Kosova regjistron rënien më të madhe të fuqisë punëtore, 100 mijë më pak

7 Gusht '25

Kosova regjistron rënien më të madhe të fuqisë punëtore, 100 mijë më pak
	 	 

Tregu i punës në Kosovë po përjeton një goditje serioze. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2024, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës më 22 maj, numri i të punësuarve ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë – nga 425,499 në vitin 2023, në 414,493 në vitin 2024. Kjo nënkupton një humbje prej 11,006 vende pune brenda vetëm një viti.

Instituti Musine Kokalari theksoi se rënia prek të dy gjinitë: 3,850 gra dhe 7,256 burra kanë dalë nga tregu i punës. Sipas institutit, ky është një sinjal i qartë se sfidat strukturore të tregut të punës po thellohen, ndërsa masat për nxitjen e punësimit duket se po mungojnë ose nuk po japin efektin e duhur.

s Kosova ka po ashtu rënie të dukshme të numrit të personave aktiv (persona të moshës së punës të cilët janë të punësuar ose të regjistruar si punëkërkues aktiv), 464.567 për vitin 2024 nga gjithsej 477.350 sa ishin në vitin 2023. Pra 12.783 më pak se më 2023. Rënia më e madhe ndodh në kategorinë e personave joaktiv. Aty, numri për vitin 2024 është për plot 84.276 më i vogël se ai më 2023. Personat joaktiv janë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të moshës së punës (15-64 vjeç), por që nuk janë aktiv në tregun e punës. As nuk janë të punësuar dhe as nuk janë të regjistruar si punëkërkues aktiv. Numri i këtyre personave është jashtëzakonisht i lartë. Për vitin 2024, përqindja e personave joaktiv ka qenë 56.8%. Kosova bashkë me Bosnje dhe Hercegovinën janë dy vendet e vetme në rajon ku popullsia joaktive është më e lartë se ajo aktive. Sa për krahasim, në tremujorin e parë të këtij viti (2025), Shqipëria e ka pasur popullsinë joaktive 23.3%.

Ky joaktivitet në tregun e punës kaq i lartë mund të shpjegohet pjesërisht me punësimin informal dhe ekonominë informale në përgjithësi. Përkundër kësaj (e cila sipas disa llogaritjeve të mëhershme konsiderohet të jetë diku te 30%) prapë shkalla e inaktivitetit është shumë e lartë. Ndërkohë që kemi pasur deklarime të vazhdueshme të Qeverisë se për 4 vitet e qeverisjes kanë pasur sukses në formalizimin e ekonomisë. Atëherë informaliteti do të duhej të ishte më i vogël. Por, nuk po zvogëlohet inaktiviteti.

Përkundër rënies së papunësisë në nivel vendi, rinia (15-24 vjeç) ka rritje të papunësisë, krahasuar me 2023. Gjithsej 19.5% e të rinjve ishin të papunë më 2024 krahasuar me 17.3% sa ishin në vitin 2023. Për më tepër ku zbërthehet kjo papunësi në burra dhe gra rezulton se 24.7% e të rinjëve të papunësuar janë gra krahasuar me 16.7% që janë burra.

Sipas insititutit “Musine Kokalari” një tjetër e dhënë që kërkon vëmendje është përqindja e pjesëmarrjes së punësimit të paqëndrueshëm në punësimin e përgjithshëm. 14.5% të punësimit të përgjithshëm llogaritet të jetë punësim i paqëndrueshëm. Zbërthyer në terma absolut rezulton se diku pak mbi 60 mijë vende pune llogariten si punësim i paqëndrueshëm.

Por e dhëna më alarmante në këtë anketë mbetet rënia e madhe e numrit të personave joaktiv dhe aktiv. Numri i përgjithshëm i personave joaktiv në vitin 2024 është për 84.276 më pak sesa në vitin paraprak. Kjo e dhënë kërkon më shumë shpjegim. Bashkë me 12.783 persona aktiv më pak se në vitin 2023 behën gjithsej 97.059 persona më pak në fuqinë punëtore të Kosovës. Numër tejet i lartë për ta humbur për një vit.

Rënia e fuqisë punëtore për gati 100 mijë persona në një vit nuk mund të neglizhohet, relativizohet apo fshehet pas përqindjeve të llogaritura ndryshe, theksohet nga ky institut./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC