Nuk ka asgjë më motivuese sesa dikush që ju motivon të keni performancë të mirë në punë. Pakëz “garë argëtuese” nuk e lëndon askënd, por kur rivaliteti me kolegët e punës shkon larg, atëherë fillon të bëhet shqetësuese edhe për karrierën.
Sipas një sondazhi ndërkombëtar të bërë nga Monster, 50% e respodentëve, ose e kanë lënë punën për shkak të ndonjë rivaliteti ose, kanë menduar që të largohen. Të njëjtët kanë deklaruar që performanca e tyre në punë është zvogëluar për shkak të stresit, telasheve me menaxhmentin, madje edhe humbjen e punës për shkak të vështirësive që i sjell rivaliteti.
Mbase papritur një ditë mund ta gjeni veten në mes të një konkurrence në punë, e megjithatë ka ende një lajm të mirë: ka disa mënyra që ju ndihmojnë t’i tejkaloni rivalitete e dëmshme.
Jini direkt me rivalin
Nëse e vëreni që kolegu është duke shkuar në garë ekstreme, është koha të ndërhyni. Është e rëndësishme që të flisni drejtpërdrejt me personin, por ta bëni si bisedë private. Gjëja e fundit që do të duhej ta dëshironit është zënka në publik, prandaj pse të mos e ftoni për kafe?
Kur të bisedoni, është e rëndësishme të përqendroheni te faktet. Kjo sepse, shumëkush bën veprime për të cilat nuk është i vetëdijshëm, prandaj duhet dikush që t’ua tregojë, në mënyrë që të fillojnë të përmirësohen.
Jepni shembuj specifik si: “E kam parë që e keni dërguar raportin, pa e përmendur edhe emrin tim. Kemi punuar në të së bashku, kështu që dua ta di pse e ke bërë”.
Mund t’ia shpjegoni kolegut pse shprehitë e tij/saj po ju shqetësojnë. Nëse jeni dëgjues të mirë, do të jeni në gjendje ta gjeni zgjidhjen.
Zhvendosni fokusin tek ju
Konkurrenca e shëndetshme merr kthesë të gabuar kur ju dhe kolegët tuaj filloni të përqendroheni në pengimin e njëri-tjetrit, në vend që të përqendroheni në nxjerrjen në pah më të mirën e vetes. Pasi të jeni përballur me kolegun, përpiquni të ruani kufijtë për të shmangur tërheqjen në toksicitet!
Për ta kuptuar se si të merreni me kolegët konkurrues në punë, duhet të mësoni “t’i hiqni” ata njerëz plotësisht nga gara dhe ta zhvendosni garën vetëm te vetja. Në vend që të përpiqeni ta “zhdukni” kolegun tuaj, përqendrohuni në mënyrën se si të veproni në mënyrë që ndihmon për ta çuar kompaninë përpara. Kjo është një strategji më e mirë për të pasur sukses në karrierë.
Kërkoni udhëzime nga menaxheri
Kur vjen puna tek konfliktet mes punonjësve, menaxherët nuk dëshirojnë të ndërhyjnë, por edhe i duan ata punonjës që i zgjidhin vetë problemet e tyre. E nëse as biseda me kolegun nuk funksionin, padyshim që duhet të drejtoheni te ai, por jo për të bërë thashetheme, por për të marrë këshilla nga ai.
Shkoni me raste specifike për t’i treguar se, ku jeni penguar gabimisht nga kolegu konkurrues. Kur flisni me të, përqendrohuni në atë se si ai po ju krijon shpërqendrim ta bëni punën, në vend që ta potenconi se po trajtoheni në mënyrë të padrejtë. Pasi shefi të jetë i vetëdijshëm për problemin, ai ose ajo mund të ndihmojë në zbutjen e problemit dhe t'i shikojë gjërat më nga afër. /Akademi Pune