Pse duhet të shfaqim pasion në intervista të punës?

2 Dhjetor '19

Pse duhet të shfaqim pasion në intervista të punës?
	 	 

“Ndiqe pasionin. Do të të çojë drejt qëllimit“  - Oprah Winfrey

Ftesa për një intervistë pune pranohet atëherë kur plotësohen kriteret kryesore që kërkohen për një pozitë të caktuar të punës. Një kompani shqyrton të gjitha kualifikimet, aftësitë, përvojat, interesimet dhe referencat e një kandidati para se ta ftojë atë për një intervistë. Mirëpo, intervistat e punës dinë të jenë edhe shumë stresuese. Ka shumë raste kur kandidatët kanë plotësuar të gjitha kriteret por përsëri nuk kanë arritur ta marrin atë vend pune.

Një gjë të cilën mund të mos e kemi marrë shumë seriozisht kur kemi shkuar në intervista të punës, është të  tregojmë se sa kemi pasion për punën që po ofrohet. Pavarësisht nëse kriteret e punës plotësohen ose jo, pasioni për punën gjithmonë ka një rëndësi shumë të veçantë.

Studimet tregojnë se ndër gjërat kryesore që rektruterët apo punëdhënësit gjithandej në botë shikojnë tek kandidatët, është pasioni. Të gjithë punëdhënësit duan të gjejnë kandidatë pasionantë, të entuziazmuar për një pozitë pune apo për kompaninë në përgjithësi.

KosovaJob ka realizuar një intervistë me Venera Dermakun, menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë Beta. Ajo ka thënë se pasioni apo entuziazmi në intervista të punës ka shumë rëndësi ngase tek punëdhënësi përçohet mesazhi se sa është i interesuar një kandidat t’i bashkohet kompanisë dhe ta ushtrojë me seriozitet detyrën për të cilën po intervistohet.

pasioni ne intervista te punes

Si menaxhere me përvojë në burime njerëzore, ajo tha se shfaqja e pasionit tregon edhe se sa me vullnet një person po ndjehet për punën dhe për një pervojë të re.

 “Pasionin në intervista të punës e shoh si diçka shumë me rëndësi për ta punësuar një kandidat. Ata kandidatë të cilët shprehin entuziazëm në intervistë të punës dhe vijnë energjik edhe në intervistë, japin një ndjenjë pozitive edhe për intervistuesin. Ndër të tjera, të jesh i informuar për pozitën që ke aplikuar dhe për kompaninë ku ke aplikuar është ndër gjërat po ashtu me shumë rëndësi, të cilat mendoj se hyjnë nën ombrellen e pasionit” shpjegon Venera Dermaku.

Demonstrimi i pasionit në intervista të punës nuk është edhe diçka e thjeshtë. Ka shumë mënyra se si të dëshmojmë se vërtetë e duam atë punë për të cilën po intervistohemi.

“Mënyra më e mirë është sinqeriteti, përgatitja e kandidatit/es para intervistës, interesimet e tyre  pas intervistës (ndoshta pyetje rreth intervistimit me intervistuesin),komunikimi i synimeve reale dhe të kapshme të së ardhmës rreth karrierës se kandidatit/es dhe kandidatët të jenë më të interesuar rreth asaj sfere të biznesit në kompaninë ku aplikojnë”

Gjatë intervistës, Dermaku theksoi se kandidatët dëshmojnë pasionin edhe nëse shtrojnë pyetje domethënëse për pozitën e punës apo kompaninë, e gjithashtu nëse kandidatët ndërlidhin përgjigjet e tyre me përvojat paraprake, pasi që këto i japin më shumë kuptim përgjigjës dhe shtojnë akoma më shumë edhe interesimin e intervistuesve për ta.

Çka duhet të shmangim kur tentojmë të shfaqim pasion në intervistë pune?

Në një intervistë pune, duhet të tentohet të ruhet një baraspeshë në mes të shfaqjes së pasionit dhe dëshirës tepër të madhe për ta marrë atë vend pune. Venera nënvizoi se kandidatët duhet të kenë kujdes që te mos mburren më shumë se që duhet gjatë intervistës me rekturerët apo punëdhënësit.

pasion interviste pune

“Është shumë e rëndësishme që kandidatët të jenë sa më të sinqertë gjatë intervistës dhe të mos të jenë tejet të mburrur me vetëveten, punën aktuale dhe ndoshta kompaninë ne dukje. Është shumë e rëndësishme që kandidatëve të mos u lë përshtypje vetëm një ambient i bukur, mirëpo t’i japin kuptim edhe synimit dhe misionit te kompanisë apo punës që ne bëjmë edhe jashtë zyreve”, tha Dermaku.

Ajo shtoi se jo gjithmonë pasioni tejet i madh mundet të japë shenja pozitive për intervistuesin ngase shpeshherë një gjë e tillë sinjalizon atë që kandidati/ja është e interesuar vetëm për një pozitë cilado që të jetë. Sipas saj, kjo mund ta bëjë pak dyshues intervistuesin.

KosovaJob iu sjellë disa këshilla si të shmangni gabimet e mundshme kur tentoni të tregoni pasion në një intervistë pune.

  • Mos tingëlloni të dëshpëruar. Interesimi për punë është diçka që vlerësohet shumë nga të gjitha kompanitë por mos tingëlloni sikur e dëshironi atë vend pune vetëm për përfitime, sikur jeni të varur nga ajo punë.
  • Mos u përqëndroni vetëm te përfitimet e kompanisë. Duke u përqëndruar në përfitimet e kompanisë, në ambientin e punës, apo reputacionin e një kompanie të caktuar, ju mund të harroni të dëshmoni se çka vërtetë doni nga ajo punë.
  • Mos u mburrni. Duke tentuar të shfaqni pasion/entuziazëm, ju shpesherë mund të flisni më shumë se që duhet rreth aftësive tuaja. Është mirë të flisni për aftësitë por gjithashtu të ikni nga mendimi sikur ju dini gjithçka. Kështu tingëlloni sikur jeni shumë arrogant ose që mendoni se jeni i mbiditur.
KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC