Asnjë biznes nuk fillon njësoj. Disa nisin nga një dhomë e vogël, disa në garazha, e disa të tjerë në zyrë. Sidoqoftë, nuk ka rëndësi se ku nisë një biznes, e rëndësishme është se si ndërmerren hapat drejt suksesit.
Janë të shumtë të rinjtë e talentuar nga Kosova, të cilët po krijojnë biznese në industri të ndryshme. Shumë prej tyre kanë krijuar stabilitet financiar dhe po punojnë edhe drejt shtrirjes së tregut jo vetëm në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht. E puna artizanale është një ndër bizneset
që po nisin të rinjtë e kohës moderne.Puna artizanale kërkon gërshëtim të pasionit, talentit dhe kreativitetit. Pikërisht këto tri elemente janë ato që e bëjnë të suksesshëm një biznes artizanal. I udhëhequr nga Agnesa Sekiraqa, një artiste re përplot ide e ambicie, “ThesQefi” është njëri ndër këto biznese. Kreativiteti dhe cilësia në produktet që ofron, e bëjnë këtë biznes dhe këto produkte unike dhe shumë të kërkuara në
tregun Kosovar.
Në një intervistë për Akademi Pune, Agnesa Sekiraqa tregoi më shumë se si lindi ideja dhe si erdhi deri te krijimi i “ThesQesi”. Profesioni që fillimisht kishte zgjedhur ishte dizajni i modës, një profesion i cili ndonëse kompleks, kërkonte shumë pasion dhe i krijonte mundësinë ta shprehte sa më shumë kreativitetin e saj.
“Thesi” si koncept ka nisur rastësisht, krejtësisht në mënyrë spontane. Derisa isha duke shikuar feed-in në instagram, pashë një model të një ulëseje me ajër. Në shikim të parë mu duk interesant. Hulumtova tregun, ndërkohë në shtëpi po punoja me proceduren e modelimit, prerjes, qepjes. Pa qenë e sigurtë që ajo që doja të ofroj do të përputhej me kërkesen e tregut për një ulëse të tillë, finalizova thesin e parë e që nuk ishte më i miri i mundshëm.Isha kërkuese sepse e
dija që thesi që doja ta krijoja do të duhej t’i përmbushte të gjitha pritjet e një klienti potencial”Gjërat të cilat e përbëjnë një veshje siç janë përmbajtja e materialeve, patroni e qepja, janë disa prej gjërave bazike të cilat Agnesa i mësoi gjatë fillimit të studimeve. Këto njohuri ndonëse bazike, i shërbyen shumë në punën të cilën e bën edhe sot me biznesin e saj. “Qepja, ishte një ndër proceset që më sfidoi për të bërë gjëra të tjera të cilat nuk ishin pjesë e lëmisë që tashmë
kisha zgjedhur”
Thonë se fitues janë ata që nuk dorëzohen. E dedikuar në punën e saj, pas tre tentimesh Agnesa Sekiraqa tregon se arriti të krijojë thesin e katërt i cili sot është një ndër ulëset më të rehatshme në treg dhe në të njejten kohë është ndër produktet më të kërkuara nga “ThesQefi”.
Cila është forma më e mirë për të promovuar punën artizanale?
Ndonëse teknologjia ka lehtësuar shumë gjëra në të bërit biznes, krijimi i emrit në treg mund të jetë një proces i vështirë. Kësisoj, e rëndësishme është të gjindet forma që funksionon më së miri. Agnesa Sekiraqa me ekipin e saj, promovimin dhe shitjen e produkteve të ThesQesi e bëjnë online, nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Duke marrë parasysh se 81% e konsumatorëve bëjnë kërkime në internet para se të vendosin të blejnë një produkt, mund të themi se pak vend i ka mbetur marketingut tradicional. Prandaj, rrjetet sociale kanë sjellë me vete një periudhë të re ne këtë fushë. Megjithëse mundohemi t’i bëjmë të gjitha vet, sigurisht që fokusi ynë është tek shitja online nëpërmjet rrjeteve sociale”
Një ekip jo shumë i madh por shumë i talentuar dhe i dedikuar, me punën e tyre tashmë kanë arritur të shtrihen edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Agnesa thekson se në punën e saj të përditshme më së shumti e shijon punimin e thasëve për fëmijë, kjo ngase aty mund të shpalosë kreativitetin e saj.
Këta thasë të cilët karakterizohen nga dy ose më shumë nuanca ngjyrash janë bërë shumë të dashur për fëmijët. Ata kanë mundësinë t’i personalizojnë këta thasë me personazhet që pëlqejnë më shumë.
E gjithë kjo punë, biznesit “ThesQefi” i ka siguruar edhe shumë bashkëpunime
afatgjata. “Bashkëpunimet me kopshtet, na kanë bërë më të vendosur për të punuar me shumë me targetin e fëmijëve pasi reagimi i tyre vazhdon të jetë përherë impresiv”
Krejt në fund, Agnesa Sekiraqa ka një këshillë për të gjithë ata që janë gati për t’u përfshirë në tregun e punës.
“Zhvilloni sa më shumë aftësitë e juaja sipërmarrëse. Pavarësisht barrierave që mund të hasni, e rëndësishme është të filloni dicka nga e para sepse edhe rrugëtimet e gjata nisin me hapin e parë. Pra, përpiquni të nxirrni më të mirën nga vetja, duke e bërë atë që e doni më së shumti”.