“Gazetetaria mund të të vras, por do të të mbaj të gjallë për aq kohë sa merresh me të.” —Horace Greeley
Gazetaria shpesh është cilësuar si art dhe mbrehtësi, e tillë sepse jo çdo kush mund të arrijë ta dallojë në mesin e mijëra informatave gjatë ditës të rëndësishmen nga e parëndësishmja, të vërtetën nga e pavërteta dhe të drejtën nga e padrejta, prandaj edhe janë cilësuar si “qen roje”.
Në thelb gazetaria çdokund ka të njëtin qëllim, edhe pse mënyrat e funksionimit mund të ndryshojnë nga vendi në vend. Por çfarë do të thotë të jesh gazetar me profesion në Kosovë?
Si është një ditë për gazetarët?
Qendresa Bellagoshi, gazetare në Klan Kosova, tregon sesi fillon një ditë pune për gazetarët.
“Një ditë e zakonshme pune për gazetarët fillon me mbledhjet e përditshme të redaksisë ku ndahen temat që do të trajtohen gjatë ditës, vazhdon me realizimin e tyre duke gjetur burimet e duke caktuar intervistat e nevojshme me ta. Kjo në ditët kur zhvillimet e papritshme nuk e ndrrojnë kahjen e punës së planifikuar në mëngjes”, tregon ajo.
Se ndonjëherë gjithë ky planifikim ndryshon, tregon edhe Shqipe Pajaziti nga Agjencia e Lajmeve Kosovapress.
“Në të shumtën e rasteve, ndryshon krejt agjenda e ditës. Nëse jam duke u marrë me një temë, duhet me u shkëputë edhe me përcjellë ndonjë konferencë të jashtëzakonshme, ngjarje të tillë ose të raportojë prej rasteve të vrasjeve apo vetëvrasjeve. Nuk janë të rralla edhe rastet kur mbesim jashtë orarit. Janë seancat maratonike në Kuvend të Kosovës ose raportime prej ngjarjeve të tjera, që t’i prishin matematikat ditore”, shpjegon Shqipja.
E që ta ushtrosh profesionin e gazetarisë do të thotë të jesh gazetar 24 orë në 7 ditë të javës, e thotë edhe Abaz Krasniqi nga Radio Televizioni 21.
“Kafe, shumë kafe”, na e tregon “shpëtimin” e tij në ditët e gjata e jashtëzakonisht aktive si gazetar.
“Ka edhe dështime në ditën e një gazetari, dështime që shpeshherë të shtyejnë drejt një suksesi që nuk e ke pritur. Një dinamikë e jashtëzakonshme e cila padyshim të lodhë shumë por në fund të ditës ndjehesh mirë nëse ke zgjidhur një problem, nëse ke ndaluar një dukuri të keqe, apo nëse merr edhe një mesazh falenderimi nga dikush të cilin e ke intervistuar…” është kjo kënaqsia që Abazi e fiton nga të qenurit gazetar.
Cilat janë sfidat e para për gazetarët e cilat ato që qëndrojnë me kohën?
Zakonisht në profesionet tjera sfidë e parë për punonjësin e ri është të krijohet besimi te punëdhënësi, ndërsa të gazetarët e rinj përveç punëdhënësit kjo ndjenjë domosdoshmërisht duhet të ndërtohet edhe të burimet. Kjo, tregon Qendresa ishte sfida e parë me të cilën u përball.
Për ta arritur këtë, Abazi thotë që gazetari duhet të ketë këmbëngulje, ndryshe do të dorëzohesh, e për një gazetar dorëzimi nuk duhet të jetë në asnjë kombinim.
Me kalimin e viteve, burimet ndërtohen, njerëzit që njeh vijnë e shtohen çdo ditë, mësohesh edhe të punosh nën ritmin e presionit, stresit dhe shpejtësisë, por sfidat vazhdojnë.
Për Qendresën rreziku nga palët që nuk e kuptojnë natyrën e gazetarisë do të vazhdojë çdo herë. Karcënimet, fyerjet e dhuna nuk janë të rralla nga ana e tyre. “Herë pas here në pah dalin edhe institucione që nuk janë ithtarë të fjales së lirë, duke krijuar pengesë për kompletimin e informatave të nevojshme”, shton ajo.
Cilat aftësi duhet t’i posedojnë gazetarët e mirë?
Si për çdo profesion tjetër janë disa shkathtësi që profesionistët e kësaj fushe duhet t’i zotërojnë.
Për Shqipen dhe Qendresen aftësitë komunikuese janë “çelësi i gjithçkaje në këtë fushë”. Shepjtësia, puna nën presion si dhe aftësia për për t’i ndarë ndjenjat personale nga puna.
E për Abaz Krasniqin, një gazetar i mirë duhet t’i ketë dy cilësi.“Një gazetar duhet të jetë një vëzhgues i mirë” dhe t’i marrë gjërat shtruar edhe kur është nën tension.
