Gjersa sulmet kibernetike janë bërë secilën herë e më të sofistikuara dhe të përhapura në vitet e fundit, kompanitë po përqendrohen me të njëjtin ritëm për t’i mbrojtur punonjësit dhe punën që bëjnë. Me këtë vetëdijësim ato i kanë përvetësuar praktikat më të mira dhe po i edukojnë punonjësit e tyre, se si të jenë të sigurt brenda dhe jashtë zyrës.
Kjo ka bërë që si pjesë e kulturës së kompanive të shtohen edhe burimet për t’i mbrojtur punonjësit nga shkeljet. Duke i trajnuar punonjësit mbi ndërlikueshmërinë e një sulmi kibernetik, bizneset tani po e integrojnë sigurinë kibernetike në vendet e punës. Rezultat i këtij veprimi është që punonjësit janë më të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre si në punë ashtu edhe në shtëpi. Ata e dinë që e kanë përgjegjësinë për t’i mbajtur të sigurta të dhënat dhe sistemet e kompanisë.
Se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme për kompanitë, e pohon edhe Granit Beka, shef i sigurisë në PBC Group.
“Siguria kibernetike brenda një kompanie është e rëndësishme sepse mbron të gjitha kategoritë e të dhënave nga vjedhja dhe dëmtimi. Kjo përfshin të dhënat e ndjeshme, informacionet personale, informacionet shëndetësore, pronat intelektuale si dhe sistemet e informacionit”, shprehet Beka për Akademi Pune.
Kompanitë mund të sulmohen në forma të ndryshme. Por, pa marrë parasysh llojet e sulmeve eksperti i sigurisë kibernetike i ka radhitur disa hapa që duhet të ndërmerren në momentin e parë kur kompania sulmohet.
E, që kompania të mos përballet me këto situatash të pakëndshme, madje shpeshherë edhe rrënuese, fatmirësisht ekzistojnë veprime të cilat janë “varka shpëtuese” të kompanisë.
“Trajnimi i stafit për sulmet kibernetike dhe mbrojta ndaj tyre, klasifikimi i dokumenteve sensitive në mënyrën e duhur, identifikimi i dobësive brenda sistemeve të kompanisë, Auditimi i Sigurisë së Informacionit si dhe krijimi i procedurave dhe rregulloreve ne mënyrën e duhur”, janë vetëm disa nga veprimet që duhet të bëhen, për ta parandaluar ndonjë sulm kibernetik eventual, tregon Beka.
Pra, njëra ndër pikat e para dhe më të rëndësishme është trajnimi i punonjësve për mbrojtje të menjëhershme. Në këtë mënyrë vetë punonjësit, duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ata kanë në ruajtjen e vendit të punës ku ata punojnë.
Beka thotë që ata duhet të tregohen të kujdesshëm kur i përdorin pajisjet teknologjike dhe internetin, sepse më shumë se 90% e sulmeve kibernetike ndodhin nga gabimet njerëzore apo “human error”. Në këto veprime bëjnë pjesë edhe përdorimi i fjalëkalimeve të sigurta nga punonjësit si dhe, aftësita për ta dalluar një email që ka qëllime kundër kompanisë.
Cili është dëmi më i madh që u bëhet kompanive?
Nuk është thjesht humbja financiare që u shkaktohet kompanive nga sulmet kibernetike. Pyetja është se sa ato mund ta marrin veten pas këtij sulmi? Beka thotë që ato e humbasin edhe besueshmërinë në tregun ku ato operojnë.
Sipas tij “Mesatarisht në Kosovë ndodhin rreth 900-1000 sulme të ndryshme kibernetike brenda një muaji”. E arsyet pse ato ndodhin janë të ndryshme.
Këto janë vetëm disa nga arsyet që i ka rënditur Graniti, në lidhje me atë se çfarë i shtynë sulmuesit të kryejnë krime të tilla. Prandaj, kompanitë duhet të arrijnë ta kuptojnë që asnjë kompani apo komb nuk është më imun ndaj hakerimit. /Akademi Pune