Tolinda Gojani-Asani, stilistja që ruan traditën nëpërmjet veshjes

27 Nëntor '23

Tolinda Gojani-Asani, stilistja që ruan traditën nëpërmjet veshjes
	 	 

Si e vogël këmbët e saj ndërvepronin me mjetet e punës e duart përherë i kishte të angazhuara me qepje të vogla. Stërgjyshërit i merreshin me rrobaqepësi dhe prej tyre përveç zanatit, Tolinda Gojani-Asani e trashëgoi edhe atdhedashurinë. Studimet e saj për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e bëjnë që puna dhe zanati i saj të jenë të lidhura në gjenezë. Sot, si profesoreshë e kësaj lënde dhe stiliste, ajo dijen dhe dashurinë për kulturën e përcjell në secilën formë. Gjithçka që ndodhet në dyqanin e saj në Dardani është e gjitha e qëndisur me dorë, me fije ari, pa e zëvendësuar asnjë formë të punës me metodat e reja të ofruara nga makinat. Ajo për AkademiPune tregon gjithë veçantinë e punës së saj.

AkademiPune:  Si lindi dashuria juaj për veshje tradicionale, a ishte ky një zanat i trashëguar?

Tolinda Gojani-Asani: Unë vi nga një familje e cila krahas tentimit për zhvillim intelektual, gjithmonë ka pasur me vehte edhe zejen, si vegël të domosdoshme të jetës. Dy stërgjyshërit e mi kanë ushtruar profesionin e rrobaqepësit kurse unë u rrita në mesin e grave të familjes të cilat ushtronin zejen e punës së dorës. Kur them gratë përfshij gjyshet, hallat, tezet, e edhe nënën e vjehrrën. Pra, këmbët e mija gjithmonë kanë shkelur mbi mjetet e punës së tyre, duart e mia gjithmonë kanë qenë të zëna me qepjet e vogla të cilat ndonjëherë m’i besonin, për të qenë më e saktë - të cilat filloi të m’i besonte gjyshja ime, Sabrije Gojani. Ajo ka qenë plot jetë e vullnet, gjë të cilën e përçonte edhe tek ne, duke qenë edhe përkrahsja ime më e madhe që asnjëherë të mos e lë prapa zanatin, të cilin ajo e konsideronte që e kisha dhunti e dhuratë. Pra nga kultura e familjes, e qytetit nga i cili kam prejardhjen dhe nga mënyra se si më rritën e u rrita, lindi dashuria ime për veshjet tradicionale.

AkademiPune: Çfarë mësove nga të parët tuaj për këtë zanat dhe për veshjen shqiptare në përgjithësi?

Tolinda Gojani- Asani: Stërgjyshërit e mi, me zanat apo profesion rrobaqepës, diku rreth viteve 1912/1913 morën rrugën për Amerikë, ku edhe e ushtruan profesionin e tyre. Ata nuk u kthyen kurrë më dhe për ta nuk kemi informacione të qarta. Do të thotë se në fillim, në familje, ishin meshkujt ata të cilët zhvilluan punën e tyre si terzi duke pasur parasysh se gratë përkujdeseshin për mirëqenien e familjes e të shtëpisë. Por me kalimin e kohës, duke u përballur edhe me largimin e meshkujve nga shtëpia për të dhënë kontribut në çështjet kombëtare, qëndisjen e qepjen me dorë filluan ta bënin gratë, duke arritur që të zhvillonin edhe anën financiare të familjes. Gjatë punës, gratë komunikonin me njëra tjetrën përmes simboleve të cilat i punonin në veshje për të arritur një produkt final të cilin ua kishte porositur klienti në atë kohë. Kështu mësova punimin e jelekut tradicional të qytetit, e më pas edhe të dallamës apo xhamadanit dhe aksesorëve të tyre, mitonit e këmishave të pëlhurës së punuar në vek. Gratë, krahas simboleve, gjithmonë mundoheshin ta përconin edhe “marifetin” apo mënyrën me të cilën punohej një veshje tradicionale e formësuar në tërësi dhe kësisoji filloi edhe interesimi im, që në moshën 6-vjeçare, për të analizuar artin me të cilin punoheshin veshjet e të gjitha viseve shqiptare. E pos kësaj, më e rëndësishmja, interesimi për t’i zbërthyer kuptimet e simboleve të cilat ato veshje i mbajnë në to.

AkademiPune:  Ju keni studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe dhe sot ligjëroni për këtë lëndë. Si janë të lidhura këto dy profesione te ju?

