Leximi është për mendjen ashtu siç janë ushtrimet për trupin. Nëse doni që truri juaj të funksionojë me shpejtësi dhe efikasitet, duhet të ushtroni trurin që të lexoni më shumë. Gjithnjë e më shumë kërkimet tregojnë se vetë akti i leximit ka efekte të fuqishme në trurin tuaj, si tani ashtu edhe në të ardhmen. Njerëzit që lexojnë rregullisht kanë treguar, rritje të produktivitetit, përqendrim të më të mirë, fjalor të zgjeruar dhe madje kanë treguar një përmirësim të ndjeshëm të kujtesës.
Leximi dhe kujtesa janë dy koncepte të ndërlidhura. Kur lexoni, ju po stërvitni trurin tuaj për të mbajtur në mendje idetë dhe fjalët, gjë që përfundimisht ndihmon në rritjen e kujtesës tuaj. Doruntina Drenovci nga Libraria “Dukagjini” ka ndarë për lexuesit e AkademiPune pesë titujt që secili njeri duhet t’i lexojë për të qenë më produktiv.
Ajo parafrazon thënien e Tim Ferris i cili thotë “Focus on being productive instead of busy” (Përqëndrohu që të jeni produktiv në vend se i zënë”. Sipas Drenovcit produktivitet përdoret për të matur se sa efikase është një kompani në prodhimin e një të mire materiale ose ofrimin e një shërbimi. “Ka shumë rëndësi qe ne të jemi produktiv edhe për veten tonë, dhe jo vetëm në punën që ne bëjmë, dhe për këtë ne kemi bërë përzgjedhjen e 5 librave më të mirë që mund të ju ndihmojnë në këtë drejtim” shprehet ajo.
- “Gjej kohe” nga Jake Knapp dhe John Zeratsky
Si krijues të "Design Sprit" të njohur të Google Ventures, Jake dhe John kanë ndihmuar qindra ekipe të zgjidhin probleme të rëndësishme duke ndryshuar mënyrën se si funksionojnë. Duke u mbështetur në suksesin dhe përvojën e tyre në dizajnimin e produkteve të teknologjisë së përhapur nga Gmail në YouTube, ata kaluan vite duke eksperimentuar me zakonet dhe rutinat e tyre, duke kërkuar mënyra për t'i ndihmuar njerëzit të optimizojnë energjinë, fokusin dhe kohën e tyre. Tani ata kanë paketuar taktikat më efektive në një kornizë ditore me katër hapa që çdokush mund të përdorë për të dizajnuar sistematikisht ditët e tyre. Libri na rikujton për t’i dhënë përparësi jetës tonë, pasioneve tona dhe vlerave po ashtu.
Në njërin prej kapitujve përmendet injoromi i lajmeve që sipas autorëve - ju duhet te jeni te informuar mirëpo informacionet e domosdoshme sa i përket lajmeve do i keni gjithmonë të gatshme brenda ditës, ndërsa të tjerat nëse nuk ju hyjnë ne pune atëherë do mundeni edhe pa to, kështu duke evituar nga çdo dite në një herë në javë ju mund te përfitoni nga kjo dhe te gjeni kohe për diçka tjetër më të vlefshme. E qe kjo do ju bëj produktiv ne punën apo pasionet qe ju keni.
- “Zakonet e suksesit” nga Napoleon Hill
Napoleon Hill është një prej autorëve më të kërkuar të kësaj fushe, ku për shumë lexues të tij ka pasur komente pozitive mbi shkrimet e tij dhe se si ai ju ka ndryshuar jetën. Libri “Zakonet e suksesit” ndanë parimet e suksesit, si një seri zakonesh të cilat ju japin themelet për një sukses qe do të ju ndryshojë jetën. Njohuritë e Hill-it mund të themi që vlejnë për çdo aspekt të jetës kështu duke ju frymëzuar juve si lexues që të shfrytëzoni parimet e tij për të arritur qëllimet e juaja dhe të krijoni suksesin qe ju gjithmonë keni dëshiruar.
- “Start with why” nga Simon Sinek
Libri trajton pyetjet si: Pse disa njerëz dhe organizata janë më novatore, më me ndikim e më fitimprurëse se të tjerat.
Sinek derisa studionte liderët qe kanë pasur ndikim më të madh në bote, zbuloi se ata mendojnë, veprojnë dhe komunikojnë me të njëjtën mënyrë, e kjo është krejt e kundërta e asaj që bën kushdo tjetër. Ai ka një ide qe e quan “Rreth i artë” qe paraqet një strukturë mbi të cilën mund të ndërtohen organizata, mund te udhëhiqen lëvizje si dhe mund të frymëzohen shumë njerëz. Dhe sipas tij e gjitha FILLON ME PSE.
- “Rregulli 10x” nga Grant Cardone
Nëse dëshironi të keni sukses e të jeni produktiv nuk është e domosdoshme te operoni njësoje si të tjerët. Ky libër do ju shërbejë të largoni frikën nga dështimi dhe do ju shtoj vetëbesimin, do ju jap një motiv më të fortë. Libri ju nxit ta shkëpusni veten prej çdokujt tjetër në treg dhe këtë e arrini duke bërë atë qe ndoshta të tjerët refuzojnë të bëjnë.
- “The 7 habits of highly effective people” nga Stephen R Covey
Libri ofron leksione për zhvillim individual bazuar mbi ato qe autori i përcakton si zakone të domosdoshme për të qenë të suksesshëm. Libri është si një lloj program gjithëpërfshirës i bazuar në zhvillimin e një vetëdije se si perceptimet ose edhe supozimet tona pengojnë suksesin, qoftë ne biznes apo në marrëdhëniet personale. Këtu është një qasje që do ju ndihmojë te zgjeroni mënyrën tuaj të të menduarit dhe te ju ndihmojë te gjeni mundësi më të mëdha dhe zgjidhje më efektive të problemeve qe ju do hasni gjatë rrugës.
Secili nga librat ne thelb do ju ndryshojë mënyrën e të menduarit, do ju ndihmojnë të jeni më produktiv si dhe të ndiqni ëndrrat tuaja të mëdha, pavarësisht sfidave./ AkademiPune