Kompania koreane tashmë ka paguar një total prej 4.8 milionë euro që nga viti 2021 për punonjësit që janë bërë prindër dhe kjo ka ardhur si një përpjekje për të shtuar numrin e lindjeve.
Një kompani koreane ndërtimi po i paguan punëtorët e saj me një shumë rreth 70,000 euro sa herë që lindin një fëmijë, me shpresën se kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të nivelit të ulët të lindjeve në vend.
Kompania tashmë ka paguar një shumë totale prej 4.8 milionë eurosh për punonjësit që kanë lindur fëmijë që nga viti 2021, duke përfshirë dy familje me dy fëmijë që morën 138,000 euro secila.
"Nëse gjendja aktuale e niveleve të ulëta të lindjeve vazhdon, ne do të përballemi me një krizë ekzistenciale kombëtare siç është rënia e fuqisë punëtore dhe mungesa e fuqisë punëtore mbrojtëse të nevojshme për sigurinë kombëtare," tha Joong-keun Lee, themeluesi i Booyoung Group, në një takim të stafit.
Koreja e Jugut ka shkallën më të ulët të lindshmërisë në botë me rreth 0.7 lindje për grua sipas Institutit të Popullsisë së Gadishullit Korean për të Ardhmen.
Ekspertët thonë se arsyet përfshijnë ndryshimin e pikëpamjeve për familjen, një shoqëri shumë konkurruese, koston e lartë të rritjes së fëmijëve dhe përfshirjen e ulët të burrave në kujdesin ndaj fëmijëve.
"Njerëzit kanë dy instinkte të ndryshme - njëra është të ruajnë speciet e tyre dhe tjetra është të mbijetojnë. Për momentin, mbijetesa është shumë sfiduese sa nuk mund të përballojmë të kujdesemi për ruajtjen”, ka thënë Insill Yi, Presidente e Institutit të Popullsisë së Gadishullit Korean për të Ardhmen dhe Ish-komisioneri korean i statistikave, tha për Euroneës Next.
Ekspertët parashikojnë se gjithnjë e më shumë kompani do të nisin iniciativa të tilla.
"Një nga gjërat më të rëndësishme për një kompani është puna, apo jo? Ata mund të kenë vështirësi në rekrutimin e punonjësve, por një aspekt tjetër është se konsumatorët po zhduken," tha Yi. Ka shtuar se derisa popullsia zvogëlohet, kompanitë po përjetojnë një ndjenjë krize.
“Mendoj se ky është pothuajse fillimi i kompanive që fillojnë të mendojnë, 'Çfarë duhet të bëjmë?' Besoj se më shumë kompani do t'i bashkohen kësaj përpjekjeje në të ardhmen", ka thënë tutje Yi.
"Menduam për një fëmijë të dytë që nuk e kishim planifikuar"
Një nga përftiuesit e skemës së re të Booyoung thotë se paratë i dhanë asaj qetësi.
“Nëse foshnja jonë dëshiron të bëjë diçka në të ardhmen, ne mund ta mbështesim pa u shqetësuar për të”, tha Semi Hong, Menaxher i Burimeve Njerëzore në Booyoung Group, për Euroneës Next.
Ajo është optimiste se si stimujt do të motivojnë kolegët e saj në kompani.
"Edhe unë kam menduar për një fëmijë të dytë që nuk e kishim planifikuar, pasi kjo është një politikë nxitëse jokonvencionale. Kështu që mendoj se shumë punonjës po rishikojnë planifikimin familjar," tha Hong.
"Ndoshta ata që do të kishin vetëm një fëmijë do të kenë dy në vend të kësaj tani", ka shtuar tutje.
Ofrimi i një shume të madhe sa Booyoung është i paprecedentë, por raportet sugjerojnë se disa kompani koreano-jugore kanë prezantuar së fundmi skema të reja për të inkurajuar lindjen e fëmijëve dhe për të siguruar mirëqenien e punonjësve.
Ata besojnë se bashkëpunimi i shtetit është thelbësor për të dhënë më shumë mbështetje për punonjësit e tyre.
Në njoftimin e nxitjes së re, Booyoung premtoi se punonjësit që lindin fëmijën e tyre të tretë do të jenë në gjendje të zgjedhin midis parave të gatshme për tre fëmijë ose banesave të përhershme me qira, me kusht që shteti t'u japë atyre tokën për të ndërtuar.
Gjigandi i ndërtimit dhe pronave sugjeroi gjithashtu që shteti të zbatojë një sistem të ri të zbritjes së taksave për të hequr tatimin mbi korporatat dhe mbi të ardhurat, në mënyrë që punonjësit të mund të marrin përfitimet e plota nga stimujt e prindërimit dhe më shumë kompani të mund të ndjekin shembullin.
Bonusi i njëhershëm nuk mund të zgjidhë çdo problem
Ekspertët thonë se kultura e punës dhe ndarja e drejtë e prindërimit midis grave dhe burrave janë gjithashtu vendimtare.
Aktualisht, në Korenë e Jugut, gratë janë kryesisht përgjegjëse për rritjen e fëmijëve, dhe raporti i burrave që ndihmojnë në kujdesin e fëmijëve është një nga më të ulëtit në botë. Instituti i Popullsisë së Gadishullit Korean për të Ardhmen po bën fushatë për të promovuar një kulturë pune ku punonjësit mund të kenë fëmijë pa ndjerë presion.
Vendi, i cili dikur punonte orët më të gjata të punës në ditë midis vendeve anëtare të OECD-së, është ngadalësuar dhe të rinjtë janë të prirur të arrijnë ekuilibrin punë-jetë.
Yi është optimist se Koreja e Jugut do të shohë një ndryshim në trendet e popullsisë.
"Unë supozoj se njerëzit në Evropë me pak njohuri për Korenë mund të mendojnë 'Si mund të ketë një vend si ky?' Por si ekonomiste, mund të them se Koreja ka qenë gjithmonë e tillë. Ky vend ka arritur shumë gjëra në një periudhë të shkurtër", tha ajo.
Me një shembull të tillë përkrahje dhe mbështetjen e qeverisë, ajo beson që shumë shpejt do të ketë ndryshime.
"Kështu që besoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe për problemet e popullsisë. Aktualisht po bëjmë përpjekje të ndryshme nga të gjitha sferat dhe qeveria po bën përpjekje gjithashtu. Në të ardhmen, besoj dhe shpresoj që shumë kompani si Booyoung do të bëjnë përpjekje dhe se ne do të bëjmë një shoqëri të mirë”, ka shtuar tutje. /AkademiPune