A duhet të aplikoni në kompaninë ku jeni refuzuar?

21 Dhjetor '22

A duhet të aplikoni në kompaninë ku jeni refuzuar?
	 	 

Refuzimi në një vend punë të cilin e keni ëndërruar nuk është i lehtë. Por jo gjithmonë kjo nënkupton që ju duhet të dorëzoheni. Gjithmonë ekziston mundësia  që të rihapet konkursi për pozitën e njejtë. Lajmi i mirë është se ju mund të riaplikoni në pozitën në të cilën jeni refuzuar, por kësaj radhe me disa informacione shtesë. Riaplikimi madje është një shenjë e mirë sepse dëshmon që ju nuk dekurajoheni lehtë dhe dëshmon këmbëngulësinë në raport me atë që synoni. E rëndësishme është të reflektoni mbi arsyet se përse jeni refuzuar herën e parë dhe gjatë asaj kohe të punoni për të përmirësuar aftësitë që kërkohen në konkurs.

Herën e dytë kur aplikoni për pozitën në të cilën jeni refuzuar tashmë i dini disa udhëzime. Më poshtë janë të listuar hapat që duhet të ndiqni para se të riaplikoni në punën që e keni ëndërruar prej kohësh.

Shikojeni me kujdes konkursin

Ekziston gjithmonë një arsye se përse ky konkurs është hapur përsëri. Shikoni me kujdes ndryshimet në përshkrimin e punës dhe sa janë përmirësuar aftësitë e juaja me atë që kërkohet në konkurs. E gjithë kjo mund të ju çoj në një rezultat tjetër. Para se të vendosni që të aplikoni shqyrtoni me kujdes ndryshimet në herën e dytë dhe mundohuni të koncentroheni në ato ndryshime.

Pyetja që duhet të ia bëni vetes: Përse po riaplikoj?

Hapi i parë që duhet të bëni përpara se të riaplikoni është ta pyesni veten cila është arsyeja që ju nuk po hiqni dorë nga kjo pozitë. Një pyetje që duhet t’ia shtroni vetes është se a ju intereson më shumë pozicioni specifik apo kompania? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë esenciale për tu përcaktuar nëse jeni më i interesuar për pozitë në të cilën po aplikoni apo për kompaninë. Nëse më shumë jeni të interesuar për kompaninë se sa për pozitën – kjo mund të ju orientoj në një pozitë tjetër brenda kompanisë që përputhet më shumë me aftësitë e juaja.

 Bëjeni një letër të re motivimi

Gjasat për ta fituar vendin të cilin e keni synuar dhe më parë me letrën e njëjtë motivuese janë minimale. Menaxheret e punësimit do ta vërejnë këtë menjëherë. Për këtë arsye është e rëndësishme të riaplikoni me një letër të re motivmi, kjo nënkupton që ju jeni më të përgatitur se më parë për pozitën që e synoni.  Me këtë ia bëni të qartë se ju jeni një kandilat më i fortë se në të kaluarën. Letra juaj e motivimit duhet të nxjerrë në pah përvojat e reja që keni fituar ndërkohë dhe aftësitë që keni zhvilluar dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm.

Përgatituni për intervistën

Duhet ta keni parasysh se me riaplikim ju po tregoni një interesim më këmbëngulës për pozitën apo kompaninë. Prania juaj aty dëshmon se refuzimi nuk iu ka dekurajuar. Përgatitja për intervistë është  shumë e rëndësishme sado që mund të ndiheni më i familjarizuar me pozitën për shkak të aplikimit të mëhershëm. Kësaj radhe duhet ta keni një përgjigje të fortë e cila e zbërthen qartë arsyen e juaj të riaplikimit dhe përse ju kësaj radhe jeni kandidati ideal për këtë pozitë.

Riaplikimi

Edhe njëherë po listojmë disa udhëzime shtesë që janë të rëndësishme kur riaplikoni për një vend pune:

  1. Përditësoni materialet e aplikimit tuaj

Korrigjoni me kujdes CV-në tuaj dhe letrën e motivimit për të identifikuar dhe korrigjuar të gjitha gabimet teknike dhe ato gramatikore. Përditësoni cdo aftësi dhe përvojë të re që keni fituar që nga aplikimi i fundit në këtë kompani.

  1. Personalizoni materialet e aplikimit tuaj

Letra juaj e motivimit dhe CV-ja juaj duhet të personalizohen që të përputhen me përshkrimin e punës. Madje duhet ndjekur me interesim të shtuar kërkesat e përshkrimit të punës për të dëshmuar interesimin e juaj për të aplikuar për atë pozitë.

  1. Kërkoni referime

Hulumtimi për kompaninë ku ju dëshironi të punoni është gjithmonë i rëndësishëm. Lidhja me njerëz që punojnë aty është po ashtu e rëndësishme. Kjo mund të ju ndihmoj si referencë brenda kompanisë. Përdorni faqet profesionale të mediave sociale për të kërkuar profilin e kompanisë dhe për të parë nëse dikush nga personat që ju njihni punon aty. Nëse po atëherë ju duhet të kërkoni ndihmë nga ata përsona për të kuptuar me shumë për pozitën. Po ashtu mund të kërkoni nga ata që të përcjellin drejtpërdrejt CV-në e juaj te menaxheri i punësimit./ Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC