A rrezikohet tregu i punës nga liberalizimi i vizave?

19 Prill '23

A rrezikohet tregu i punës nga liberalizimi i vizave?
	 	 

Parlamenti Evropian ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2024,  qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë. Ky vendim ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen ku janë të përfshira 27 vende evropiane. Një ndër diskutimet më të mëdha në rrjete sociale që nga dita e djeshme është zbrazja e vendit për shkak te liberalizimit të vizave. Theksi i diskutimit është veçmas se si do të ndikojë kjo në fuqinë punëtore. A do të jetë tregu i punës më i varfër sa i përket fuqisë punëtore? – është pyetja kryesore. AkademiPune ju sjell një artikull që përmbledhë një pasqyrë të kësaj.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka thënë se ky hap i madh nënkupton një lehtësim të madh për njerëzit që duan të jetojnë jashtë Kosovës dhe të hulumtojnë tregun e punës. Sipas tij kjo do të ndikojë në uljen e kostove për aplikacione dhe do të ju mundësoj qytetarëve me pagë minimale të kërkojnë alternativa të tjera që i nxjerrin nga ankthi i mbijetesës.  

“Nuk është çmuar fuqia punëtore, janë çmuar vetëm si skllavopronar pasi që shumicën e kompanive. Është hapur një rrugë e re në tregun e punës që aftësitë dhe kualifikimet e tyre të vlerësohen ashtu si duhet. Ka punëtorë që akoma paguhen me 170 Euro që nuk mund t’ia dalin. Nuk po kërkojmë një luks të skajshëm por çfarë mund të bëj një familje me 170 Euro kur zyrtarët tanë gjatë ditës me këto para kanë bërë shpenzime luksi”, ka thënë Azemi për AkademiPune.

Azemi: Për gati një dekadë 300 mijë punëtorë janë larguar, dy vjet e fundit 100 mijë

Sipas Azemit nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat që nga viti 2014 mbi 300 mijë punëtorë i kanë lëshuar vendet e punës. Sipas tij dy vjet e fundit 2021 dhe 2022 janë 100 mijë punëtorë, kryesisht të rinj që e kanë lëshuar Kosovën në kërkim të kushteve më të mira të punës.

“Kjo shifër kaq e madhe po tregon se njerëzit po e gjejnë veten dhe çdokush po shkon aty ku ka një stabilitet më të mirë”, ka t hënë ai. I pyetur se cili sektor mund të dëmtohet më së shumti, ai ka thënë se gastronomia dhe ndërtimtaria mund të pësojnë më së shumti me mungesë të punëtorëve. Sipas tij, tash është alarmi i fundit që punëtorët e kualifikuar duhet ruajtur sepse janë të rëndësishëm për vitalitetin e shtetit.

“Të gjithë personat me kualifikim te të gjitha lëmive, poashtu punëtorë elektricistë, punëtorë të mirëmbajtjes të objekteve dhe të gjtha lëmive janë që edhe sot ka pasur mungesë të madhe dhe ikja do të bëj të veten. Jam i bindur që brenda dy-tre vjetëve nëse vazhdohet kështu nuk do të ketë punëtorë në moshën 50-vjecare që do të mbetet në Kosovë”, ka shtuar ai. Azemi ka thënë se thirrjet e tyre në sektorin privat është bërë vazhdimisht ndaj qeverisë dhe kompanive private, por që këto thirrje kanë dështuar dhe kushtet e punëtorëve nuk janë përmirësuar. Sipas tij në shumë kompani private, përvec pagave të ulëta është hasur mosrespektim i të drejtave të punëtorëve në dhënien e pagave me kohë, në moskompensim të orarit shtesë dhe mosrespektimin e pushimeve vjetore.

Përmirësimi i kushteve – mundësia e vetme për t’i mbajtur punëtorët

Pikërisht në këto segmente duhet fokusuar sektori privat edhe sipas Zana Havollit, menaxhere e rekrutimit në kompaninë e rekrutimit “HumanPower” – kompani e cila ofron shërbime për klientët në Evropën Juglindore. Sipas saj kompanitë private duhet të përcjellin trendët globale sa i përket menaxhimit të punëtorëve dhe të veprojnë sipas kornizës ligjore në Kosovë. 

“Në mënyrë që ta kapin trenin e fundit, kompanitë duhet të fokusohen në mirëqenien e punëtorit duke filluar nga pagat me rregull, në vlerësime reale  dhe të vazhdueshme duke shpërblyer performancën e punonjësve, duke iu ofruar mundësi të ngritjes në karrierë, duke u ofruar sigurim shendetësor dhe një ambient të mirë të punës”, ka thënë ajo për AkademiPune.

Numri i punonjësve të cilët punojnë për kompani të huaja është rritur dukshëm vjetëve të fundit, veçmas në fushën e teknologjisë. Sipas Zanës kompanitë e huaja  që operojnë në Kosovë duke ofruar shërbime për të huajt janë një mundësi e mirë për punonjësit që të mund të kycen në tregun e punës me standarde evropiane. Ajo ka qenë e përfshirë në rekrutimin e mbi 3 mijë personave për tregun gjerman të cilët kanë fituar një vend stabil pune.

“Një mundësi mjaft e mirë për të rinjtë që të punojnë edhe në Kosovë janë kompanitë që ofrojnë shërbime për treg te huaj ku  kushtet janë krejtësisht tjera dhe ofrojnë një përvojë të re për punonjësit. Njëra nder to është edhe Teleperformanca e cila operon në disa vende në Kosovë dhe e ofron kushte te jashtëzakonshme dhe ambient perfekt”, ka shtuar tutje ajo.

“Kjo situatë e lëvizjes mund të krijojë më shumë presion te punëdhënësit”

Albina Berisha, menaxhere e projektit në “Rritjen e Punësimit të të Rinjve” (EYE) është shprehur se liberalizimi do të zgjojë kureshtjen tek gjeneratat e reja për të provuar një treg të punës në shtetet e Bashkimit Evropian, një treg më konkurues dhe me dinamika të tjera nga tregu i punës në Kosovë.

“Kjo do të ndikojnë fuqinë punëtore pasi që pritet të ketë lëvizje të mëdha të punëtorëve për një periudhë një apo dy vjeçare derisa tregu i punës përsëri pastaj të kthehet në stabilitet. Por liberalizimi nuk nënkupton të drejtën e punës në ato vende por e lehtëson vendimmarrjen e disa të rinjve që për një kohë të gjatë e kanë konsideruar të migrojnë jashtë për punë”, ka thënë ajo për AkademiPune.

Sipas saj kjo situatë e lëvizjes së fuqisë punëtore do të krijojë më shumë presion në punëdhënësit e sektorit publik dhe privat për përmirësimin e kushteve të punës. Ajo ka shtuar se përvec respektimit të të drejtave që janë cekur dhe më lartë, puna në distancë duhet të jetë si ofertë më e shtuar në të ardhmen që të jemi konkurent me punëdhënësit në shtetet e BEsë.

 “Duhet të rritet vetëdijesimi i punëdhënësve mbi trendet në fushën e burimeve njerëzorë, vetëdijesimi i punëkërkuesve mbi praktikat e mira të punëdhënësve për punëtorët e rinjë, më shumë ndarje e përvojave me shtetet tjera që kanë vështirësi të ngjashme”, ka shtuar ajo.

Udhëtimi pa viza nuk nënkupton leje pune

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza vetëm për 90 ditë, brenda një periudhe gjashtëmuajshe. Udhëtimi pa viza lejohet për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe nuk nënkupton leje pune ose përfitime të tjera. Për qëllime punësimi, shumica e shteteve në zonën Schengen kërkojnë vizë dhe leje pune – qoftë edhe për më pak se 90 ditë.

Bazuar në vendimin e së martës, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.

Shtetet në zonën Schengen ku qyetetarë e Kosovës mund  të lëvizin lirshëm përfshijnë shtetet si Gjermania, Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejnin, Lituania, Luksemburg, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanjë, Suedi dhe Zvicra.

Vitit 2020 dhe 2021 ishin vitet kur Ambasada e Gjermanisë nuk ka lëshuar viza pune për shkak të pandemisë, ndërsa sipas raportimeve të mediave në vitin 2019 Ambasada ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza. Prej tyre rreth 36 mijë viza Schengen, si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata, si bashkim familjar, viza pune e viza studimi. Sipas një raportimi tjetër vetëm brenda vitit 2021, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar, gjithsej, 34 mijë viza të të gjitha kategorive, nga të cilat 4 mijë e 442 ishin viza pune. Vetëm në dhjetor të vitit 2021, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 kishte pranuar gjithsej 56 mijë e 639 aplikime./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC