Pandemia dhe pasojat e saj do të jenë një nga sfidat më të mëdha të biznesit të kohës sonë. Për të vazhduar operacionet duke minimizuar rrezikun për punonjësit, shumica e kompanive kanë përshtatur mënyra të reja të punës nga shtëpia varësisht nga natyra e punës.
Askush prej nesh me të vërtetë nuk e di se si do të duket jeta jonë kur gjërat fillojnë të kthehen në "normalitet". Një gjë duket e sigurt, puna do të duket ndryshe për një kohë.
Punëdhënësit dhe menaxherët mbajnë përgjegjësinë kryesore për të drejtuar kompanitë e tyre përmes kësaj kohe. Varet nga ata që të përcaktojnë se si dhe kur të fillojnë detyrën komplekse të kthimit në vendin e punës pasi të jenë larguar në tërësi kufizimet e qeverisë.
A do të praktikohet distanca sociale?Shëndeti dhe siguria e punonjësve duhet të jetë prioritet i kompanive. Kjo natyrisht se është një shqetësim moral, etik dhe ligjor për të gjitha kompanitë. Nga këndvështrimi i biznesit, mbrojtja e mirëqenies së punonjësve është thelbësore sepse asnjë plan për të rifilluar operimet normale nuk mund të ketë sukses pa ta. Punonjësit padyshim se llogarisin në kompanitë e tyre për t'i ndihmuar të rikthehen në punë pa rrezikuar shëndetin e tyre.
Përderisa kufizimet e lëvizjes po zbuten, kompanitë do të duhet të kuptojnë dhe zbatojnë pajtueshmërinë me urdhrat e pushtetit lokal si dhe atij qendror. Meqenëse këto rregulla ndryshojnë sipas vendndodhjes dhe ndoshta nuk do të jenë të aplikueshme njëzëri, drejtuesit e kompanive duhet të planifikojnë një varg metodash bazuar në natyrën e punës dhe vendin ku zhvillohet puna.
Tranzicioni nga puna prej shtëpisë në atë nga zyrja
Si punëdhënësit ashtu edhe punonjësit nuk do ta kenë të lehtë deri sa të stabilizohen dhe t’i kthehen punës siç ka qenë para përhapjes së pandemisë.
Ja disa këshilla se si menaxherët mund të përballen me këtë ndryshim:
Keni durim dhe fleksibilitet. Ka gjasa që ekipi juaj të ndihet i stresuar, qoftë për t'u rikthyer në zyrë ose për sfida më të përgjithshme, të shkaktuara nga pandemia. Ndihmoni dhe inkurajoni ekipin tuaj që ta ketë sa më të lehtë ta rifillojë punën.
Krijoni një plan të detajuar. Punonjësit tuaj duan të dinë se çfarë të presin në të ardhmen. Krijoni një plan që përshkruan në detaje se si do të vazhdojnë detyrat në terma afatshkurtër dhe afatgjatë. Bëni këtë plan të disponueshëm për ekipin tuaj dhe përgjigjuni pyetjeve që mund të kenë ndaj jush.
Vendosni pritshmëri të qarta për udhëzime dhe rregullore të reja. Sigurohuni që ekipi juaj të jetë i vetëdijshëm dhe t'i përmbahet masave të sigurisë dhe rregullave të reja. Ato duhet të komunikohen qartë dhe rregullisht në mënyrë që të gjithë të jenë të përditësuar me informatat e fundit.
Si duhet të përballen punonjësit me situatën e re?
Mos nxitoni nëse nuk jeni gati fizikisht ose emocionalisht. Siç diskutuam më lart, ekzistojnë arsye të ndryshme që mund t'ju bëjnë që ende mos jeni në gjendje të ktheheni në punë brenda zyrës. Komunikoni me menaxherin tuaj ose departamentin e HR për të diskutuar një plan veprimi të përshtatshëm.Qëndroni të kujdesshëm kur bëhet fjalë për procedurat e reja të sigurisë. Mos u shqetësoni për praktikat higjienike të sugjeruara. Ju jeni më të sigurtë përderisa vazhdoni t’i zbatoni rregullat si mbajtja e distancës dhe higjienës.
Komunikoni qartë dhe shpesh. Sigurohuni që ju dhe menaxheri juaj keni komunikim të vazhdueshëm në lidhje me nevojat tuaja të punës. Nëse gjatë kësaj kohe keni nevojë për fleksibilitet mos hezitoni ta njoftoni.
Thënja se ne jemi të gjithë së bashku kundër kësaj pandemie është përmendur disa herë, prandaj duhet të vazhdojmë ta përkrahim njëri tjetrin që ta tejkalojmë këtë situatë kritke. Mbështetuni në rrjetin tuaj të njerëzve dhe burimeve për t'ju ndihmuar ta keni sa më të lehtë kalimin përsëri në zyrë./AkademiPune