Në punën e duarve të tij vërehet zelli i një punë të trashëguar në dekada. Kësaj i shtohet pasioni i madh për punën që shtrihet në dy fusha: në parukeri dhe në muzikë. Të dyja lidhen me artin. Samer Agolli është një nga parukerët më të njohur në kryeqytet që profesionin e ka trashëguar nga babai i tij, Luan Agolli. Aty presin klientët të cilët edhe vetë janë familjarizuar me vendin që hapi dyert në vitin 1961 shumë pranë katedrales në Prishtinë.
Që nga ai vit ka mbetur në adresën e njëjtë. Një pasion të madh, ai e ka edhe për muzikën – aty ku është sa herë që nuk është në “Agolli Hairdresser”. Muzika zuri fill në dëshirat e tij qysh si i ri. Instrumentet ishin lojërat kryesore me të cilat si fëmijë donte të shprehte veten.
“Unë si në moshën e re kam pasur pasione pak a shumë të njëjta me ato të tashme. Muzike dhe video lojëra dhe jo ato si futboll etj. Fillimisht muzika ka qenë një dëshirë dhe qysh si tre vjeç kam shprehur interesim që ta posedoj një gjitarë, sint, ksilofon ose flaut. Në të gjitha kam pasur interesim te krijoj melodi dhe te luaj me to”, ka treguar Sameri për AkademiPune.
Profesioni si traditë familjare në lokacionin që hapi dyert në vitin 1961
Kur nisi shkollim fillor, babai (Luan Agolli) ia bleu gitarën klasike profesionale e cila sic shprehet Sameri ia hapi dyert drejt profesionit jetësor. Në shkollimin fillor u fokusua në piano derosa me kurse private paralelisht mësonte kitarën. Lufta edhe për Samerin ndërpreu gjithçka. Pas luftës filloi angazhimin në biznesin familjar të floktarisë, punë e cila u trashëguar ndër gjenerata e të cilën Sameri e ushtron në një lokacion bashkë me babain, Luanin dhe motrën, Semren.
“Ky profesion është një traditë familjare që prej gjyshit tim, Sylejman Agolli. Gjyshi im në moshën e re të tij ka filluar këtë zanat si berber në qytetin e Mitrovicës dha pas një përvoje disavjeçare, ka kryer shkollën e zanatit te parukerisë për femra në Zagreb. Pas diplomimit, gjyshi ka hapur lokalin si pronar i parë ne lokacionin e tanishëm që në vitin e 1961 dhe ka startu biznesin e parukerise, duke trashëguar këtë zanat dhe shkollim edhe babi im, Luan Agolli. Babai po ashtu ka kryer shkollën e parukerisë në Zagreb dhe ka filluar punën trashëguese në Prishtinë në moshën 16 vjeçare”, ka thënë tutje Sameri.
Babai i Samerit, Luani prej të cilit edhe fëmijët e trashëguar profesionin në atë kohë ishte kryetar i Shoqatës së Zejtarëve të Kosovës dhe ka trajnuar qindra parukerë. Por megjithatë thotë se taman “recetën e artë” e kishte ruajtur për fëmijët e tij.
“Si përfundim trajnimin ma të mirë e ka ruajtur për mua dhe motrën time”, shprehet Sameri për AkademiPune.
Me vdekjen e Sylejman Agollit, Luanit i kishte mbetur barra e kujdesit për familjen 5- anëtareshe qysh kur ishte 16 vjeç. I vetëm në një rrugëtim sfidues, Luani triumfoi falë punës dhe pozitivitetit.
“Puna e pandalshme, karizma, pozitiviteti i tij ia shtruan rrugët drejt fatit që t’ia del me sukses në biznes që edhe lokalin i cili ishte me qira ta bëj pronë të tijen”, shpjegon Sameri.
“Të qenurit punëtor dhe jo shef” – formula e suksesit të “Agolli Hairdresser”
Sameri tregon se një nga specifikat e tyre në lokal së cilës i kanë qëndruar besnikë është mospërzgjedhja e klineteles.
“Veçimi një individi të famshëm në mënyrë indirekte është një pabarazi ndaj ndonjë klienti jo edhe aq te njohur e qe ndoshta për neve e ka një vlerë ende më të madhe se ndonjë emër i njohur”, ka thënë ai.
Sameri ka trashëguar edhe shumë klientë të babait të tij të cilët i presin së bashku në dyqan. Por që sipas tij formula kryesore që i ka mbajtur të kërkuar në tregu është vetëm kjo: Vetëm një gjë.. të qenurit punëtor dhe jo shef.
Një pjesë e madhe e angazhimit të tij lidhet edhe me muzikën. Fokusin e ka pasur përherë te muzika rock, neëmetal, grunge. Aktivitetet e para në muzikë i filloi me krijimit e bendit të quajtur “Norma” që filluan angazhimin në shumë evente, festivale të rockut e koncerte të shumta. Kur aktivitetet i ndërprenë, Sameri iu rrek aktiviteteve si audio-edituese ne studion e shtëpisë. Aty hapi botën e një universi tjetër. Fokusi i tij kryesisht është në aspektin e audiove të reklamave televizive të brendeve të njohura në vend.
“Aty e zbulova një pasion tjetër timin në lëmin e muzikës e të cilat janë kompozimet të muzikave dhe përpunimet e audio-dizajneve. Dhe në këtë drejtim kam filluar te punoj për shumë agjencione marketingu, produksione filmike dhe seriale”, ka thënë Sameri. Disa nga projektet ku ai ka qenë i angazhuar janë serialet “Stupcat”, “Rrushe”, “Bini”, filmat “Chears”, “Rooftop Story”, si dhe filmi i metrazhit të gjatë “Okarina”.
Si e ndan Sameri ditën mes dy profesioneve
Bota e tij ndërmjet dy profesioneve i shërben si aspekt plotësues i njëra-tjetres. Madje ato ndikojnë edhe si inspirim për njëra tjetrën.
“Unë këtë miksim te profesioneve kam arritur ta korrigjoj në mënyrë shumë specifike pasi që e ndajë gjithmonë në dy lloje te lodhjeve dhe dy lloje të pushimeve. Si për shembull në puna në studio shkakton lodhje mendore dhe natyrisht se duhet diçka e kundërt që është floktaria, ku lodhjen psiqike e pushoj me relaksim gjate prerjes së flokëve, por edhe krijoj aktivitet fizik. Lodhjen fizike në studio më pas e pushoj në studio duke krijuar muzikë. Dy punët më plotësojnë në mënyrë shumë efikase”, ka thënë ai.
Mesazhi i Samerit për të gjithë lexuesit është që të kuptohet dallimi mes dijes dhe të pasuri:
Investoni ne dijeni dhe jo në të pasurit. Asnjë kitare nuk tingëllon më mirë se ajo së cilës i bie me zemër.