe tjetër ndihmojnë gazetarët dhe shkrimtarët të jenë të suksesshëm në hulumtime, kryerjen e intervistave apo shkrimin e artikujve për media të huaja. Si shkrimtarë, mund të përktheni vepra në disa gjuhë dhe të arrini audiencë më të gjerë.
Profesionistë të kujdesit shëndetësor
Individët që punojnë në spitale apo klinika, çdo ditë duhet të takojnë një numër të madh të njerëzve. Në raste urgjente, njohuritë e gjuhëve të huaja hyjnë shumë në punë. P.sh, nëse ndonjë pacient nuk e njeh gjuhën e parë të një vendi, do të shmangej stresi i komunikimit. Kësisoj, mjekët që njohin dy gjuhë, infermierët, apo në përgjithësi stafi në spitale, do të kontribuonin shumë më shumë.
Menaxherë të marketingut
Në tregun e ditëve të sotme, kompanitë kanë shumë nevojë që të përcjellin mesazh të saktë. Pra, kanë nevojë për njerëz të cilët flasin rrjedhshëm gjuhët e klientëve të tyre që të përcjellin me sukses mesazhe të brendit.
Punëtorët social
Pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë janë punëtorët social. Puna e tyre lidhet me njerëzit. Karriera në punë sociale po aq sa është sfiduese është edhe e dobishme. Edhe në këtë fushë, shumë më shumë sukses mund të arrini nëse njihni gjuhë të huaja. Ju do të jeni në gjendje të komunikoni me njerëz dhe të kuptoheni më mirë por edhe ata do të ndjehen më mirë nëse flasin në gjuhën e tyre amtare. Kësisoj, gjuhët e huaja janë shumë vlefshme në këtë karrierë.