Çfarë po ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova?

20 Mars '24

Çfarë po ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova?
	 	 

Në javën e parë të janarit 2024, kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave, është diskutuar shumë rreth ikjes së te rinjve dhe fuqisë punëtore nga Kosova, pasojat për sektorin privat, deri tek ekonomia e vendit.

Sipas sociologëve emigrimi po vjen si shkak i faktorëve shtytës, dhe situata është shqetësuese. Mbi të gjitha sipas sociologut Hajrullahu nuk është bërë kampanjë vetedijësuese dhe as një zgjidhje e mundshme, pasoja që sipas tij do vërehen më vonë. “Vende pune ka, por pagat janë shumë të ulta dhe që pasojat do të jenë shumë të mëdha në aspektin e zhvendosjes ku do të ketë tkurrje të popullsisë, gjë që mund të konsiderohet pozitive nëse zhvillimi ekonomik rritet por do të ketë pasoja negative në vendin tonë sepse shumë të rinj kanë ikur dhe do të ketë mungesë të konsumit”, ka thënë Hajrullahu për RTK.

Ndër arsyet kryesore të largimit nga vendi vlerësohet  të jetë paga e ulët, dhe diskriminimi i punëtorëve në forma të ndryshme. Kështu vlerëson Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, duke theksuar se punëtorët në vendin tonë nuk janë vlerësuar asnjëherë.

“Vetë fakti që në Kosovë kemi akoma kompani që paguajnë punonjësit me pagë 250 euro, në një formë ne jemi duke ua mundësuar atyre që të ikun sa më shpejt dhe kemi kompani që kryejnë shërbime për institucione shtetërore dhe komunale dhe paguhen me një pagë 230 euro – kjo është tmerri dhe me këtë trend që po vazhdohet ne nuk mund t’i themi askujt qëndro”, ka thënë   Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës

Sipas tij nëse bëhet rritja e pagave nga bizneset, kjo nuk ka të bëj me sinqeritetin e pronarëve, por për shkak imponimit të situatës. Azemi shton se as rritja e pagës nuk është faktor që do mund të ndalë largimin e të rinjve, sepse zhgënjimi nga vendi i punës, dhe kushtet për jetën kanë dhënë rezultat për një periudhë të gjatë.

Mungesa e punëtorëve në sektorin privat ka filluar të vërehet edhe nga kërkesat e bizneseve nëpërmjet portaleve të punës. KosovaJob është platforma më e vizituar e punësimit dhe publikimit të konkurseve të punës në Kosovë, dhe nga ky portal thonë se krahasuar me vitet paraprake këtë fillim vit ka rritje prej 15-20% të kërkesave nga bizneset që shpallin njoftime pune, e shpesh edhe i përsërisin ato njoftime.

“Aq sa kemi vërejtur ne në numrin e shpalljeve, veçmas me fillimin e këtij viti dhe në krahasim me vitet paraprake, kemi një rritje prej 15 deri në 20 % të numrit të shpalljeve për vende pune. Ne masim kryesisht me fushat dhe sektorët të cilët publikojnë shpallje. Sektori i gastronomisë dhe i shitjes janë dy sektorë që publikojnë vazhdimisht shpallje të reja të cilat shpesh edhe përseriten nga kompani të ndryshme. Po ashtu numri është rritur edhe në sektorin e IT-së që po zhvillohet hovshëm”, ka treguar Gili Hoxhaj nga KosovaJob.

Udhëtimet jashtë vendi qytetarët I zgjedhin në forma të ndryshme. Se sa udhëtime janë realizuar nëpërmjet aeoroportit Adem Jashari, tregon Valentina Gara,zëdhënëse e Aeroportit “Adem Jashari”.

“Përjgatë muajit të janarit ka qenë një rritje e udhëtarëve prej 22 % më shumë, ose 48 mijë udhëtarë më shumë që e kanë frekuentuar Aeroportin “Adem Jashari”, por që kryesisht janë vajtje-ardhje”, është shprehur ajo.

Sipas Garës, gjatë këtij viti është shtuar numri I fluturimeve por edhe destinacioneve të reja, dhe liberalizimi ka ndikuar dhe pritet të ndikoj në numrin e udhëtarëve.

Përveç udhëtimit me aeroplan,  realizohen edhe udhëtime me autobusë, ku sipas zyrës për marrëdhënie me publikun krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit te kaluar, 10-15% ka pasur rritje të linjave ndërkombëtare./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC