Esma Fera, studentja që po zhvillon potencialin shkencor në Amerikë

9 Nëntor '23

Esma Fera, studentja që po zhvillon potencialin shkencor në Amerikë
	 	 

Thjeshtësinë e jetës dhe lidhjen me natyrën dhe njerëzit, Esma Fera e mësoi në fshatin Karaçëvë të Kamenicës. Në fund të shkollimit fillor, ajo filloi të fokusohet në botën e teorisë shkencore. Gjatë shkollimit të mesëm u fokusua në fushën e biologjisë – ku në çdo mundësi ajo eksploronte më shumë për të. Eksperimentet e para i zhvilloi në shtëpi. Kosova ia kufizonte mundësitë e zhvillimit, andaj misioni i saj e orientoi kah SHBA-ja. Atje u pranua në New Haven, ku sot është e angazhuar edhe si asistente në këtë universitet. Studimi i shkencës në nivel molekular dhe qelizor është misioni i saj i jetës dhe do ta eksplorojë botën e shkencës përtej librave.

AkademiPune: A na tregoni më shumë për veten. Ju vini nga qyteti i Kamenicës, si ka qenë fëmijëria jote në këtë vend?

Esma Fera: Unë vij nga fshati Karaçevë, në komunën e Kamenicës, një vend ku komuniteti ishte si një familje, ku njerëzit kujdeseshin për njëri-tjetrin dhe ku pavarësisht mundësive të limituara, kishim shumë lumturi si fëmijë.  Fëmijëria ime në këtë fshat më ka dhënë kujtime të mrekullueshme, ku kemi ndarë gëzimin e lojërave nën diellin e ngrohtë të verës, dhe mirëkuptimin e vështirësive që kishim në një mënyrë të bashkëpunimit dhe solidaritetit. Në një mjedis rrethuar me male të mëdha dhe natyrë të pasur, unë kam zhvilluar një dashuri të veçantë për natyrën dhe bukurinë e saj të pazakontë. Ditët e mia fillonin me ecje në pyllin e gjelbër, lexim në liqenin e vogël që ndodhej në malin e afërt për të parë panoramën e mrekullueshme.  Kur fillova të rritesha, unë kam pasur mundësinë të mbjellë bimët, dhe të shijoj frytet e punës sime, një përvojë që më ka frymëzuar të bëhem më e ndërgjegjshme për mjedisin dhe natyrën. Për shkak të kufizimeve të një zone rurale, mundësitë ishin të kufizuara, por kjo më ka ndihmuar të vlerësoj më shumë momentet e thjeshta të jetës në natyrë. Këto vlera dhe kujtime të fëmijërisë sime janë një pjesë thelbësore e rrugëtimit tim drejt një karriere shkencore në Shtetet e Bashkuara. Dhe ndonjëherë, edhe pse jam larg, ndjehem sikur jam ende aty, në fshatin Karaçëve, ku njëherë mësova se jeta më e bukur dhe më e pasur është ajo që e ndajmë me natyrën dhe njëri-tjetrin.

AkademiPune: Cila ishte lënda juaj e preferuar dhe ku fokusoheshe më shumë si nxënëse e shkollës fillore dhe përgjatë shkollimit të mesëm?

Esma Fera: Në shkollën fillore, nuk isha ende e vendosur në një fushë të caktuar të shkencës, pasi sistemi shkollor nuk ofronte shumë mundësi për eksplorimin e thellë të këtyre fushave. Megjithatë, gjatë klasave të 8-të dhe 9-të, fillova të zhytem më thellë në botën e teorisë shkencore, veçanërisht në fushën e kimisë dhe biologjisë. Kjo ka ndodhur në një kohë kur po përgatitesha për rrugëtimin në shkollën e mesme. Njëherësh me fillimin e shkollës së mesme, e kam zbuluar se biologjia është lënda ime e preferuar. Interesimi im natyral ndaj shkencës u fokusua posaçërisht te biologjia, veçanërisht në studimin e sëmundjeve dhe gjenetikës, të cilat kishin një mister që më fasiononte menjëherë.

 Megjithëse edhe pse nuk mund të bënim eksperimente praktike në atë kohë, pasioni im për biologjinë nuk më ndalonte të eksploroja literaturën, zbulimet e fundit shkencore në fushë dhe të shihja video të eksperimenteve në YouTube. Momenti që me bëri të kuptoja se biologjia ishte rruga ime ishte kur profesori im i biologjisë e pa pasionin tim dhe më ofroi disa pajisje laboratori dhe më inkurajoi të zhvilloja një eksperiment në shtëpi.  Kur shkrova protokollin e eksperimentit për herë të parë dhe e realizova atë, ndjeva një emocion të papërshkrueshëm. Ky moment më bëri të kuptoj se, edhe pse nuk isha në një vend të zhvilluar, pasioni për këtë shkencën do të vazhdonte të zhvillohej. Përgjatë studimeve universitare në SHBA, dashuria ime për shkencën u thellua më shumë dhe jam e vetëdijshme që studimi i shkencës në nivel molekular dhe qelizor është misioni im i jetës, i cili ka potencialin të krijojë një ndikim të madh në botë.

AkademiPune: Si ishte rruga jote deri të Universiteti New Haven? Që nga ideja për tu bërë pjesë e tij, deri te ditët e para atje, cila është përvoja jote?

Esma Fera: Rruga ime drejt Universitetit të New Haven është një udhëtim që ka qenë shumë i gjatë, me sfida dhe sakrifica të mëdha, të cilat janë ndarë mes meje dhe familjes sime. Kjo ka qenë një rrugë që ka kërkuar vendimmarrje të vështira dhe shpërblime të mëdha.

Nisur që nga shkolla e mesme që ndoqa në qytetin e Gjilanit, duke udhëtuar çdo ditë për të mësuar. Atje isha e angazhuar në shumë projekte të organizatave të ndryshme dhe mbaja një pozitë udhëheqës si kryetare e këshillit të nxënësve. Megjithëse shkolla jonë kishte një orientim të fortë drejt mjekësisë, ne nuk kishim laboratore ku mund t’i testonim teoritë shkencore. Gjatë kësaj kohe, përfshihesha në shumë takime me përfaqësues të shtetit, duke treguar vizionin tim për hapësira të reja shkollore, megjithatë këto propozime përmendeshin shpesh si "e ardhmja e afërt". Kuptoja që Kosova ishte ende në fazën e zhvillimit dhe ndërtimit, por në të njëjtën kohë më beri te mendoj se është e pamundur për mua për të arritur ëndrrat e mia. Përgatitja për testimet standardizuese më detyronte të udhëtoja nga fshati im deri në Prishtinë, duke zgjedhur programet në biologji molekulare në universitetet që ofronin më shumë mbështetje për studentët ndërkombëtarë.

Kur mora letra pranimi nga disa universitete, zgjodha të vazhdoja rrugëtimin tim drejt Universitetit të New Haven për arsye të mundësive më të larta për të punuar me institucionet shkencore dhe për të zhvilluar potencialin tim. Fillimisht, kalimi në semestrin e parë ishte një provë e vërtetë. Mësoja shumë, kisha momente të dyshimit, dhe ndjeja veten sikur isha e ardhur nga një planet tjetër, larg realitetit të njohur. Mendoja se ata ishin shumë përpara nesh dhe kisha frikë se nuk do të kisha sukses në këtë udhëtim të ri. Me gjithë këto dyshime, unë nuk u dorëzova.

Në retrospektivë, shikoj se sfidat dhe përballje e kaluara kanë qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit tim personal dhe profesional. Këto sfidat më kanë ndihmuar të ndryshoj, të mësoj, dhe të rritem si individ. Sot, ndjehem më gatshme se kurrë për të ndjekur ëndrrat e mia dhe për të krijuar ndikim pozitiv në botë përmes njohurive dhe pasionit për shkencën.

AkademiPune: Ku është më shumë i fokusuar fusha jote e hulumtimit?

Esma Fera: Fusha ime e hulumtimit është e përqendruar kryesisht në biologjinë molekulare dhe qelizore, një fushë shkencore e gjerë, megjithëse e specializuar. Ky fokus është i përqendruar në studimin e strukturave kimike dhe proceseve biologjike që përfshijnë njësitet themelore të jetës, molekulat. Në veçanti, biologjia molekulare merret me acidet nukleike (si ADN dhe ARN) dhe proteinat, të cilat janë makromolekulat thelbësore për proceset e jetës, dhe si këto molekula ndërveprojnë në qeliza.

AkademiPune: Ju jeni angazhuar edhe si asistente në Universitetin New Haven. Si është përvoja para studentëve.

Esma Fera: Angazhimi im si asistente në Biologji Molekulare është një përvojë e mrekullueshme dhe shumë e pasur në aspektin akademik. Kjo përvojë është bërë një sfidë e frytshme dhe një burim frymëzimi për mua.

Kjo rrugë është e veçantë dhe kërkon një përkushtim të vërtetë. Por, unë ndihem më së e kënaqur kur shikoj studentët e mi të apasionuar dhe të gatshëm të eksplorojnë thellësisht temat që studiojmë. Ata vijnë me pyetje të ndryshme, dhe për mua është një ndjenjë e mrekullueshme të ndihmoj ata të zbulojnë thellësinë e njohurive të tyre. Gjithashtu, unë mundohem të krijoj aktivitete inovative në klasë që inkurajojnë mendimin kritik dhe frymëzimin e studentëve për të shfletuar botën e shkencës përtej librave.

Kjo përvojë është një udhëtim i ri për mua, ku edhe unë mësoj gjëra të reja çdo ditë. Jam mjaft e mirënjohëse që kam mundësinë të kontribuoj në furnizimin me dije dhe të shpërfaq frymën e bukurisë së shkencës për ta.

AkademiPune: Çfarë keni mësuar nga sistemi i arsimit atje që do të doje të ishte edhe në Kosovë?

Esma Fera: Kam mësuar se sistemi i arsimit duhet të karakterizohet nga një marrëdhënie mbështetëse dhe motivuese mes profesorëve dhe studentëve në çdo aspekt. Më kujtohen ditët e para në universitet, ku profesorët e mi më ndihmuan dhe më inkurajuan për të vazhduar më tutje; pa ndihmën e tyre, nuk do të isha këtu sot. Ky aspekt thelbësor tregon se edhe profesorët në Kosovë kanë një rol të madh se si ata mund të ndikojnë në ëndrrat dhe zhvillimin e profesionit të studentëve.

Gjithashtu, kam mësuar se sistemi i testimi dhe evaluimit të dijes duhet të zhvillohet në mënyra të ndryshme. Angazhimi fillon që në ditën e parë të semestrit dhe vazhdon deri në fund. Përfshinë detyra, projekte të ndryshme, teste, analiza të publikimeve shkencore në bazë të nivelit të klasës së marrë. Ky proces na ndihmon të jemi të përkushtuar dhe të jemi në krye të studimeve që nga fillimi i semestrit. Edhe pse resurset në Kosovë janë të kufizuara, motivimi dhe inspirimi vijnë nga pasioni, dhe kjo është diçka që profesorët mund të shpërndajnë te studentët.

Studentët duhet të jenë të hapur ndaj fushave të tyre të studimit dhe gjithmonë duhet të kenë gatishmërinë të eksplorojnë gjëra të reja. Prandaj, duhet të ofrohet më shumë mundësi për studentët të eksplorojnë fusha të ndryshme dhe më pas të zgjedhin atë që i inspiron më shumë.

Një aspekt tjetër që duhet të përmirësohet është përdorimi i librave të shkollës. Edhe pse tani kemi qasje në publikime të ndryshme, është e rëndësishme që këto burime të përdoren edhe në klasë. Shumica e librave shkollorë thjesht paraqesin informacionin që dihen dhe nuk ngjallin kuriozitetin e nxënësve për ato që nuk dinë dhe mundësitë që ata kanë për të eksploruar më tej. Është e rëndësishme të jemi të përgatitur dhe të informuar mbi zhvillimet shkencore të reja që po ndodhin në botë.

Në natyrën e kushteve të vështira, besoj se Kosova nuk është aq keq, por duhet të punohet më shumë nga të dyja palët për të përmirësuar situatën.

AkademiPune: Ju po ashtu keni qenë e angazhuar si hulumtuese edhe Astra Zeneca. Na tregoni më shumë për metodat me të cilat punoni aty?

Esma Fera: Unë kam pasur mundësinë e praktikës së kërkimeve shkencore në kompaninë Astra Zeneca në departamentin e diagnostikës gjatë verës së vitit 2023. Kjo ishte një mundësi që kisha shumë dëshirë ta eksploroja, për të kuptuar se si shkenca funksionon në industrinë farmaceutike përtej ambientit akademik. Në këtë periudhë, unë kam punuar në një projekt me qëllim të gjetjes së një metode më efikase për diagnozën e pacientëve me një sëmundje të rrallë të quajtur "aHUS". Sindroma Hemolitiko-Uremike Atipike (aHUS) është një sëmundje e rrallë dhe e rëndë gjenetike që prek enët e gjakut dhe veshkat. Planifikimi dhe realizimi i këtij projekti ishte një sfidë e madhe dhe shumë strategjike. Për mua, një nga detyrat kryesore ishte përzgjedhja e kombinimeve më të mira të antitrupave, një metodë e ndërlikuar që ofron një këndvështrim të thellë në sistemin tonë imunitar.

