Të rinjtë gjithnjë e më shumë po zgjedhin që punën e tyre ta kryejnë nga shtëpia përballë një monitori. Por kjo shihet si një zgjidhje e gabuar sipas profesorit të njohur në Universitetin e Nju Jorkut, Scott Galloway. Sipas tij kjo ndikon negativisht në suksesin e tyre profesional dhe romantik.
Ai në fjalimin e tij për rreziqet e të qenit në shtëpi në Samitin e Këshillit për CEO të The Wall Street Journal ka thënë se duhet minimizuar maksimalisht koha e qëndrimit në shtëpi.
"Ju nuk duhet të jeni kurrë në shtëpi. Kjo është ajo që u them të rinjve. Shtëpia është për shtatë orë gjumë dhe kaq. Sasia e kohës që kaloni në shtëpi është e ndërlidhur me suksesin tuaj profesional dhe romantik. Duhet të jeni më shumë jashtë shtëpisë”, ka thënë ai.
Profesori Galloway poashtu këmbënguli që suksesi dhe ekuilibri punë-jetë nuk shkojnë paralelisht.
"Mund t'i kesh të gjitha. Thjesht nuk mund t'i kesh të gjitha menjëherë”, ka thënë ai.
Galloway ka qenë prej kohësh një avokat i punës në zyrë dhe ka shmangur zakonet e punës në distancë, sepse sipas tij kjo pengon aftësinë e të rinjve për të ndërtuar marrëdhënie dhe rrjet. Ai më parë i këshilloi punëtorët e rinj.
"Para se të keni qen dhe partner, futuni në zyrë, krijoni mentorë, krijoni miq," në një intervistë për CNN. Ai shtoi se punëtorët që gradohen janë ata me marrëdhëniet më të mira në punë.
CEO i miliarderit Elon Musk është gjithashtu kundër punëtorëve që këmbëngulin që punët e tyre t’i kryejnë në distancë dhe në një intervistë për CNBC E e quajti këtë si praktikë moralisht të gabuar. Musk e ka përfshirë këtë vlerë në kompanitë e tij të ndryshme, duke përfshirë dhënien e një ultimatumi punonjësve të Tesla-s për t'u larguar ose për t'u kthyer në zyrë vitin e kaluar. Ai gjithashtu u bëri thirrje punonjësve të Twitter-it që e ndiqnin këtë praktikë që të ktheheshin në zyrë për të punuar 40 orë në javë.
Megjithatë, puna në distancë nuk është diçka që do të zhduket veçmas jo tani. Puna në distancë është praktikë që do të vazhdojë të zbatohet. Madje në një sondazh të kryer nga The Washington Post rreth 55% e punëtorëve që punonin në distancë në SHBA ishin deklaruar se janë të gatshëm të pranojnë një ulje page për të vazhduar punën nga shtëpia/ AkademiPune