Sa shpesh gazetarët përballen me situata të pakëndshme dhe si duhet ata t’i menaxhojnë ato?
“Ka momente kur të vdesin bashkëpunëtorët, miqtë, njerëz që i ke njohur e respektuar. Dhe ti në këtë ngjarje prap je gazetar”. Për Abazin kjo është një gjendje e vështirë, aq e vështirë sa teksti për ta jo rrallëherë fshihet, madje edhe me dhjetra herë, sepse asnjëherë nuk do të duket që i ke nderuar mjaftueshëm dhe sigurisht në raportim duhet të jemi të kujdesshëm e të mos harrojmë që prap se prap jemi gazetar.
Raportimi nga ngjarja i vështirëson edhe më tej gjendjet e vështira, meqë nuk mund të ndërhyhet në pamje apo intervista. “Gjithmonë je në sikletin se mos po e dëmton dikë, ose pa dashje dhe qëllimkeq po raporton për një problematikë dhe po cenon një të mitur apo këdo tjetër”, shprehet Shqipja.
Me situata të pakëndshme përballet edhe Qëndresa. “Kjo është shumë më e vërejtshme në rastet kur kemi të bëjmë me vrasje, kur përballemi me familjen e të vrarit, e po ashtu edhe me atë të vrasësit. E ngjashëm edhe me dhunime, menaxhimi i intervistes me dikë që ka përjetuar dhunën, sidomos seksuale, është i një natyre ndryshe. Në çdo pyetje e diskutim me viktimën e dhunës ekziston mundësia e rikthimit të traumës së tij/saj. Më lehtë nuk është as marrja e rrëfimit nga ana e dhunuesit/es, për të cilët duhet të kujdesemi të mos e bëjmë ne gjyqin”.
Shqetësimet e gazetarëve për gazetarinë në Kosovë
Për Shqipe Pajazitin trajtimi i gazetarëve duhet të ndryshojë, këtë mungesë, sipas saj, e ka hedhur në pah sidomos fillimi pandemisë, kur ndodhi edhe mbyllja. Ishin gazetarët ata që nuk patën pushim gjatë kësaj periudhe.
“Gazetarët nuk janë mbështetur nga institucionet, siç ka ndodhur me sektorë të tjetër”, kujton ajo.
Ndërsa Abazi, ka një tjetër shqetësim jo vetëm për gazetarinë në Kosovë, por edhe në vend të tjera, “përpjekja për të dhënë informacionin sa më shpejt shpeshherë ka bërë që gazetarët të mos e plasojnë lajmin e plotë, për të mos thënë edhe të rrejshëm… e kjo është e rrezikshme në humbjen e besuesshmërisë nga publiku. Besueshmëria ndërtohet gjithmonë duke informuar drejt dhe saktë, edhe nëse ndonjëherë je pak më i vonshëm se të tjerët”.
E Qendresa mendon që gazetaria në Kosovë nuk ka shumë vend për ndryshime. Megjithatë, ajo thotë që sidomos gjatë kohës së fushatave zgjedhore mediat të deklarohen publikisht se cilin subjekt politik e përkrahin.
“Në këtë mënyrë edhe publiku zgjedhë të informohet nga dikush që përkrahë një program politik, apo të tjerë të deklaruar të paanshëm”, përfundon ajo.
Këshillat e tre gazetarëve për ata që dëshirojnë të bëhen gazetarë
Fusha e gazetarisë ka qenë gjithnjë gati për anëtarët të rinj të cilët janë janë të shumtë, sidomos nga studentët e gazetarisë dhe komunikimit masiv. Akademi Pune përmes tre gazetarëve të mediumeve të ndryshme në Kosovë, sjell tri këshilla për të gjithë ata që një ditë duan të bëhen gazetarë.
Abaz Krasniqi, përkujton edhe njëherë, se nëse i hyn kësaj rruge do të jetoni me këtë profesion e në gjithë këtë kohë që jeni në shërbim të publikut etika duhet të jetë prioritet.
“Ti je ai që publiku i beson, andaj respektoje këtë besim që ata kanë krijuar për ty. Mjafton vetëm një moment t’i zhgënjesh ata dhe ti më asnjëhere nuk do të jesh ai që ishe në sytë e tyre”, përfundon ai.
Edhe Qendresa i përgatitë të rinjtë, se në çastin kur do të njihesh si gazetar, planet personale nuk do të jenë më në radhë të parë, këto do të përshtaten gjithmonë me punën. Madje sipas saj, edhe koha e ditëve të pushimit do t’i kushtohet gazetarisë.
Prandaj për Shqipen, kushdo që nuk është në gjendje të punojë pa shikuar orën “aksidentalisht ka hyrë në këtë profesion”. /Akademi Pune