Puna në laborator më dha mundësinë të lidhesha me shkencëtarë të fushave të ndryshme dhe të ndiqja zhvillimet e shkencës mjekësore nga afër. Pas sfidave të shumta, projekti im u krye me sukses, duke kontribuar thellë ne diagnositkë që parashihe të kalojë edhe në faza tjera. Kjo përvojë më ka ndihmuar të kuptoj se si shkenca dhe industria farmaceutike mund të bashkohen për të përmirësuar diagnostikën dhe kujdesin e pacientëve në nivel global.

AkdemiPune: Cili është bashkëpunimi juaj me hulumtuesit e shkencëtarët e huaj. Çfarë keni mësuar nga përvoja e tyre?

Esma Fera: Synimi dhe potenciali i kërkimeve tona, në bashkëpunim me udhëheqjen e profesorit tim në Yale School of Medicine -Cancer Center janë thelbësore për avancimin e shkencës dhe luftën kundër kancerit. Studimi i mekanizmit të riparimit të molekulës së ADN-së dhe efekteve të mutacioneve në të është një hulumtim shumë i rëndësishëm përfshirë kancerin e vezoreve dhe të gjirit. Përpjekja për të kuptuar mekanizmat specifike të aktivitetit të gjeneve të caktuar që janë të përfshirë në këtë proces është një hap shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të metodave më të mira për diagnozën dhe trajtimin e kancerit në fazat e hershme. Kjo do të ndihmojë në identifikimin e kancerit më herët dhe në ofrimin e trajtimit më efikas për pacientët. Kërkimet tona mendoj se janë thelbësore për shëndetin publik dhe për luftën kundër kancerit. Ato mund të sjellin njohuri të reja dhe mënyra inovative për të kuptuar dhe trajtuar këtë sëmundje të rëndë.  Përgjegjësia jonë ndaj kësaj sfide shëndetësore është thelbësore dhe na bën të ndihemi përgjegjës për ndihmën që mundemi  të ofrojmë në luftën kundër kancerit si shkencëtar.

Nga bashkëpunimi me shkencëtarë të huaj, kam mësuar rëndësinë e aplikimit të dijes në mënyrë strategjike dhe me vizion. Ata më kanë dhënë këndvështrime të reja dhe kanë theksuar se shkenca është një fushë e sfiduese, e shkencëtarët janë pasionantë pas saj. Përvojat e tyre kanë ilustruar se ata janë të përfshirë në një rrugëtim të përbashkët drejt zhvillimit të dijes dhe trajtimit të sëmundjeve të rënda si kanceri. Gjithashtu, kam mësuar se shkenca nuk është një proces i thjeshtë dhe linear; shpesh herë mund të ketë momente të papritura dhe rezultate që nuk janë të drejtpërdrejta. Kjo më ka nxitur të jem i përkushtuar ndaj shkencës dhe të ruaj pasionin për ndryshimin e botës sime dhe të asaj që jam përreth, nëpërmjet dijes dhe kërkimeve shkencore.

AkademiPune: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen. Si mendoni që mund të kontribuoni në Kosovë në të ardhmen?

Esma Fera: Prioriteti im kryesor është të marr më shumë përvojë pas përfundimit të studimeve të bachelor-it dhe më pas të vazhdojë studimet e doktoratës në këtë fushë. Synimi im është të ndërtojë një bazë solide me dije dhe praktikë që do të më lejojë të kontribuoj në zhvillimin shkencor në të ardhmen.

Pas shpërnguljes time në Amerikë, pashë rëndësinë e zhvillimit të praktikave dhe zhvillimeve shkencore. U ndjeva të lumtur që kisha mundësinë të isha pjesë e kërkimeve të tilla, por gjithmonë kujtoja moshatarët e mi në Kosovë që kanë pasion të njëjtë si unë për shkencën, por nuk kanë mundësi të përdorin potencialin e tyre. Ideja e një instituti shkencor është ëndrra ime që do të jetë në shërbim të studentëve, por edhe të qytetarëve tanë në shëndetësi publike, pasi studentët do të kenë mundësinë të bëjnë kërkime shkencore për sëmundjet që kanë pacientët tanë. Përmes kësaj ëndrre, synoj të kontribuoj në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe avancimin e dijes shkencore në Kosovë, një vend ku kam lidhje të forta dhe ku dua të jap një kontribut pozitiv./AkademiPune

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC