Zhvillimi dhe trajnimi i punonjësve është procesi i investimit strategjik i kohës, energjisë dhe burimeve në përmirësimin e personelit të kompanisë. Trajnimi paraqet një mundësi reale për të zgjeruar bazën e njohurive të të gjithë punonjësve, por shumë punëdhënës në klimën aktuale i shohin trajnimet si të shtrenjta për zhvillim. Gjithashtu, shumë punëdhënës frikësohen se rrezikojnë në vonimin e projekteve në punë nëse vendosin t’i kushtojnë kohë trajnimit të punonjësve.
Megjithatë, përkundër këtyre pengesave të mundshme, trajnimi dhe zhvillimi i sigurojnë individit dhe organizatave në tërësi përfitime që e bëjnë koston dhe kohën një investim të vlefshëm.
Cilat janë përfitimet që kanë kompanitë nga trajnimi i punonjësve?
Përmirësim i performancës së punonjësve. Punonjësit që marrin pjesë në trajnimin e nevojshëm janë më të aftë të kryejnë punën e tyre. Trajnimi do t'i japë punonjësve aftësi të reja, një kuptim më të madh të përgjegjësive brenda rolit të tyre dhe nga ana tjetër të ndërtojnë vetëbesimin e tyre.
Vetëbesimi dhe njohuritë që marrin punonjësit do të përmirësojë performancën e tyre të përgjithshme dhe kjo shkon në të mirë të kompanisë. Punonjësit që janë kompetent dhe në krye të ndryshimit të standardeve të industrisë ndihmojnë kompaninë tuaj të mbajë një pozicion udhëheqës dhe të jeni konkurrent të fortë brenda industrisë.
Ngritet morali i ekipit. Investimi në trajnime që bën një kompani i tregon punonjësve se ata janë të vlerësuar. Trajnimi krijon një vend pune mbështetës. Punonjësit që ndjehen të vlerësuar dhe të sfiduar përmes mundësive të trajnimit ndjehen më të kënaqur ndaj punëve të tyre.
Zhvillimi i aftësive. Punonjësit që mendojnë se kanë nevojë të përmirësohen në një fushë të caktuar, trajnimet janë formë ideale për ta bër një gjë të tillë. Një program trajnimi ju mundëson punonjësve të forcojnë aftësitë e nevojshme, që t’i aplikojnë pastaj ato në vendin e punës. Një program i mirë trajnimi i sjell të gjithë punonjësit në një nivel më të lartë, në mënyrë që të gjithë të kenë aftësi dhe njohuri të duhura.
Konsistenca. Një program i fuqishëm trajnimi dhe zhvillimi siguron që punonjësit të kenë përvojë dhe njohuri të vazhdueshme. Konsistenca është veçanërisht e rëndësishme për politikat dhe procedurat themelore të kompanisë. Të gjithë punonjësit duhet të jenë të vetëdijshëm për pritshmëritë dhe procedurat që ka kompania. Efikasiteti i rritur në procese sjell fitim financiar për kompaninë.
Ngritet reputacioni dhe profili i kompanisë. Nëse keni strategji të forta mbi trajnimet, përveç se do të jeni një konkurrent i fortë në industrinë tuaj, kompania juaj do të shihet edhe si vend ideal pune nga të rinj të shumtë që sapo kanë diplomuar./AkademiPune