Një mjedis i keq pune mund të shkaktojë probleme në shëndet

14 Nëntor '19

Një mjedis i keq pune mund të shkaktojë probleme në shëndet
	 	 

Njerëzit kalojnë më shumë se 40 orë në javë në ambientet e tyre të punës. Kësisoj, kur puna nuk bëhet me qejf, mund të ketë pasoja të mëdha në shëndet, sidomos nëse ndjeheni të obliguar të rrini aty. Hulumtimet kanë treguar se personat të cilët janë ndjerë të obliguar të rrinë në një ambient pune kanë përjetuar shumë më shumë stres, lodhje apo edhe depresion.

Probleme mund të hasim në çdo mjedis pune, mirëpo duhet t’i kushtohet vëmendje nëse një punë e caktuar po shkakton aq shumë stres, sa që po fillon të ndikojë negativisht në shëndetin tonë.

Sipas një studimi të Universitetit të Mançesterit, një punë  "me cilësi të dobët" - një punë që nuk bëhet me qejf - është më e keqe për shëndetin mendor të njeriut sesa të mos kesh punë fare. Nëse keni të bëni me një punëdhënës të pasjellshëm, me klientë të këqinj, me shumë ngarkesa në detyra të punës, etj, gjasat që të filloni të mos e duani punën janë shumë të mëdha.

”Ekzistojnë shumë faktorë rreziku për shëndetin mendor që mund të jenë të pranishëm në mjedisin e punës. Shumica e rreziqeve kanë të bëjnë me ndërveprimet midis llojit të punës, mjedisit organizativ dhe menaxherial, aftësive dhe kompetencave të punonjësve dhe mbështetjes në dispozicion të punonjësve për të kryer punën e tyre”, shpjegon psikologia Lirije Cakaj.

Lirije Cakaj

Rreziqet për shëndetin mendor përfshijnë:

  • Politika jo adekuate të shëndetit dhe sigurisë
  • Praktikat e dobëta të komunikimit dhe menaxhimit
  • Pjesëmarrje e kufizuar në vendimmarrje ose kontroll i ulët mbi fushën e punës së një personi
  • Nivele të ulëta të mbështetjes për punonjësit
  • Orar pune jo fleksibil
  • Detyra të paqarta

Rreziku për ndikim negativ në shëndetin mendor po ashtu mund të lidhet me llojin e punës e cila kryhet, ngase disa punë kanë ngarkesa edhe më të larta apo edhe mungesë sigurie krahasuar me tjerat. Disa prej këtyre punëve mund të kenë aq shumë ndikim në shëndetin mendor sa që  të bëhen edhe shkak i çrregullimeve mendore – çka mund të çojë edhe në përdorim të alkoolit ose ilaçeve psikoaktive. ”Trupi i njeriut mund ta dijë kur një punë nuk është e mirë dhe po shkakton stres sepse dërgon sinjalet që diçka nuk është në rregull”, ka thënë psikologia Cakaj.

Kur një punë nuk është e mirë për shëndet mund ta kuptoni nëpërmjet shumë simptomave të cilat mund të shfaqen gjatë asaj periudhe.

Probleme me gjumin. Nëse problemet me gjumin bëhen të shpeshta, kjo mund të jetë një shenjë se ambienti juaj i punës është i dëmshëm dhe ka filluar të ndikojë shumë negativisht tek ju.  

Shtim i peshës. Shumica e njerëzve kur kanë shumë stres në punë, shtojnë edhe peshë ngase ka gjasa të hanë më shumë se zakonisht. Mirëpo, ka edhe prej atyre që humbin peshë nëse përjetojnë stres të tepërt.

Dhimbje koke. Muskujt tensionohen për të mbrojtur trupin nga dëmtimi. Kur vendi i punës paraqitet si zonë rreziku, muskujt rrijnë të tensionuar. Tensioni kronik në qafë, shpatulla dhe kokë mund të shoqërohet me migrenë dhe dhimbje koke.

Ulet sistemi imunitar. Lodhja e vazhdueshme, qoftë në punë, qoftë jashtë saj, është po ashtu një tjetër simptomë se puna ka filluar të jetë e dëmshme. Thuhet se stresi në vendin e punës shkaktohet duke qenë shumë i ngarkuar por studiuesit tani kanë një tjetër teori. Ata thonë se stresi në vendin e punës vjen nga një gjendje e vazhdueshme negative, dmth duke u ndier keq në zyrë në shumicën e kohës.

Sëmureni më shpesh. Një tjetër simptomë se puna juaj mund të jetë e dëmshme është nëse sëmureni shpesh gjatë vitit, pra nëse keni nevojë shumë shpesh për pushime mjekësore. ”Analizojeni ambientin tuaj të punës edhe njëherë nëse ndjeheni të sëmurë apo jeni me grip gjatë gjithë kohës” , theksoi psikologia Cakaj.

Probleme me stomak. Nëse keni probleme me kapsllëk, dhimbje stomaku apo fryerje, mendojeni edhe njëherë nëse puna është duke iu shkaktuar stres, sepse të gjitha këto janë simptoma të stresit.

Ndryshim oreksi. Kur stresi në punë është i vazhdueshëm, ju mund të çrregulloheni edhe me ushqimin, gjëndrat mbiveshkore të trupit lëshojnë dhe krijojnë kortizol, një hormon që mund të rrisë urinë. P.sh kur puna shkakton shqetësime emocionale afatgjata, njerëzit mund të shtojnë ngrënien e ushqimit si ngushëllim.

Puna

Çfarë masave duhet ndërmarrë në rast se një punë krijon probleme në shëndet?

Shumë prej njerëzve ngecin në punë të cilat nuk janë të mira për shëndetin e tyre në përgjithësi dhe kjo duhet të merret shumë më seriozisht. ”Nëse e urreni punën tuaj, patjetër që duhet të ndërmerrni diçka. Qëndrimi në një punë e cila po iu bën dëm nuk duhet assesi të zgjatet. Ju ose duhet të mësoni se si të përmirësoni situatën tuaj aktuale të punës ose duhet të gjeni një punë tjetër, ku mund të jeni të lumtur”, ka thënë Cakaj. Disa prej hapave që duhet ndërmarrë janë:

  • Bëni pushim. Dëmet më afatgjate shkaktohen nëse nuk i keni dhënë vetes një mundësi për t’u çlodhur. Gjeni pak kohë për të pushuar dhe analizuar më mirë se çka dëshironi të bëni.
  • Riformoni të menduarit negativ. Jo të gjithë mund ta ndërrojnë lehtësisht vendin e punës. E mira do të ishte nëse arrijmë të përqendrohemi në situatën të cilën mund ta kontrollojmë. Mund te menaxhohet p.sh injorimi i thashethemeve apo mendimet e të tjerëve. ”Një nga parimet e terapisë njohëse të sjelljes është se mënyra si mendoni, mund të ndryshojë mënyrën se si ndiheni”.
  • Gjeni arsyet e pakënaqësisë. Mundohuni t’i gjeni rrënjet e pakënaqësisë. Shumica e problemeve kanë zgjidhje. Gjeni ato pakënaqësi, shkruani nga një zgjidhje për secilen prej tyre dhe zhvilloni një plan veprimi.
  • Ruani anën pozitive. Nëse ka gjëra të mira që keni marrë nga një vend pune, fokusohuni aty. Analizojeni çështjen e orarit, pagës, pushimeve, etj.
  • Ndërrojeni punën. Nëse stresi që iu shkaktohet në punë ka filluar të jetë i pakontrollueshëm, shqyrtojeni mundësinë për ta ndërruar atë vend pune.
KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC