Facebook akuzohet për diskriminim gjinor në postime të punës

13 Qershor '23

Facebook akuzohet për diskriminim gjinor në postime të punës
	 	 

Grupe të të drejtave të njeriut në Evropë e kanë akuzuar kompaninë META  se po diskriminon gratë në algoritmin që përdorë për të synuar përdoruesit me reklamat e punës së kompanive.

Akuzat bazohen në hulumtimin e kryer nga organizata jofitimprurëse ndërkombëtare Global Witness që tregon se platforma e reklamave të Facebook shpesh synon përdoruesit me postime pune të bazuara në stereotipe historike gjinore. Sipas të dhënave të kësaj organizate të marra nga platforma Ad Manager i Facebook-ut reklamat e punës për pozitat e mekanikëve, për shembull, u shfaqeshin në masë të madhe përdoruesve meshkuj, ndërsa reklamat për mësuesit parashkollorë u shfaqeshin kryesisht përdoruesve femra.

Hulumtimi i ndarë ekskluzivisht me CNN nga Global Witness sugjeron se ky paragjykim algoritmik është një çështje globale sipas grupit të të drejtave të njeriut.

“Shqetësimi ynë është se Facebook po përkeqëson paragjykimet me të cilat jetojmë në shoqëri dhe në fakt po dëmton mundësitë për përparim dhe barazi në vendin e punës”, ka thënë për CNN Naomi Hirst, e cila drejton strategjinë e fushatës së Global Witness për kërcënimet dixhitale ndaj demokracisë.

Global Witness, së bashku me me Bureau Clara Wichmann dhe Fondation des Femmes, të hënën depozituan ankesat në lidhje me Meta (FB) tek agjencitë e të drejtave të njeriut dhe autoritetet e mbrojtjes së të dhënave në Francë dhe Holandë, bazuar në kërkimet e tyre në të dy vendet. Grupet po u bëjnë thirrje agjencive të hetojnë nëse praktikat e Metës shkelin ligjet e të drejtave të njeriut ose të mbrojtjes së të dhënave të vendeve. Nëse ndonjë prej agjencive i gjen të vërtetuara akuzat, Meta mund të përballet përfundimisht me gjoba, sanksione ose presion për të bërë ndryshime të mëtejshme në produktin e saj.

Global Witness ka parashtruar edhe më parë ankesa në Komisionin e Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zyrën e Komisionerit të Informacionit për shqetësime të ngjashme diskriminimi, por që ato kanë mbetur nën hetime. Në atë kohë, Global Witness tha se një zëdhënës i Metës (i cili quhej ende Facebook në atë kohë) i tha grupit se "sistemi i tij merr parasysh lloje të ndryshme informacioni për t'u shfaqur njerëzve reklama për të cilat ata do të jenë më të interesuar".

Zëdhënësja e Meta-s, Ashley Settle kohë më parë ishte shprehur se nuk i lejojmë reklamuesit të synojnë këto reklama bazuar në aspekte gjinore. Ajo kishte thënë se vazhdojmë të punojmë me palët e interesuara dhe ekspertë në të gjithë botën, grupet e të drejtave të njeriut dhe disiplina të tjera mbi mënyrat më të mira për të studiuar dhe adresuar drejtësinë algoritmike.

Meta nuk ka komentuar konkretisht për ankesat e reja të depozituara në Europë. Kompania gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjes se në cilat vende ajo tani kufizon opsionet e synimit për reklamat e punësimit.

Me më shumë se 2 miliardë përdorues aktivë çdo ditë në mbarë botën, Facebook mund të jetë një burim kyç për të ndihmuar përdoruesit të gjejnë vende pune./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC