Studimet i filloi siç thotë vetë në kohën e thyerjeve të mëdha. Në fund të 80-ve, Sadete Ahmeti nga Gjilani zgjodhi ta studiojë matematikën. Punoi veç tetë vjet si mësimdhënëse e kësaj lënde. Punoi në atë që në vitet e ’90-a njihej si arsim paralel që zhvillohej në kushte tejet të vështira. Përveç tu jepte dije, Sadete Ahmeti synonte të linte gjurmë në personalitetin e nxënësve. Kontributi i saj shkon edhe përtej në kohë lufte. Kur u kthye në Kosovë pas saj s’kishte gjë tjetër pos familjes. Në bankat e shkollës nuk u kthy më, por filloi një rrugëtim të ri. Ajo udhëheqë biznesin “Dorliri Sh.P.K”. Për AkademiPune, ajo ka rrëfyer gjithë historinë e punës së saj të përditshme në Gjilan dhe më gjerë.
AkademiPune: Ju keni studiuar për matematikë, si e përshkruani kohën e studimeve dhe çfarë iu shtyri ta zgjidhni pikërisht këtë fushë?
Sadete Ahemti: Kam studiuar nga viti 1988 deri ne 1991 kur kam përfunduar studimet. Koha kur kam studiuar ka qenë kohë e demonstratave dhe thyerjeve të mëdha. Ishte undi i komunizmit në Jugosllavinë komuniste, fillimi i demokracisë së hershme, pluralizimi politik, kërkesa haptas për Kosovën si Republikë të veçantë, shkëputja definitive nga Serbia. Dashuria për lëndën e matematikës ka filluar qysh në fëmijëri dhe vetëm sa është forcuar në shkollë te mesme. Kishte një drejtim të tillë në Gjilan gjë që e bëri të mundur që të vazhdojë me këtë drejtim edhe me tutje pas shkollës së mesme.
AkademiPune: Në cilën shkollë keni filluar punën pas studimeve dhe si i kujtoni vitet ku punuat si mësimdhënëse?
Sadete Ahmeti: Punën si mësimdhënëse e kemi filluar bashkë me të shoqin në shkollën fillore “Fetah Qerimi” në Vërbicë të Zhegocit. Kemi punuar prej vitit 1992 deri në bombardimet e NATO-s në marsin e vitit 1999. Shkollat në atë kohë shkëputën nga sistemi i arsimit të krahinës së Kosovës, në sistemin e arsimit të Republikës së Kosovës. Kushtet në ato shkolla nuk ishin shumë të mira; kishte shumë pak libra të mësimit, nxënësit pak të përgatitur me tekste dhe fletore, pagat për neve si mësimdhënës ishin shumë te vogla.
AkademiPune: Si ishit ju si mësimdhënëse, me cilat teknika punoje me nxënësit?
Sadete Ahmeti: Si mësimdhënëse mendoj që isha e dashur nga fëmijët, e respektuar nga kolegët si dhe nga prindërit e nxënësve. Në atë kohë e punoja planprogramin vet ku aty përfshiheshin metoda të ndryshme të mësuarit: biseda me nxënësit, teste të ndryshme, kemi krijuar orare për aktivitete të ndryshme dhe kam kaluar kohë me nxënësit thjesht për t’i kuptuar ata si personalitete. Metodat poashtu i kam ndryshuar në mënyrë që me t’i përshtatem secilës metodë që nxënësit e kanë përdorur për të zënë dije.
AkademiPune: Ditët e largimit nga puna në vitet e ’90, si ishin për ju?
Sadete Ahmeti: Në vitin 1997 bashkëshorti lë arsimin për të ju bashkangjitur UÇK -së. Unë vazhdova punën në shkollë më tepër për të mbuluar punët dhe detyrat e mia të luftës. Në 1998, shtëpia jonë bëhet bazë kryesore e UÇK -së në Zhegoc. Përpos kujdesit për ushqim e pastërti për ushtarët gjatë asaj kohe, kisha edhe detyra special të përcjelljes së informative nga baza e shtëpisë sonë në shkollat e kësaj ane tek arsimtarët tjerë që ishin poashtu të kyçur në ushtrinë e atëhershme. Gjatë luftës të gjitha shtëpitë në Zhegoc digjen plotësisht, e tërë mundi që të gjithë e kishin bërë në shkolla zhduket plotësisht.
AkademiPune: Pas luftës së fundmit në Kosovë nuk u kthyet në shkollë, por filluat krejtësisht diçka të re? Nga erdhi kjo iniciativë?
Sadete Ahmeti: Pas luftës kthehemi në Gjilan pa asgjë tjetër pos familjes tonë. Me ndihmën e familjarëve jashtë vendit, bashkëshorti hapi një biznes me familjarët e tij në Kosovë. Gjatë kësaj kohe vendosa ta lë shkollën të kujdesem për 4 fëmijët tanë.
Pas një kohe, burri me familjarët vendosin ta ndajnë biznesin e atëherë është kur unë jam kyçur në biznes për herë të parë. Në fillim ishte e vështirë pasi nuk e kisha bërë kurrë një punë të tillë. Mirëpo gjithmonë kam qenë person që ka i ka dashur sfidat. Disa vite më vonë vazhdojmë të ndërrojmë drejtimin e biznesit duke u marrë me prodhim, e aty është kur mund të them që e kam marrë titullin e plotë si drejtoreshë.AkademiPune: Ju drejtoni kompaninë “Dorliri Sh.P.K”. A e keni menduar më parë jetën si një drejtoreshë e një biznesi, a ishte kjo një aspiratë e jetuar apo një rol që e fitove më natyrshëm?
Sadete Ahmeti: Jo, asnjëherë nuk e kam menduar veten duke e bërë këtë punë, e aq më pak drejtoreshë e një biznesi. Ky rol më ka ardhur një herë për shkak që na është dashur të bëjmë diçka që të mbijetojmë pas luftës, e me kalimin e kohës e kemi parë që kjo punë ka përfitim më të madh se puna në shkollë. Përfitim por edhe mund e sakrificë të madhe, gjëra të cilat ja kanë vlejtur që tu sigurojmë katër fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë sa e kemi pasur ne.
AkademiPune: Na tregoni më shumë për detyrat që kryeni gjatë ditës në biznesin tuaj. Si fillon dhe mbaron një ditë e punës për ju?
Sadete Ahmeti: Punën e filloj para punëtorëve bashkë me të shoqin. Si fillim kryqen makineritë që të jenë gati kur punëtorët që vijnë. I shikoj porositë që i kemi për atë dite dhe pastaj e rregulloj agjendën e ditës, se çka më duhet të punoj prej fillimit te ditës e deri në fund. Kujdesem që të gjitha porositë të kryhen sa më shpejt me sa më pak gabime.
Kohën tjetër e shfrytëzoj duke projektuar modele të ndryshme të produkteve që ne i shesim si dollapë të banjove, kuzhina, dollapë të ndryshëm për dhoma të fjetjes, paradhoma, etj.
AkademiPune: Jeni nënë e katër fëmijëve dhe biznesin e menaxhoni së bashku me bashkëshortin. Cilat ishin sfidat në këtë drejtim?Sadete Ahmeti: T’i rrisësh katër fëmijë nuk është e lehtë aspak, sidomos kur e ke udhëheqjen e një biznesi të tillë. Një zgjidhje që e kemi menduar në fillim që mos me t’i anashkalojmë as fëmijët e as biznesin, ka qenë që ta kemi lokalin dhe shtëpinë në një vend. Kemi banuar në një kat, e lokali në katin tjetër. Në këtë mënyrë edhe fëmijët na kanë pa duke punuar dhe e kanë shprehur interesimin për punë. I kemi angazhuar me diçka që ka qenë e përshtatshme për moshën e tyre. Tash të gjithë fëmijët janë të moshës madhore, dhe dy prej tyre janë të përfshirë në biznes.
AkademiPune: Çfarë mendoni që ju ka bërë udhëheqëse të suksesshme?
Sadete Ahmeti: Përkushtimi për punë, vendosmëria, dija që e kam fituar gjatë gjithë këtyre viteve për produkte por edhe mirësjellja me punëtorët. Me mbështetjen e bashkëshortit e familjes, ja kemi dalë së bashku.
AkademiPune: Si iu ka ndihmuar “matematika” në punën që sot e bëni çdo ditë?
Sadete Ahmeti: Studimi për matematikë nuk më ka shkuar dëm.
Në këtë biznes duhen të bëhen shumë matje e llogaritje të ndryshme për çdo ditë. Matematikën e kam shfrytëzuar definitivisht.AkademiPune: Cili është mesazhi juaj për të gjithë që kanë ëndrra të tilla?
Sadete Ahmeti: Të gjithë që kanë ëndrra reale për ndonjë punë ose projekt, të jesh konsistent është çelësi. Disa ditë janë më të lehta, e disa tjera më të vështira, sidomos fillimi. Mirëpo me punë të vazhdueshme, me shumë vullnet, mos me heq dorë në momentin e parë kur nuk na shkon çdo gjë sipas planit, të gjitha këto ndihmojnë që një ditë të vijmë në pikën kur gjithçka është me e lehtë. Ndihmë plus është edhe nëse ke mbështetje prej familjes e shoqërisë./ AkademiPune