Shenjat e fshehta që puna po ndikon në shëndetin tënd mendor

15 Korrik '25

Shenjat e fshehta që puna po ndikon në shëndetin tënd mendor
	 	 

Na kanë mësuar se puna është bekim, që duhet të jemi mirënjohës për një vend pune, pavarësisht gjithçkaje. Por kur rutina ditore kthehet në ankth, lodhja nuk ikën më as pas gjumit, dhe çdo mëngjes nis me një ndjenjë peshë në gjoks ndoshta është koha të ndalemi dhe të pyesim: A është puna ime duke ndikuar në shëndetin tim mendor?

Kur puna kalon kufijtë e mendjes?

Shëndeti mendor nuk dëmtohet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga stresi i vazhdueshëm, presioni i performancës, mungesa e vlerësimit dhe izolimi në ambientin e punës. Disa nga shenjat më të zakonshme që shpesh neglizhohen janë:

  • Lodhje kronike, edhe pas pushimit
  • Përgjumje ose pagjumësi
  • Humbje e motivimit, edhe për gjërat që dikur të pëlqenin
  • Ankth apo irritim para fillimit të ditës së punës
  • Shkëputje emocionale ndaj kolegëve, klientëve apo punës në përgjithësi

"Unë jam vetëm i lodhur..." – apo ka diçka më shumë?

Një nga justifikimet më të zakonshme është: "Ndoshta vetëm jam lodhur pak, do më kalojë." Por kur kjo gjendje zgjat me javë apo muaj, nuk është thjesht lodhje – është një sinjal që diçka nuk është në rregull. Puna nuk duhet të të rraskapitë emocionalisht çdo ditë.

Çfarë mund të bësh për ta mbrojtur veten?

  1. Identifiko burimin e stresit – Është orari i gjatë? Është ndonjë koleg apo drejtues? Apo ndoshta ndjesia që nuk je në vendin e duhur?
  2. Vendos kufij të qartë – Mos e kthe e-mailin në orën 21:00. Jepi vetes pushim pa u ndjere se jeni në faj.
  3. Fol me dikë – Me një mik të besuar, koleg apo edhe një profesionist të shëndetit mendor.
  4. Kërko mbështetje në punë – Ka kompani që kanë politika për mirëqenie, por ndonjëherë ato nuk dihen derisa të pyesësh.
  5. Mos e romantizo "duroj, durohet" – Shëndeti yt mendor është më i vlefshëm se çdo pozitë pune.

Puna duhet të ndërtojë, jo të rrënojë

Një vend pune i shëndetshëm është ai që të sfidon, por jo që të lëndon. Që të jep ndjenjën e qëllimit, por jo ankth për ekzistencën. Nëse puna jote po të zbërthen pak nga pak, ndoshta është koha të vendosësh kufij ose të kërkosh një rrugë të re.

Shëndeti yt mendor nuk është një luks – është një prioritet.
Dhe ndonjëherë, akti më i guximshëm është ta pranosh se ke nevojë për më mirë. Sepse ti meriton më shumë se thjesht "me pas një punë" — meriton një vend që nuk të shuan dritën nga brenda./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC