Ndoshta e ndani një kohë çdo javë t’i takoni veç e veç të gjithë punonjësit një herë në javë. Me gjithë ngarkesën e punës, ju dëshironi që t’u jepni hapësirë të gjithëve të flasin rreth kënaqësive dhe shqetësimeve që ata kanë. Sigurisht, duke u kushtuar kaq shumë kohë dëshironi edhe ta dini nëse vërtetë ato biseda e plotësojnë atë që synoni.
Si ta dini që takimet me secilin nga punonjësit ishin efikase? Akademi Pune i ka rënditur 5 shenja që lidhen me efikasitetin e takimeve me secilin punonjës.
I ndihmoni t’i tejkalojnë sfidat dhe problemet
Kjo është një nga mënyrat që menaxherët e dinë se kanë takime efikase “një me një” me punonjësit. Sepse në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja themelore pse mbahen këto lloj takimesh me punonjës: pra të ndihmohen të rriten në rolet e tyre.
Nuk ka asgjë më të këndshme për shefat sesa kur, i shohin punonjësit që janë liruar nga një barrë e madhe dhe ndihen të lehtësuar. Madje, ndihen aq falënderues sa ju shkëlqejnë sytë.
Mësoni diçka të re rreth tyre
Nganjëherë, një bisedë me shumë kuptim është thjesht kur mësoni diçka të re. Mund të jetë ndonjë hobi që kanë punonjësit e që nuk e ke ditur më parë, qëllimet e karrierës që kanë, ose ndonjë çështje me të cilën po përballen.
Edhe pse jeni menaxherë, ka shumë gjëra që nuk i dini. Dukuria “akullnaja e injorancës” thotë që gjersa punonjësit janë të vetëdijshëm 100% për problemet e kompanisë, menaxherët janë vetëm për 9% të tyre. Prandaj, mësimi i gjërave të reja në takimet tuaja individuale janë shumë të rëndësishme.
Keni ndonjë bisedë të vështirë
Ndoshta duhet të flisni me ndonjërin nga punonjësit rreth paraqitjes së tij/saj në punë. Ndoshta duhet të flisni në lidhje me rregullat dhe politikat e vendin të punës. Pavarësisht se çka, është bisedë e vështirë që shumë menaxherë nuk ia dalin në mënyrën më të mirë. Edhe nëse do t’ju duhet të keni biseda të tilla mos u trembni, madje kjo është një nga shenjat e takimeve efikase që mund të keni me punonjësit ndaras.
Në takim mund ta kuptoni shkakun e sjelljes dhe performancës së ndonjërit nga punonjësit, që jeni duke e përcjellur qe një kohë të gjatë. Mund të jeni hamendur gjatë gjithë kësaj kohe rreth arsyeve të mundshme, ose thjesht e keni konsideruar si pazotësi dhe njeri të pasjellshëm. Epo, mund të ketë diçka tjetër që fshihet pas, në këtë bisedë do ta kuptoni atë.
Merrni reagime
Marrja e “feedback-ut” është një gjë shumë e rëndësishme në takimet me secilin nga punonjësit. Por kjo nuk është diçka e lehtë. Punonjësit mund të mos ndihen rehat mjaftueshëm të tregojnë se çfarë duhet të ndryshohet, kjo do të thotë që duhet të ndërtoni raporte dhe besim.
Menaxherët e mirë ndajnë shumë nga koha e tyre që të ndërtojnë raporte mirëbesimi në mes tij dhe anëtarëve të ekipit. Këta të fundit, janë të suksesshëm kur këto raporte ekzistojnë. Në këtë mënyrë edhe takimi do të jetë i sinqertë dhe pa frikë për t’i dhënë mendimet e tyre në të mirë të kompanisë.
Ata tregojnë çfarëdo që ju vjen në mend
Ta shihni këtë “liri” nga punonjësit do t’ju marrë kohë të gjatë, por një herë kur ta shihni, duhet ta dini që kjo është njëra ndër shenjat më të fuqishme që tregojnë se ia keni dalë mbanë me takimet tuaja. Krijimi i atmosferës ku ata mund të ndihen plotësisht rehat të diskutojnë çfarëdo që ju vjen në mendje, është çelësi i suksesit. /Akademi