Shumica e njerëzve mendojnë se “shitje” nënkupton vetëm të “flasësh”. Mirëpo, ata që punojnë në shitje e dinë se të dëgjuarit është pjesa më e rëndësishme e punës së tyre - Roy Bartell
Puna në shitje nënkupton shitjen e një produkti ose një shërbimi tek dikush tjetër. Sektori i shitjes në një kompani apo biznes ka rëndësi shumë të madhe - shumica e kompanive e kanë të nevojshëm këtë sektor sepse shitja çon në rritjen e profitit apo të ardhurave të asaj kompanie.
Valon Thaçi, menaxher i shitjes në Cacttus - kompani në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit, në një intervistë për KosovaJob tha se karriera në shitje më së miri zhvillohet nëpërmjet trajnimeve apo shkollimit adekuat, ani pse ka edhe prej atyre njerëzve të cilët fokusohen vetvetiu në shitje apo edhe e kanë më të lindur.
Ai përmend një teori të cilën e konsideron esenciale për një karrierë të suksesshme në shitje. “Çdo shitës është mirë të duket mirë, ta njohë produktin të cilin e shet, të dijë kërkesën, nevojën e tregut si dhe të klientëve”. Sipas tij, klienti nuk duhet parë si mundësi e përfitimit material dhe pas atij përfitimi të harrohet për një periudhë kohore, mirëpo duhet vazhdimisht të kontrollohet nëse ai është i kënaqur ose jo me shërbimin.
Nga një trajnim që pati me Bruno Augustonin, një folës me eksperiencë në komunikim dhe shitje, Thaçi përcjellë edhe një mesazh “Bruno thotë se për çdo klient është mirë të dihet se çka ka brenda në zemër, cila është dëshira e tij dhe pse ai dëshiron ta blejë produktin që po i ofrohet dhe nëse ai klient e blen atë produkt, atëherë përgjegjësia është e madhe për ta ruajtur atë klient”.
Thaçi përmend dy lloje të shitjes, shitje profesionale dhe shitje guerrile. Shitje profesionale konsiderohet atëherë kur personi shkon me kohë në punë, paraqitja është adekuate në punë dhe paraqitja para klientit nënkupton shumë për atë person, klientin dhe kompaninë mbi të gjitha.
I dyti lloj i shitjes është shitja guerrile, e cila ndodhë në raste spontane, në një restaurant, në rrugë apo kudo. Rastësisht takohet një klient dhe shitet produkti aty për aty, pastaj nuk ekziston mundësia për të marrë një mendim nga klienti rreth atij produkti. Në profesionin e shitjes, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe paraqitjes dhe kjo lidhet me shitjen profesionale. Ai thotë se shitjen profesionale e konsideron si lloj shkolle sepse është diçka që duhet mësohet. Tek ky lloj i shitjes luan shumë rol komunikimi, paraqitja dhe mënyra se si ruhet marrëdhënia me klientin duke ofruar shërbime.
“Shitja nuk është shitje, veç po dal dikund dhe po shes, është dhunti që ta ka falë zoti, është komunikimi, paraqitja, mënyra se si ti shet dhe se si e mban relacionin me klientin duke ofruar shërbim, jo relacionin me klientin duke shkuar në kafe. Si këshillë e imja është që njerëzit ta praktikojnë zhvillimin e biznesit me takime nëpër zyre. P.sh, nëse unë dua ta blej një produkt nga një kompani e caktuar, atëherë ajo kompani mua me fton fillimisht në zyret e tyre që ta shoh produktin dhe vendin ku zhvillohet ai produkt, në këtë mënyrë doza e besimit për ta blerë një produkt të caktuar rritet. E kundërta ndodhë në rast se kompania me fton në një kafe për të biseduar rreth produkteve, kjo për mua është jo serioze”, ka thënë Thaçi.
Cilat janë përfitimet që vijnë me karrierën në shitje?
Jo vetëm kompania është ajo që përfiton nga ky profesion sepse edhe individët që punojnë në shitje kanë përfitime shumë të mëdha. Të punuarit në shitje e bën një person:
Përfitimet e nënvizuara më lart janë vetëm disa nga shumë të tjera që sjellë karriera në shitje. Edhe Valon Thaçi, sa i përket përfitimeve që vijnë nga shitja, thotë se janë të shumta.
“Përfitimi numër një është që njofton shumë njerëz, karaktere të ndryshme të njerëzve, të bën të kuptosh mënyrën se si ata veprojnë sepse edhe ai i cili blen, edhe ai shet dikund tjetër dhe kjo do të thotë se është njëfarë zingjiri dhe domosdoshmërisht mëson edhe prej blerësve. Mua personalisht, shitja më ka ndihmuar shumë sepse kam krijuar edhe shumë shoqëri dhe mbase në ndonjë profesion tjetër nuk do arrija këtë. Në Kosovë, kemi mungesë të shitësve profesional por njëkohësisht edhe të pronarëve të kompanive të cilët i motivojnë shitësit dhe motivimi nuk nënkupton vetëm mjetet financiare por trajnim adekuat të shitësve në korporata, kompani, në shitje me pakicë, etj”, tha Thaçi.
Kur flet për motivimin e punëtorëve, ai përfshin edhe mirënjohjet që duhet t’iu bëhen punëtorëve sa i përket performancës. Ai thotë se është mirë që menaxherët bashkë me përgjegjësit e burimeve njerëzore të praktikojnë përzgjedhjen e punëtorëve më të suksesshëm përgjatë një viti.
Cilat janë aftësitë për sukses në shitje?
Pos komunikimit që është element kyç, si çelës për të arritur sukses në shitje por edhe në jetë në përgjithësi, Thaçi i përmend edhe disa aftësi.
“Numër një është durimi. Po spate durim në shitje, mos vazhdo me këtë punë. Unë e kam prioritet menaxhimin e kohës, si me e menaxhu kohën me klientin sepse edhe klienti e dëshiron kohën e vet, prandaj duhet të gjeni mënyrën se si ta menaxhoni atë. Nëse nuk dimë ta menaxhojmë kohën si biznese nuk mendoj që është diçka e mirë. Numër tre është fokusi. Duhet të jeni shumë të fokusuar në punën që e bëni, në një letër të cilën ia dërgoni klientit, një pikë ose presje, lë të kuptosh shumë. Pastaj vjen njohja e produktit, nëse nuk arrini ta njihni, ta studioni produktin që e shitni, atëherë do ta keni shumë të vështirë të vazhdoni me këtë profesion. Pra, duhet ta njihni produktin në thelb sepse pyetjet qe klientët mund t’i bëjnë, ndonjëherë janë të paparashikueshme”.

Një këshillë tjetër të cilën ai e jep për të gjithë të interesuarit për të pasur një karrierë të suksesshme në shitje, është që gjithmonë t’i bëjnë një analizë klientit, të mësojnë se çfarë promovimesh ka bërë ai klient së fundmi, për çka ka nevojë, etj.
A ka perspektivë për shitësit e rinjë në Kosovë?
Sa i përket perspektivës për shitësit e rinjë, Thaçi thotë se ka perspektivë, mjafton që të jenë të përkushtuar dhe ta duan profesionin. Ai këshillon të rinjtë që punën të mos e shohin si mundësi për të pushuar, sepse një gjë e tillë ua humbet kohën të dy palëve, edhe punonjësve, edhe punëdhënësve.
"Nëse punën e shihni si mundësi me u ulë edhe me pushu, atëherë jeni duke i marrë kohën vetes e edhe atij që iu ka punësuar dhe dëmi është i dyanshëm. Mirëpo, ai që iu ka punësuar, nuk ua ka borxh këtë. Prandaj, nëse nuk dini diçka, është më mirë të pyesni apo informoheni. Ka perspektivë dhe ka punë kush dëshiron të punojë, kush nuk dëshiron, nuk ka perspektivë. Hulumtoni se çka dëshironi të punoni, ku dëshironi të punoni, si dëshironi të punoni, pra cilat janë format më të përshtatshme për juve. Nëse ka raste kur jeni të lirë me punët, lexoni, shfrytëzojeni kohën për të lexuar sepse edhe ju rriteni profesionalisht. Ka mijëra e mijëra teori, mijëra shkarkime online ku mund të informoheni rreth shitjes”. Le t'i kushtojmë më shumë rëndësi kohës dhe t'i përkushtohemi më shumë punës".
A ofrohen mjaftueshëm vende pune në Kosovë në sektorin e shitjes?
Pothuajse çdo kompani, në çdo industri, ka nevojë për shitje. Në lidhje me mundësitë e punësimit në fushën e shitjes në Kosovë, Thaçi tha se gjithmonë ka kërkesë për shitës të mirë. Ai nënvizoi se në kompaninë Cacttus, ofrohen shumë mundësi për t’u zhvilluar nëpërmjet trajnimeve.
“Çdo kompani që prodhon, ka nevojë gjithmonë për shitje, sepse ne gjithmonë blejmë, shitësi edhe blerësi janë vëlla dhe motër dhe nuk ka institucion përveç atyre publike natyrisht që nuk kanë nevojë për shitës, institucionet private të gjitha thuajse kanë nevojë për shitës. Aq ka nevojë për shitje, sa është e paimagjinueshme. A kemi shitës të mirë? Kemi nevojë për më shumë. Në kompaninë ku unë punoj janë mundësi të jashtëzakonshme për cilindo që është i interesuar të punojë në sektorin e shitjes dhe ka shumë përfitime. Tek ne ka mundësi për t’u zhvilluar nëpërmjet trajnimeve”, përfundoi Thaçi.
Valon Thaçi, është menaxher me përvojë në fushën e shitjes. Ai ka mbi 10 vite përvojë punë në kompaninë Cacttus, kompani e cila operon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit.