Se sa i nevojshëm një retreat është për ekipin, një kompani mund ta kuptojë vetëm pasi të ketë organizuar atë. Andaj dhe gjithë artikulli nuk bazohet në studime ekspertësh por në vetë përvojën e stafit të KosovaJob. E nevojshme – është edhe një prej fjalive kyçe me të cilën stafi i KosovaJob njëzëri i ka vlerësuar dy ditë të mirëorganizuara në Durrës. E nevojshme, e paharrueshme, e jashtëzakonshme – kanë qenë tri fjalët që e kanë përmbledhur gjithë përvojën e ekipit.
Retreat apo trajnim është një zhvendosje për stafin nga ambienti i përditshëm i punës me qëllim për tu relaksuar dhe për të mësuar gjëra të reja për vetë kompaninë, për vetë potencialin e tyre dhe për njëri-tjetrin. E gjithë kjo në një hapësirë që nuk ka asnjë element zyreje. Ekipi i KosovaJob i udhëhequr nga Arion Rizaj për dy ditë ka zgjedhur qytetin bregdetar të Durrësit. Me pak pushim dhe shumë aktivitete, dita e parë ka qenë e përkufizuar me adrenalinë, sfidë dhe relaks. Me aktivitetet gjithëditore të Theta Training çdo lojë/aktivitet ka qenë një sfidë e bukur drejt së panjohurës. Nga aktivitete që ndihmojnë më shumë aktivizim dhe energji, ekipi natyrshëm ka kaluar në lojëra që i vënë ata në pozita të ndryshme dhe në interaktivitet të ndryshëm me njeri-tjetrin. Ekipi vihet përballë pyetjeve të vështira ku duhet të pozicionohet në njërën anë apo dhe të qëndroj neutral. Çdo pozitë duhet të arsyetohet me pak fjalë.
Programet e ofruara nga Theta për team-building synojnë ngritjen e vetëbesimit tek individët dhe ekipi, nxitjen për marrjen e iniciativës, lidhjen e ekipit ndërmjet tyre dhe krijimin e besimit, inkurajimin e llogaridhënies si dhe nxitjen e inovacionit për zgjidhjen e sfidave. Besnik Leka ka theksuar se aktivitetet e zgjedhura në agjendën e programit kanë pasur për qëllim të nxisin punën individuale dhe atë ekipore, me synimin për të zhvilluar ndërveprimin ndërmjet anëtarëve të ekipit, duke shfuqizuar hierarkinë dhe respektuar idetë dhe iniciativat e anëtarëve të grupit. “Përvoja me stafin e Kosova Job ka qenë e kënaqshme për faktin se çdo anëtar ka marrë pjesë në pothuajse çdo aktivitet duke dhënë kontributin e tyre personal, pa hezituar ose deleguar. Pas krijimit të hapësirave të sigurta, çdo anëtar ndjehet i/e rehat dhe i sigurt për të ndarë përvojën, qëndrimet, sfidat si dhe mundësitë me grupin”, ka thënë Besniku për AkademiPune.
Arion Rizaj: Të sigurosh edukim alternativ në kohën e ndryshimeve të mëdha është esenciale
Ekipi i KosovaJob në fusha të ndryshme vazhdimisht ecën në hap me metodat e reja që ofrojnë trajnimet si një formë e edukimit alternativ që nxitë zhvillimin. Arion Rizaj – themelues dhe udhëheqës i platformës #1 të punësimit - KosovaJob është shprehur se kjo është e domosdoshme në një botë e cila po ecën me ritëm të shpejt ku teknologjia dhe proceset e punës po ndryshojnë në mënyrë dramatike.
