Hava Maloku, është shqiptarja e vetme që ka arritur të punësohet në platformën më të madhe “online” të punësimit dhe biznesit në botë, në “LinkedIn”, i cili ka aktualisht të punësuar mbi 21 mijë punëtorë. Ajo ka ardhur në Kosovë nga San Francisco si e ftuar speciale e eventit më të madh të Burimeve Njerëzore në Kosovë, “Power to HR” që është organizuar nga platforma numër #1 e punësimit në vend, KosovaJob.
Hava në “Power to HR” e ka orientuar prezantimin e saj te Brendimit të Punëdhënësit (Emplyer Branding), veçmas në teknikat dhe strategjitë e marketingut që duhen për një brendim të mirë të punëdhënësit. Shumë nga praktikat e suksesshme që ushtron në “LinkedIn” ajo i ka shpalosur më 23 shkurt në Kosovë. Edhe pse ajo ka mbajtur fjalime në shumë vende të botës, Hava ka thënë se të prezantuarit në Kosovë është një ndjesi krejtësisht tjetër.
“Pata më të vërtetë emocione sepse kam mbajtur fjalime edhe jashtë vendit, por në Prishtinë para publikut shqiptar dhe familjes ka qenë një emocion shumë i veçantë. U ndjeva shumë mirë, publiku më priti shumë mirë dhe kam kaluar shumë mirë”, ka thënë ajo në një intervistë për AkademiPune.
Hava Maloku: Gjatë punësimit përfundova dhe doktoratën, kam dashur gjithmonë diçka më shumë
Hava Maloku fëmijërinë e kaloi në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Më pas studimet i ka kryer në tre universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e Biznesit e Marketingut. Fillimisht kishte qenë e angazhuar në disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Më pas është angazhuar për “Expedia”, që është një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë, pastaj në një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe se fundi në “LinkedIn”. Për të arritur deri të punësimi aty Hava Maloku kishte kaluar në dhjetë intervista. Ajo në LinkedIn menaxhon marketingun online përmes emalit dhe web faqeve për LinkedIn Premium.
“Unë kam dalur nga Kosova në moshën 18-vjeçare kur kam fituar një bursë në Universitetin e Iowas. Pas fakultetit kam dashur të vazhdoj tutje me shkollim dhe jam zhvendosur në San Francisco ku kam përfunduar Master për Administratë Biznesi. Kam punuar në teknologji, në përgjithësi me marketing. Së fundmi në LinkedIn. Gjatë periudhës së punësimit kam përfunduar edhe doktoraturën. Kam dashur gjithmonë diçka më shumë”, ka thënë tutje Hava për AkademiPune.
“Këshilla ime është të jeni vetvetja, të jini sa më autentik”
Kur vendosi të bëhet pjesë e stafit të LinkedIn, Hava veçse kishte ndërtuar rrugën e saj të suksesit. Ajo kishte gjithë përvojën dhe përgatitjet për të nisur punën në një kompani të njohur ku njohuritë sfidohen vazhdimisht. Pasi që kaloi me sukses rreth dhjetë intervista, ajo ka një këshillë për të gjithë ata që duan të fillojnë një punë të re dhe për guximin që duhet pasur për t’i ndjekur ëndrrat.
“Kam pasur mjaft bagazh kur kam aplikuar në LinkedIn si në përvojë punë, ashtu dhe në shkollim, por edhe të gjithë të tjerët që kanë aplikuar kanë pasur bagazh. Këshilla ime është të jeni vetvetja, të jini sa më autentike. E kam thënë edhe gjatë prezantimit nëse nuk jeni vetvetja, nuk arrini t’i bindni. Duhet të jesh ai që je sepse në fund të ditës njerëzit dëshirojnë që të jesh ti vetvetja dhe kompania dëshiron ta shoh apo përshtateni me atë kulturë të kompanisë. Unë gjithmonë jam vetvetja si në intervista, ashtu dhe në prezantime dhe kjo ka ndikuar pozitivisht”, ka treguar tutje ajo.
E pyetur se si e sheh Kosovën nga larg sa i përket fushës së cilën ajo e zotëron, Hava ka thënë se e sheh me një qasje pozitive dhe për këtë është bindur edhe më shumë gjatë samitit të burimeve njerëzore “Power to HR” që ka mbledhur profesionistë të dëshmuar, njerëz të rinj dhe ata që e aspirojnë fushën e BNj.
“Që nga viti 2016 janë bërë shumë përparime, më herët nuk ka pasur shumë kompani të marketingut digjital kurse sot ka shumë kompani që bëjnë marketing digjital. Jemi duke shkuar shumë hapa para dhe të rinjtë janë përshtatur shumë mirë me gjuhën angleze, e flasin shumë mirë. Janë bërë hapa shumë të mëdhenj por ka akoma mundësi të përmirësohemi”, ka thënë ajo./ AkademiPune