Si ta sfidoni veten në punë?

15 Korrik '20

Si ta sfidoni veten në punë?
	 	 

Performanca në punë është më e mirë kur ambienti është i këndshëm dhe stimulues. Sidoqoftë, shumica e punonjësve kanë ditë të gjata e ndonjëherë edhe të mërzitshme në punë, si rrjedhojë bien në një rutinë.

Nëse nuk e doni punën tuaj si më parë, mos  prisni gjithmonë nga kompania që të bëjë diçka por sfidojeni veten. Duke e sfiduar veten në punë jo vetëm që do ta përmirësoni performancën tuaj, por gjithashtu do të zhvilloheni edhe më shumë si person.

Largohuni nga zona e rehatisë

Në secilën punë ka detyra të cilat kërkojnë më shumë përkushtim dhe investim, e të cilat ndonjëherë janë edhe të mundimshme dhe punëtorët mundohen t’i shmangin. Në mënyrë që të sfidoni veten, duhet të kërkoni të merrni përsipër detyra të ndryshme pavarësisht vështirësisë së tyre. Mos e lejoni veten të futeni në zonën e rehatisë por merrni përsipër projekte të ndryshme. Madje, konsideroni ato projekte të cilat ju sfidojnë pikat e juaja të dobëta dhe të forta.

Bëhuni konkurrues

Të qenurit konkurrues në këtë rast nuk nënkupton konkurrencë me kolegët sepse kjo mund të çojë drejt konflikteve dhe problemeve brenda në kompani. Analizoni të arriturat e juaja në të kaluaren dhe përcaktoni qëllimet e së ardhmes. Pra, mundohuni vazhdimisht ta shtyeni veten përpara.

Mësoni nga të tjerët

Për të arritur sukses në karrierë, rëndësi të posaçme ka edhe të mësuarit nga të tjerët. Andaj, krijoni lidhje me kolegët. Nëse punoni në një kompani të madhe ku ka më shumë departamente, mundohuni të ndërtoni komunikim më kolegët në të gjitha departamentet. Kjo do t’ju bëjë të fitoni më shumë njohuri dhe perspektiva të ndryshme të cilat pastaj mund t’i aplikoni edhe në punën tuaj të përditshme.

Përfundoni detyrat në kohë

Pothuajse secilit mund t’i kenë ndodhur zvarritje apo shtyerje të detyrave herë pas here. Për ta parandaluar një gjë të tillë duhet të tentoni përmirësim të menaxhimit të kohës dhe mënyrës se si i drejtoheni një pune. Kur keni diçka për të realizuar, mos e prisni kohën e përsosur po kapeni momentin dhe përfundoni ato detyra që ju janë caktuar. 

Bëhuni të pavarur

Bashkëpunimi me kolegët është shumë i nevojshëm për sukses të kompanisë në përgjithësi. Mirëpo, mundohuni që kryesisht t’i përfundoni detyrat e punës me më pak ndihmë. Përfundimi i një detyre vetë, nga fillimi deri në fund, pa kërkuar ndihmë, do t'ju bëjë të ndiheni më të sfiduar. Po ashtu, mos harroni se nga suksesi juaj nuk përfiton vetëm kompania por edhe ju avancoheni me aftësitë e juaja si dhe zhvilloheni si punëtorë. Prandaj, merrni iniciativa dhe kërkoni detyra të reja për të përfunduar si dhe rrini të hapur ndaj ndryshimeve.

Mbani një qëndrim pozitiv

Mos e nënvlerësoni veten ose aftësitë tuaja dhe realizoni punët tuaja me përkushtim, entuziazëm dhe dashuri. Duke bërë këto ndryshime të thjeshta në pozicionin tuaj, jo vetëm që do të ndiheni më të sfiduar në punë përmes detyrave që merrni, por gjithashtu do t'i përmirësoni aftësitë për të ardhmen. 

Vlerësoni aftësitë e juaja

Duke i vlerësuar dhe kuptuar aftësitë e juaja, ju do të jeni në gjendje t’i tejkaloni aspektet negative në produktivitetin tuaj. Ky lloj vlerësimi ju bën që të merrni role në të cilat mund të përmirësoheni dhe të zhvilloheni në karrierë edhe në të ardhmen.  

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC