“Hapësirat më të mira kanë diçka për të thënë rreth njerëzve që jetojnë në to.”
- David Hicks
Rritja e produktivitetit në punë është diçka në të cilën përqendrohet të gjithë punëdhënësit. Ata ndërtojnë strategji të ndryshme vetëm që punonjësit e tyre të mos përballen me të ashtuquajturin “sindrom i djegies” ose çdo formë tjetër që anëtarët e kompanisë e humbasin vullnetin për punë. Përveç të gjitha formave të tjera, sot sipërmarrësit kanë kuptuar që pamja e vendeve të punës ka rol kyç në sjelljen, përceptimin dhe produktivitetin e punonjësve.
Se vetëdijësimi për këtë po rritet edhe në Kosovë, tregon arkitektja Bora Klemendi- Beqiraj nga studio B17 architects. Ajo thotë për Akademi Pune se nga bisedat që kanë pasur si studio me investitorët këtu, e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është bërë hapësira e punës. Madje, arkitektja thotë që sot ato kanë funksion shumë më shumë se kaq.
“Hapësirat e punës nuk shërbejnë vetëm si infrastrukturë për punëtoret por dhe imazh i industrisë. Një industri e suksesshme ka hapësira pune të kuruara dhe bashkëkohore, që përmbajnë të gjitha cilësitë e hapësirave të punës që tashmë janë të aplikueshme në botë, për të cilësuar disa përveç hapësirave të punës individuale janë dhe ato për punë në bashkëpunim; informim ne grupe; fokus; te ngrënës në kolektiv; relaksit; etj.”
ESTETIKA APO FUNKSIONI?
Mbase është dilemë se a duhet që ambiente e punës të duken bukur, apo të përshaten me funskionin që kryejnë. Bora tregon se “pamja e hapësirës përcaktohet nga funksioni të cilin përmbanë”. Ajo shpjegon që ishte funksionalizmi i shekullit 20 me arkitektët modernist ishte periudha kur “Forma ndjek funksionin’ propozon që ‘funksioni’ duhet të jetë pikënisja e dizajnit të hapësirës me parë se “estetika”.
“Gjatë dizajnit të hapësirave të punës me studion ‘B17 Architects’, bazohemi në principet e ‘transformimit dhe adaptimit’ duke marrë parasysh faktorin kohë për këto hapësira dhe mundësitë për të qenë të përshtatshme në rast të ndryshimeve nga faktorë të ndryshëm”, vazhdon Bora.
CILAT JANË STILET NË INDUSTRI TË NDRYSHME?
Përdorimi i stileve nëpër industri të ndryshme si duket nuk është i prerë me thikë. Arkitektja Bora thotë që rol të rëndësishëm në përcaktimin e tyre luajnë kultura e kompanisë si dhe mosha mesatare e punonjësve që e përbënë kompaninë. Pra, në qendër të të gjitha industrive është faktori njeri.
“Çdo vit e me shumë theksohet se një punëtor produktiv është rezultat i hapësirave të përshtatshme dhe vendit të punës të rehatshëm. Si rrjedhojë, pavarësisht industrisë në hapësirat e punës janë prezantuar zona alternative që mund të shfrytëzohen për aktivitete të tjera alternative gjatë orarit të punës. Kjo nuk aplikohet vetëm për mirëqenien, por mbi të gjitha për të qenë më produktiv”, shpjegon Bora se përse i jepet rëndësi punonjësve në dizajnim të hapësirave.
Se këto zona alternative nuk po bëhen vetëm që sipërmarrësit “të mburren”, por edhe janë të domosdoshme që punonjësit të lëvizin dhe argëtohen, tregojnë edhe studimet e ndryshme. Për shembull, ushtrimet e rregullta qofshin ato edhe më të lehtat e lirojnë serotoninën të njohur si “hormoni i lumturisë”, e rrisin moralin, e përveç kësaj rrisin qarkullimin e gjakut në tru. Duke i pasur këto mundësi në vendin e tyre të punës, punonjësit janë më të përqendruar dhe më energjikë gjatë kohës së punës.
E po ashtu, puna për një kohë të gjatë, pa pasur mundësi për pushim, ndikon që truri i njeriut që ta përceptojë një detyrë si më pak të rëndësishme, duke ndikuar jashtëzakonisht në rënien e produktivitetit.
A KA RËNDËSI PËRDORIMI I NGJYRAVE NË VENDE TË NDRYSHME?
Rol të rëndësishëm në dizajnimin e vendeve të punës luajnë ngjyrat dhe nuancat e tyre, duke i dhënë kështu mjedisit rrethues jetë. Njeriu ka aftësinë që në ambiente të ndryshme të ndihet ndryshe. Ndryshe ndihet kur hapë derën e shtëpisë, ndryshe kur niset për kuzhinë, e ndryshe kur shtrihet në divan ose shtrat për të fjetur. Janë dizajnet dhe ngjyrat ato që i japin ndjenja të veçanta për secilën pjesë. Njëjtë ndodhë edhe me vendet e punës.
“Në një akademi ushtarake sigurisht që duhet të zgjidhen kombinim i ngjyrave të cilat përcjellin atmosferën e vendit, për të ilustruar kontrastin e njëjta filozofi duhet të ndiqet kur përcaktohen ngjyrat për një qerdhe fëmijësh”, tregon Bora Kelmendi.
Çështja është se ku cila ngjyrë duhet të vendoset? Për këtë arkitektja shpjegon ndikimin që secila ngjyrë ka në brendësinë tonë.
“Për të përmbledhur, janë katër ngjyra primare në aspektin psikologjik; kuqe, kaltër, verdhë dhe e gjelbër. E kuqja ka ndikim fizik, e katërta në mendje, e verdha në vetë-besim ndërsa e gjelbra ndikon në balancin midis mendjes, trupit dhe emocioneve. Është e vërtetuar tashmë se ngjyrat me tone të qeta në të gjelbër apo kaltër nxisin fokusin dhe efikasitetin në punë ndërsa ngjyrat të cilat inkurajojnë optimizëm dhe kreativitet janë nuancat e verdha dhe portokall të ngrohta”, vazhdon ajo.