Tolinda Gojani- Asani: Gjuha e letërsia janë të lidhura më së ngushti me kulturën, historinë, artin e traditën e zhvillimit të një kombi e shteti. Pra studimi, puna dhe zanati im janë të lidhura në gjenezë. Përmes studimit të Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Prishtinë, unë ndërtova idenë e përkatësisë tonë si popull në grupin e popujve indo-europian dhe përmes leximeve mbi ta, m’u krijua kurreshtja për zhvillimin e këtyre kulturave dhe mundësisë së ngjashmërive apo diferencave me popujt tjerë, qofshin ato gjuhësore apo kulturore. Në të njejtën formë, gjatë mësimit që e mbaj dhe gjatë diskutimit me nxënësit e mi, mundohem që dijen e tyre mbi atë se çfarë kemi qenë e jemi ta çoj përtej kufinjëve në të cilat ndodhemi. Bashkë me ta studiojmë epokat letrare, zhvillimin e gjuhësisë si shkencë dhe studimin teorik e aplikojmë më pas në praktikë, në veshjet të cilat nxënësit i punojnë vet mbi bazën e njohurive të krijuara në mësim. E jo vetëm përmes veshjeve, por përmes të gjithave formave shprehëse të artit të cilat ata i preferojnë. Në fund të fundit, qëndisja me dorë është art, dhe si e tillë, ka qenë gjithmonë mënyra me të cilën unë jam përfaqësuar.

AkademiPune:  Na tregoni pak më shumë se çfarë e karakterizon punën e juaj të dorës. Sa kostume keni punuar gjithsej dhe çfarë mendoni se e veçon më së miri veshjen shqiptare, pra një element që ju i kushtoni shumë rëndësi?

Tolinda Gojani-Asani: Se sa kostume kam punuar në numër, besoj që nuk mund ta them me saktësi sepse nuk e di as vet (qesh). Janë të shumëta, pasur parasysh që ka dekada që merrem me zanat dhe të shumët kanë qenë edhe të interesuarit për të veshur krijimet e mia. Veshjet të cilat i punoj i karakterizon besnikëria ndaj zanatit, pra ato janë në tërësi të qëndisura me dorë, me fije ari, pa e zëvendësuar asnjë formë të punës me metodat e reja të ofruara nga makinat e veçantia e punimit tim por edhe e veshjes shqiptare qëndron në dizajnin të cilin e realizoj duke u bazuar në kostumet muzeale e arkaike shqiptare të lashta. Ky dizajn ka në përmbajtje ruajtjen e vjetërsisë së veshjeve, duke aplikuar mbi të prerjen e formën e kostumeve të traditës së lashtë e me shumë kujdes edhe vendosjen e simbolikave të lashta duke tentuar gjithmonë në zbërthimin e kuptimit të tyre.

 

AkademiPune:  Veshjen e cilës anë e keni më për zemër dhe e punoni me më pasion?

Tolinda Gojani- Asani: Përzemër i kam të gjitha, të gjitha i përkasin një visi apo treve të vendit tonë, të kombit tonë, e të gjitha me shekuj me rradhë kanë përfaqësuar e përfaqësojnë një fis/familje e krahinë të caktuar. Meqenëse vi nga qyeti i Gjakovës, qytet në Rrafshin e Dukagjinit e i rrethuar me Malësinë e Gjakovës, veshjet e zonës sonë kanë pasur gjithmonë vend të veçantë te unë, si jeleku tradicional e dallama, veshja e Dukagjinit, e natyrisht xhubleta. Zeja ime përkon me qëndisjen me fije ari kështu që punimi i dallamës apo xhamadanit është edhe baza e punës sime mirëpo të gjitha kostumet tjera tona janë pjesë e koleksionit të familjes të cilin e kemi ndërtuar për vite me radhë.

AkademiPune:  Ju keni një dyqan të pasur me veshje në lagjen Dardania, në Prishtinë. Kur vendoset ta hapni atë dhe si ka qenë rrugëtimi juaj në të?

Tolinda Gojani- Asani: Unë gjithmonë kam qëndisur në shtëpi. Angazhimi me profesion si mësimdhënëse dhe punët e përditshmërisë nuk kanë ndikuar që zanatin ta lë anash për shkak që gjithmonë ka qenë pasioni që ka motivuar edhe punët tjera. Ndonëse kam punuar që nga vegjëlia, biznesin arrita ta themeloj tek në vitin 2018, ku me përkrahjen e familjes, pra fillimisht të bashkëshortit e më pas edhe të prindërve, hapa dyqanin apo atelenë ashtu siç e kishim imagjinuar bashkë. Puna filloi rrjedhshëm pasur parasysh që njerëzit veçse kishin vetëdije për krijimtarinë time dhe natyrisht, mbështetja morale e shoqërisë, klientëve e madje edhe e personave që vijnë për herë të parë në dyqanin tim vazhdon të jetë e jashtëzakonshme.