“Trajnimet e tilla po ndikojnë që punonjësit të pajisen me njohuritë, teknologjitë, aftësitë dhe mjetet që kërkon për të qenë konkurrues në pozita e tyre. Për më tepër, të ofruarit e mundësive të ndryshme të të mësuarit i ndihmon punonjësit të ndihen të vlerësuar, të përfshirë dhe të motivuar që e rritë kënaqësinë e tyre në punë. Për ne, retreati në Durrës ka kontribuar drejt zhvillimit të një perspektivë më të gjerë dhe aftësive ndërfunksionale për punonjësit tanë dhe që mund të jenë përfituese për gjithë rritjen e kompanisë”, ka thënë Arioni.
Trajnimet i vlerëson si thelbësore në rritjen e tij edhe Rinor Jahaj, i cili punon që më shumë se dy vjet në KosovaJob. Nëpërmjet trajnimeve ku ka marrë pjesë thotë se deri tash ka qenë shumë të vlefshme ku ka pasur mundësinë të mësoj nga specialistë të fushave të ndryshme. “Kjo më ka ndihmuar të jem i përgatitur për sfidat e reja dhe të jem konkurrues në tregun e punës”, thotë Rinori.
Trajnimi në Durrës si metodë relaksimi dhe njohje e njëri-tjetrit
Trajnimi ka filluar shumë pranë bregdetit me aktivitete të lehta dhe përfshirëse për të vazhduar në aktivitete që kërkojnë më shumë përfshire, kreativitet dhe ide. “Traidick Treck” ka qenë një ndër aktivitetet ku anëtarët është dashur t’i mbyllin sytë dhe tu besojnë udhëzimeve të njëri-tjetrit. Ky aktivitet stimulon një menaxhim më të mirë në situata kaotike duke mbajtur qëndrimet pozitive për zgjidhjen e problemeve.
Aleksandar Kochovski, të cilit të gjithë i referohen si Alexi është Zyrtar i Lartë Operativ në KosovaJob. Ai është nga Shkupi dhe kjo ka qenë eksperienca e tij e parë në Durrës pasi që është zhvendosur për të punuar në Prishtinë. Përvoja atje e ka bindur se ky trajnim ka qenë shumë i rëndësishëm për stafin – dhe veçmas ka ndikuar në forcimin e marrëdhënieve, rritjen e moralit dhe inkurajimin e kreativitetit të ekipeve të cilat të gjitha së bashku kontribuojnë në një mjedis pune më produktiv dhe pozitiv.
“Ekipet tona patën një shans të argëtoheshin, të konkurronin dhe të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin - dhe e gjithë kjo në bregdetin e bukur të Adriatikut të Shqipërisë magjepsëse”, ka thënë ai.
Tutje Alexi ka treguar se të vizituarit e Durrësit në periudhën më të mirë të vitit ishte padyshim diçka që do t’i mbetet gjithmonë në kujtesë. “E gjithë agjenda e seminarit ishte planifikuar në mënyrë perfekte dhe i shtyu të gjithë të përdorin plotësisht potencialin e tyre fizik dhe mendor, në mënyrë që të ofrojmë rezultatin më të mirë të mundshëm për ekipet tona. Një mirënjohje Theta Training për gjithë përpjekjen për ta bërë këtë të mundur”, ka thënë tutje ai.
Sipas Arionit përcaktimi për ta mbajtur këtë trajnim dy-ditor në bregdet në periudhën e pranverës ka qenë i vlefshëm për disa arsye.
“E para, pranvera është një kohë e mirë për të organizuar ngjarje të tilla kur moti është i kënaqshëm dhe njerëzit ndihen më të gjallëruar pas muajve dimëror. E dyta, kjo ngjarje të shkëput nga rutina dhe u ndihmon punonjësve të rimbushen, relaksohen dhe të ndërtojnë aftësi më të forta me kolegët e tyre duke zhvilluar aktivitete që nuk përfshihen zakonisht në një ambient zyreje. E treta, Theta Training është e njohur për trajnimet inovative me metoda efektive dhe në perspektivë afatgjate dhe kjo i ndihmon punonjësit të zhvillojnë një perspektivë të re dhe t’i vendosin shkathtësitë e reja në praktikë”, ka theksuar Arioni.
Kur kolegët e KosovaJob janë larguar nga hapësira me qiell të hapur, kanë hyrë në botën e teatrit, duke improvizuar imazhe të ngrira që përcjellin kuptimin në lëvizje e skena që nxisin kreativitetin dhe japin mesazhe.
Aktivitete të tilla kanë qenë shumë të dobishme për Rinorin që të zhvillojë disa aftësi si thellimi i bashkëpunimit dhe në zhvillimin e aftësive të komunikimit, të krijuarit të skenarit, të performancës artistike, të folurit në publik.
“Trajnimi dhe aktivitetet e organizuara nga Theta Training më kanë ndihmuar të rris vetëdijen time personale dhe të zhvilloj aftësitë time në menaxhimin e stresit, komunikimit dhe bashkëpunimit me ekipin”, ka thënë tutje Rinori.
Aktiviteti që nxjerrë një prespektivë të re për veten dhe të tjerët
Aktiviteti Johari Window ka ndihmuar anëtarët e ekipit të thellohen më shumë rreth personalitetit të tyre, të mësojnë diçka të re për veten nga anëtarët e grupit dhe të ndajnë diçka të re për veten me anëtarët e grupit, për të cilën ata nuk ishin të vetëdijshëm. Për mbyllje, duke mësuar diçka të re të plotë me ndihmën e pyetjeve të antarëve të grupit, aktiviteti i Johari Window i ndihmon ata të thellohen më shumë dhe të ndihen më të lirë për të diskutuar çështje të ndryshme. Të gjithë nga kjo lojë kanë dalë me një perspektivë të re për veten dhe të tjerët. Aty bëhen pyetje të cilat kolegët i nxjerrin jashtë pozicioneve të zyrës. Migerta Berisha është një nga koleget më të reja të stafit të KosovaJob së cilës kjo përvojë i ka ndihmuar të njihet shumë më për së afërmi me stafin. Migerta thotë se ky trajnim e ka bërë që të dalin jashtë zonës së rehatisë dhe një të tillë ua sugjeron të gjitha kompanive.
“Për mua ky workshop ka qenë më së i nevojshëm, besoj se nuk do të kishte vend më të mirë se sa një vend bregdetar në kohë pranvere për një trajnim të tillë. Dita ka qenë e mbushur me aktivitete të ndryshme ku secili kemi pasur hapësirë për tu shprehur apo të përfshihemi në çdo aktivitet. Personalisht kam arritur të kuptojë disa gjera të reja rreth vetes dhe kompanisë të cilat janë pozitive”, ka thënë Migerta.
Në përshtypjet e tyre Alexi dhe Arioni ndajnë mendimet e njëjta se kjo u ka shërbyer si përvojë e mrekullueshme që t’i shohësh punonjësit e departamenteve që vijnë nga nivele të ndryshme që të bashkohen në qëllime të ngjashme. “Kjo i ka dhënë mundësinë çdonjërit që të dalin nga pozitat e tyre të zakonshme dhe ta shohin njëri tjetrin në një tjetër perspektive që mund të rezultojë në ide të reja dhe qasje të reja për t'i shërbyer kërkesave të klientëve tanë”, është shprehur tutje Arioni.
Ekipet e suksesshme në grupe të ndara me besim të njëri-tjetri në aktivitete të ndryshme, sipas Alexit dëshmojnë edhe për mënyrën se si funksionojnë gjërat brenda KosovaJob.
Udhëtimi ynë në Durrës definitivisht na ka ndihmuar të njohim njëri-tjetrin më mirë dhe të jemi më të vetëdijshëm për potencialin tonë”, ka thënë Alex. Java e punës pas këtij retreat ka nisur me shumë energji. E ekipi vetëm se ka vendosur për retreatin e radhës!