Si është të organizosh një samit të suksesshëm në fushën e BNj?

5 Shkurt '24

Si është të organizosh një samit të suksesshëm në fushën e BNj?
	 	 

Shkurti i vitit 2024, do të sjell një edicion edhe më të fuqishëm të Samitit Global të Burimeve Njerëzore “PowerToHR”. Me organizimin e edicionit të parë, platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob arriti të mbledhë 350+ profesionistë të BNj në një vend. Me folës të zgjedhur e perspektiva globale e vendore rreth temave më të rëndësishme të kësaj fushe, “PowerToHR” ka vendosur themelet e një eventi të suksesshëm që do të forcohet duke u bërë tradicional.

Si lindi ideja për “PowerToHR”?

Arion Rizaj – themelues dhe udhëheqës i KosovaJob ka treguar se ideja për një samit të tillë ka lindur që nga viti i dytë i platformës kryesore të punësimit në vend. Atëherë filloi si një ide për ta bërë një arenë takimi për të diskutuar temat e fushës së punësimit dhe të Burimeve Njerëzore, por që më pas kjo temë u zhvillua në një samit që mblodhi emra që kontribuuan në mënyrë konstruktive dhe produktive në temat  zgjedhura.

“Nuk mendoj që ka pasur mundësi të realizohej para 8 vjetëve. Viteve të fundit HR ka nisur të theksohet jashtëzakonisht shumë në treg te ne.  Pyetja është se pse ka nisur të theksohet? Përgjigja është se sa më e vështirë që po bëhet për të rekrutuar, sa më e vështirë që po bëhet për t’i mbajtur njerëzit në vendin e punës”, ka treguar Arioni.

Arioni: Vlera kryesore e kompanisë janë njerëzit

Sipas tij, viteve më herët kompanitë nuk e kanë vlerësuar edhe shumë rëndësinë e punonjësve brenda kompanisë, mirëpo që vetëdija kohëve të fundit po shkon duke u rritur dhe madje punonjësit po bëhën vlera më e rëndësishme e një kompanie.

“Kompanitë kanë filluar të mendojnë se çfarë duhet ne të bëjmë që t’i mbajmë këta njerëz dhe mbi të gjitha para shumë vjetësh njerëzit i kanë parë më pak si vlerë e kompanisë kurse në ditët e sotme vlera kryesore e një kompanie janë njerëzit. Nuk janë as aparatura, as asgjë që nuk funksionon pa njerëz. Ka qenë momenti i duhur i lidhur me një organizim shumë të mirë që e ka sjellur këtë rezultat”, është shprehur ai.

Një diskutim konstruktiv dhe mundësi për tu rrjetëzuar

Derisa, edicioni i dytë është shumë pranë dhe “PowerToHR 2” po vjen më 22 shkurt në Klan Arena me folës të përzgjedhur dhe me mbi 250 bileta të shitura, Arioni tregon se sa e rëndësishme është të krijohet një event që i adreson të gjitha sfidat e HR-it në nivel lokal dhe ndërkombëtar.

“Ne të gjithë e dimë që t’i mbledhësh njerëzit në një vend është goxha sfiduese, por t’i mbledhësh rreth 350 njerëz po mendoj që është një hap i madh përpara. Problemi më i madh ka qenë se njerëzit e HR gjithmonë kishin ankesa për probleme të ndryshme si probleme me staf, probleme për të gjetur njerëz dhe erdh një pikë e caktuar kur tham se si mund t’i adresojmë të gjitha këto çështje krejt bashkë dhe kështu lindi ideja për një HR samit”, ka treguar Arioni në një intervistë për AkademiPune.

“PowerToHR” vitin e kaluar gjatë gjithë ditës u bë një arenë interaktive me shumë të qeshura dhe thënia “Krejt HR-at në një vend” mori më shumë kuptim. Ishte mundësi ideale për të takuar për herë të parë kolegët nga fusha e HR-it, por edhe për tu përditësuar me më të rejat e kolegëve që tashmë njiheshin.

“Kemi pasur një diskutim konstruktiv, kemi ndarë eksperienca me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha kemi mundur të mësojmë nga njerëz që janë kompetentë të industrisë dhe të krijojmë rrjetëzim me njëri-tjetrin dhe të gjithë e dimë që rrjetëzimi është shumë më rëndësi sepse është diçka që të shpërblen në karrierë”, ka thënë Arioni në një intervistë menjëherë pas edicionit të parë të “PowerToHR 1”

Si të finalizohet një samit i suksesshëm?

Ai na ka treguar dhe formulën e cila e bën një samit të suksesshëm qoftë të fushës së BNj apo çfarëdo fushe tjetër. Samiti i parë u vlerësua i suksesshëm bazuar në reagimet e pjesëmarrësve. 

“Mendoj që një samit të suksesshëm e bën planifikimi me kohë, distrubuimi i detyra që ta di secili rolin e tij se çfarë duhet të bëj dhe të mos ndalen te ajo se si do ta bëjmë samitin, por çfarë do të nxjerrim nga samiti. Edhe në jetë vlen e njëjta, nëse e di se ku dëshiron të shkosh, fillon dhe e bën punën nga prapa dhe e di ku dëshiron të arrish”, ka theksuar ai.

KosovaJob – Mbi një dekadë  urë lidhëse në punësim

KosovaJob, platforma kryesore në vend sa i përket punësimit u themelua në vitin 2012. Me hapa të sigurt dhe me ritëm të shpejt ajo vazhdon të sjell inovacion në këtë fushë dhe të jetë adresa kryesore e punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

“Asnjë kompani nuk ka arritur ta mbajë atë urë pa pasur njerëz që e restaurojnë dhe e ndërtojnë atë. Unë mendoj që aseti ynë kryesor janë njerëzit që punojnë për KosovaJob, njerëzit që e japin komplet energjinë e tyre, njerëzit që idetë dhe kreativitetin e tyre e shpalosin për një qëllim kryesor dhe qëllimi kryesor i KosovaJob është punësimi i njerëzve. Unë mendoj që kur mbledhen një grup i njerëzve që kanë vizion dhe besojnë në atë ide atëherë është një grup i njerëzve që kanë fuqi të pandalshme. Kjo mendoj që është fuqia jonë kryesore”, ka thënë Arioni.

Kanë mbetur edhe pak ditë për të rezervuar biletën tuaj për edicionin e dytë të samitit të BNj që po bëhet epiqendër e HR-it për gjithë rajonin. / AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2024 - KosovaJob LLC