AkademiPune:   Veshjet tuaja janë prezantuar edhe në evente të ndryshme. A mund t’i veçoni disa prej tyre?

Tolinda Gojani- Asani: Eventet ku veshjet e mia janë prezentuar janë të shumta, kjo falë edhe personazheve publike apo të përzgjedhur të cilët kanë pasur vullnetin që krahas punës së tyre artistike, intelektuale e çfarëdo qoftë të bartin me vete edhe një copëz të identitetit të tyre përmes veshjeve. Për të mos përmendur emra veç e veç, do të veçoja ekspozitat e realizuara deri më tani, në muzetë dhe hapësirat ekspozuese të ndryshme në shtetin tonë e edhe jashtë tij, ku prezentova veshjet e mia dhe të koleksionit të vjetër.

AkademiPune:  Sa ka interesim për veshjet tradicionale. A po transformohen ato në përpjekje për tu gërshetuar me modernen apo akoma jemi në rrugën e duhur. Çfarë mendoni për këtë?

Tolinda Gojani- Asani: Interesimi për to është i kënaqshëm, pasur parasysh kohët në të cilat po jetojmë dhe zhvillimin e teknologjisë e metodave të reja të punës. E kënaqshme nuk është qasja ndaj tyre apo dituria e përgjithshme në raport me atë se çfarë përfaqësojnë ato. Pra, një grua apo një burrë që do ta ketë një veshje tradicionale në ditën e martesës sepse ashtu është tradita e kremtës sonë (gjë e cila është e kënaqshme) por nuk është mësuar të njohë vlerën e veshjeve të punuara me dorë e aq më pak të dijë për barrën të cilën ato e bartin me historinë e simbolikave të qëndisura brenda tyre (gjë e cila është e pakënaqshme). Pra, është një ndjenjë e cila qëndron pezull në mes, por të cilën me shumë vullnet duhet ta zhvillojmë tutje pa lënë prapa diturinë mbi të.

AkademiPune: A po bëhet mjaftueshëm për ruajtjen e veshjeve shqiptare?

Tolinda Gojani- Asani: Meqenëse zejet si kjo e imja janë drejt zhdukjes atëherë mund të përgjigjemi thjeshtë që jo, nuk bëhet mjaftueshëm. Këtu ka çalim të edukimit mbi to, sepse me të drejtë, fokusi i gjeneratave qëndron në të rejën e jo të vjetrën. Kjo çon në diskrepancë ideologjike në mes të „rejës“ dhe të „vjetrës“, ku e vjetra – duke qenë gjithmonë jashtë piedestaleve të modernes së imagjinuar në moment – mbetet e pavlerësuar mjaftueshëm dhe rrjedhimisht, nën hije. Pra nuk e kemi parasysh se çka ne konsiderojmë të re në moment, venitet, kurse çka konsiderohet e vjetër nëpër shekuj, do t’i mbijetojë edhe kohës sonë. Por, shpresoj që shumë shpejt, përmes edukimit mbi to, do të jemi në rrugën e duhur.

AkademiPune: Ju duke qenë se jeni edhe mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe, cilat janë disa aktivitetet që bëni për t’i njohur më shumë nxënësit me kulturën shqiptare dhe me veshjet?

Tolinda Gojani-Asani:28 Nëntori për mua është natyrisht festë e veçantë e me shumë aktivitete por unë mundohem që vetëdijen atdhetare e kulturore ta përçoj te nxënësit çdo ditë. Klubi i Kulturës, të cilin e kam themeluar në gjimnazin ku punoj, gjimnazi “Xhevdet Doda”, realizon aktivitete të ndryshme gjatë tërë vitit, por për 28 Nëntor, jemi përkujdesur që çdo vit, bashkë me nxënësit, t’ua mundësojmë fëmijëve të shkollave fillore të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Muzeun Etnologjik “Emingjiku”, që ata të jenë sa më afër rëndësisë së ruajtjes të fakteve historike e kulturore. Më pas, bashkë me nxënësit e Klubit të Kulturës përkujdesemi që t’i veshim fëmijët me veshjet tradicionale për t’ua lënë një kujtim të vlefshëm të fëmijërisë, me shpresën që ai kujtim dikur të transferohet në motiv për të kontribuuar në vendin e tyre.

AkademiPune: Cili është mesazhi juaj për 28 nëntor për të gjithë lexuesit?

Tolinda Gojani-Asani: Festën e identitetit kombëtar, të përkthyer me punë në raport me kulturën duhet ta kemi të pranishme çdo ditë, pa marrë parasysh profesionin të cilin zgjedhim ta ushtrojmë në jetë. Pra mesazhi im është: Urime 28 Nëntorin, çdo ditë!

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC