Në mesin e rregulloreve ligjore që rregullojnë punësimin e të huajve në Kosovë, një përjashtim i veçantë dhe lehtësues vlen për shtetasit shqiptarë. Sipas Agnesa Azemi-Ademit, avokate ligjore në “Vokshi & Lata” dhe pjesëmarrëse në PR Zone të “PowerToHR 3”, marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ka krijuar një procedurë të thjeshtuar për punësimin e shqiptarëve në Kosovë.
“Kjo i ndihmon shumë dhe ata që duan prej Shqipërisë të punojnë në Kosovë,” tha ajo gjatë intervistës, duke theksuar se leja e qëndrimit për shtetasit shqiptarë është e vlefshme deri në 5 vjet.
Një tjetër lehtësi është fakti që për këtë kategori nuk është e nevojshme të paraqesin dokumentacion për vendqëndrim në Kosovë – mjafton të kenë një adresë banimi të regjistruar në Shqipëri. Kjo i jep mundësi bizneseve në Kosovë të angazhojnë më lehtë profesionistë nga Shqipëria, sidomos në sektorë ku mungojnë kuadrot, si ndërtimtaria apo gastronomia.
Në një kohë kur tregu i punës është gjithnjë më i ndërlidhur rajonalisht, ky bashkëpunim ligjor mes dy shteteve krijon një urë praktike dhe funksionale që ndihmon si punëkërkuesit ashtu edhe punëdhënësit të kapërcejnë barrierat burokratike./ AkademiPune