Çfarë e bën një rekruter të mirë? – tregon Zana Havolli-Veseli

24 Tetor '23

Çfarë e bën një rekruter të mirë? – tregon Zana Havolli-Veseli
	 	 

Një rekruter i mirë mund të shndërrohet në personin më të rëndësishëm për kompaninë. Ai është personi kryesor që ndërmjetëson në rritjen e kompanisë dhe në vendosjen e vlerave për ta mbajtur një kulturë të mirë pune. Zana Havolli-Veseli me përvojë të gjatë në këtë fushë na tregon shumë nga eksperiencat e saj.

Aftësitë e mira ndërpersonale konsiderohen si faktor kryesor për ata që duan të fillojnë punën në fushën e burimeve njerëzore. Zana Havolli-Veseli, menaxhere në kompaninë e rekrutimit  “HumanPower” dhe me përvojë të gjatë në këtë fushë thekson se çelësi kryesor për të qenë një rekruter i suksesshëm është t’i duash njerëzit dhe të jesh i hapur pastaj vijnë tiparet e tjera për të avancuar në këtë profesion.

“Shkathtësitë që duhet t’i ketë një rekruter si i  ri në këtë fushë është se duhet t’i duan së pari njerëzit. Të duash të punosh me njerëzit, kjo është veçoria kryesore. Nëse e keni problem të punoni me njerëzit atëherë rekrutimi nuk është për ty. Një rekruter i cili duhet të marr pjesë në intervista të punës, nëse e bëjmë dallimin mes introvert dhe ekstrovert duhet të jetë ekstrovert. Rekruteri është aty për t’i bindur kandidatët që të bëhen pjesë e punës për të cilën kanë aplikuar”, ka thënë ajo.

Zana Havolli-Veseli ka përvojë rreth 6-vjeçare në fushën e rekrutimit. Në rrugëtimin e saj, Zana ka intervistuar mbi 10,000 kandidatë dhe ka ndërmjetësuar në punësimin e 3000 të tjerëve. Ajo ka rekrutuar kandidatë për kompanitë më të mëdha në botë. Nga përvoja e saj më rekrutimin n  dhe shkathtësitë në përzgjedhje, shumë kompani kanë fituar profesionistë të suksesshëm.

Si organizohen Ditët e Dyerve të Hapura dhe cila është rëndësia e tyre në punësim?

Një ndër strategjitë e rekrutimit në të cilën Zana është e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme është pikërisht organizimi i Ditëve të Dyerve të Hapura, i cili nga ekipi i  HumanPower bëhet në qytete të ndryshme të Kosovës dhe të rajonit. Zana ka treguar se si organizohet puna gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të rekrutimi të jetë sa më i suksesshëm dhe kualitativ.

“Ditët e Dyerve të Hapura janë eventët më të përfolura që i bëjmë tash e gjashtë vjet bashkë me Teleperformancën dhe ku kërkohet vërtetë shumë angazhim dhe lodhje, por kur e din impaktin dhe suksesin që ato sjellin, normalisht njeriu e tejkalon gjithë lodhjen”, është shprehur Zana.

Dita e Dyerve të Hapura organizohen si një takim i punëkërkuesit me rekrutuesit. Në këto ditë kandidatët kanë mundësinë të paraqiten te objekti ku organizohen ato dhe të aplikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt. Ekipi i rekrutimit gjatë gjithë ditës i pret kandidatët dhe i teston ata. Në Ditët e Dyerve të hapura, kandidatët intervistohen aty për aty dhe nëse tregohen të suksesshëm e pranojnë menjëherë ofertën dhe kontratën e punës. Kjo ngjarje organizohet nga HumanPower në kuadër të punësimit të punonjësve të Teleperformancës me qëllim që të lehtësojë mundësitë e punësimit për të gjithë gjermano-folësit në Kosovë. Zana ka treguar çdo hap të rekrutimit nëpërmjet këtij eventi.

“Organizimi i Ditëve të Dyerve të Hapura fillon me publikimin e kampanjës ku i publikojmë datat dhe ftohen kandidatët të cilët intervistohen dhe i kryejnë të gjitha procedurat e testimit të rekrutimit dhe pastaj po atë ditë e kanë mundësinë të punësohen. Po atë ditë nëse kandidati është i përshtatshëm për një projekt ku ka aplikuar, e ka mundësinë po atë ditë ta marr kontratën e punës, pra që t’i ikë vonesave të përgjigjes. Qoftë përgjigja pozitive apo negative”, ka thënë tutje Zana.

Zana ka qenë e përfshirë edhe në rekrutimin e kandidatëve në vendet e rajonit. E pyetur nëse mund ta bëj një krahasim nëpërmjet vendeve ku ka rekrutuar, ajo ka thënë se nëse krahasohen me Kroacinë dallimi është akoma i dukshëm dhe kandidatët nga Kosova duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi përgatitjes paraprake për intervistë.

“Nëse mund ta bëjmë dallimin me Kroaci, mund të them se kandidatët që vijnë janë shumë shumë të përgatitur. Pa dashur t’i lemë anash kandidatët e Kosovës, por tek ne akoma nuk kanë arritur në atë fazën që ta marrin më seriozisht një intervistë pune që të lexojnë paraprakisht, të përgatiten për atë intervistë”, ka thënë Zana. Ajo ka qenë një nga anëtaret e panelit të “PowertoHR” - eventit më të madh global të burimeve njerëzore të organizuar në Kosovë, i cili ka mbledhur mbi 350 pjesëmarrës./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC