Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se më datën 23 gusht 2024 është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Ky Ligj hyri në fuqi në ditën e publikimit, që do të thotë hyri në fuqi dhe filloj të zbatohet nga data 23 gusht 2024.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati tha se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, po hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade. Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”, ka shpjeguar Murati në një postim në rrjete sociale.
Murati ka shpjeguar se me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte). Si rrjedhojë e kësaj të gjithë të punësuarit në Kosovë, qoftë në sektorin publik apo privat do i marrin 6 euro e 80 cent më shumë.
Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:
Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro
Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro
Kurse nga tani:
Paga prej 0-80 euro (0 për qind takim)= 0 euro
Paga prej 80-250 euro (0 për qind tatim)= 0 euro
Instituti KAF ka pasqyruar këtë vlerë krahasuese, e cila tregon qartë ndryshimet midis niveleve. Tani tatimi mbi të ardhurat personale vjetore aplikohet sipas shkallëve të mëposhtme:
Për të ardhurat e tatueshme deri në 3,000 euro, përfshirë edhe shumën 3,000 euro, tatimi është 0%;
Për të ardhurat e tatueshme mbi 3,000 euro deri në 5,400 euro, përfshirë edhe shumën 5,400 euro, tatimi është 8% për shumën mbi 3,000 euro;
Për të ardhurat e tatueshme mbi 5,400 euro, tatimi është 192 euro plus 10% për shumën mbi 5,400 euro.
ATK-ja ka thënë se versionin e ri do ta publikojë në sistemin elektronik para ose deri më 1 shtator.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që paga minimale të rritet në 350 euro bruto. Vendimi u mor në mbledhjen e të mërkurës. Kabineti qeverisës miratoi rritjen që kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga vendimi do të preken më shumë se 150 mijë persona. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati rritja e pagës minimale hyn në fuqi nga 1 tetori. / AkademiPune