Nevoja për të ngritur zyre të veçantë të burimeve njerëzore brenda kompanive në Kosovë me zhvillimet e fundit po konsiderohet e domosdoshme. Në këtë fushë, Hana Gashi-Salihu punon tash e 16 vjet. Ajo është udhëheqëse e departamentit të burimeve njerëzore në Finca Kosovo dhe ka qenë një nga folëset e ngjarjes më të madhe në vend sa i përket burimeve njerëzore “Power to HR” të organizuar nga platforma kryesore e punësimit në Kosovë, KosovaJob.
“Nevojat dhe dëshirat e stafit kanë ndryshuar për 180 shkallë”
Sipas saj ndryshimet e fundit që lidhen me pandeminë dhe zhvillimet e teknologjisë e kanë ndryshuar edhe mënyrën se si funksionojnë punonjësit në departamentin e burimeve njerëzore por edhe në mënyrën se si duhet tu qasen nevojave të punonjësve.
“Që 16 vjet në këtë fushë dhe mund të them se nevojat dhe dëshirat e stafit kanë ndryshuar për 180 shkallë përderisa ne ishim në një shtet të sapodalë nga lufta dhe kishim nevojë për një punë e cila nuk ishte shumë me rëndësi kultura apo orari i vendit të punës, ishte ideja vetëm e të pasurit një punë përderisa sot kemi shumë kërkesa dhe vende të lira të punës”, ka thënë ajo në një intervistë për AkademiPune. Tutje Hana Gashi-Salihu ka shpjeguar se pandemia në një mënyrë jo vullnetare na detyroi edhe stafin e kompanisë ku punon ajo të qëndrojmë në shtëpi për gati tre muaj dhe kjo ka shërbyer si një lloj reflektimi për funksionimin në punë pas kthimit.
“Filluam reflektojmë dhe ta shohim që secili e kemi edhe anën tonë personale dhe filluam ta duam ketë mënyrë të jetesës që tu kushtojmë më shumë rëndësi nevojave tona personale. Ka qenë një vetëdijesim i secilit që duhet pasur një ekuilibër mese jetës personale dhe profesionale. Kjo domosdoshmërisht ka ndikuar në hapa shumë të shpejt te punëdhënësit ku janë ballafaquar me kërkesën me punë hibride, punë nga shtëpia në mënyrë që t’i mbajnë punëtorët e kënaqur që t’i mbajmë njerëzit te ne dhe të mos kenë nevojë të lëvizin diku tjetër. Ne jemi përshtatur me ketë idenë e re të punës, ndoshta më shpejt se sa që e kemi pritur”, ka treguar tutje ajo.
Hana: Departamenti i burimeve njerëzore tash merret me zhvillimin e kapitalit njerëzor
Hana tutje për AkademiPune ka treguar se si departament i burimeve njerëzore janë përpjekur të zhvillohen pasi që me të gjitha ndryshimet ky departament ka përgjegjësi shumë më të mëdha të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitetin e punonjësve,
“Unë edhe kur punoj me staf që janë brenda tentoj të zhvillohemi dhe ta kuptojmë esencën e kapitalit njerëzor dhe se si mundemi ta ngrisim. Tash Burimet Njerëzore nuk janë personel që merren me dokumente, fajllim, arkivim pasi që digjitalizimi na ka mundësuar të kemi sistemi dhe të merremi më pak me çështje teknike kështu që është angazhimi për zhvillimin më të madh të stafit për t’i kuptuar nevojat dhe ta rrisim produktivitetin. Në fund ditës ideja është produktiviteti që në fund të arrihen qëllimet tona strategjike dhe kjo na bën të zhvillohemi dhe më shumë”, ka treguar ajo për AkademiPune.
Hana Gashi-Salihu ka qenë pjesë panelit “Tërheqja e talentëve: Si munden kompanitë t’i kuptojnë, përshtatin dhe zbatojnë strategjitë e rekrutimit që korrespondojnë me epokën e re” në Poëer to HR. Ajo ka shpalosur pikëpamjet e saj në ngjarjen më të madhe të burimeve njerëzore në vend që ka mbledhur mbi 350 profesionistë të kësaj fushe. Për të ky event ka përmbledhur dy përvoja në një vend
“Kur më ka kontaktuar Arioni ka qenë një ndjenjë sa e jashtëzakonshme aq edhe sfiduese pasi që kemi qenë në një panel ku të gjithë jemi të së njëjtës fushë. Sa e gëzueshme, aq edhe sfiduese do të thoja”, ka thënë ajo./AkademiPune