Shumëgjuhësia në karrierë: Sa pozitivisht ndikon?

12 Feb, 2020

Shumëgjuhësia në karrierë: Sa pozitivisht ndikon?
	 	 

Tregu i punës sot është shumë konkurrues, ndaj njerëzit që mund të flasin më shumë se një gjuhë janë shumë të kërkuar nga punëdhënësit. Mësimi i një gjuhe të huaj ju rritë profesionalisht dhe hapë shumë dyer në karrierë. Sa më shumë gjuhë të huaja që njihni, aq më të mëdha do të jenë gjasat për t’u përfshirë më shpejt në treg të punës.

Një studim i ri, i realizuar nga Universiteti i Uashingtonit zbuloi se bazuar në aktivitetin e trurit, njerëzit që jetojnë në komunitete ku fliten gjuhë të shumta, mund të identifikojnë fjalët në një gjuhë tjetër më mirë sesa ata që jetojnë në një mjedis njëgjuhësh.

Ndërkaq, një tjetër studim i botuar kohë më parë në revistën Brain and Language (Truri dhe Gjuha), skanimet e trurit treguan se njerëzit që flisnin vetëm një gjuhë duhej të punonin më shumë për t'u përqëndruar në një fjalë të vetme.Ndërkohë, njerëzit dygjuhësh mund të kenë tru më efikas në përpunimin e gjuhës dhe detyrave të tjera.

Në një intervistë për AkademiPune, Lavdrim Avdyli, themelues i AEC (Academy Education Center), foli rreth ndikimit që ka në punësim njohja e gjuhëve të huaja. Ai tha se njerëzit që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, kanë shumë më shumë përparësi në karrierë.

Lavdrim Avdyli

Njerëzit që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, kanë më shumë mundësi se të tjerët dhe nuk bllokohen në asnjë moment. Normalisht edhe opsionet për punë janë më shumë. CV-ja zhvillohet në mënyrën më të përshtatshme dhe punëdhënësit kanë më shumë opsione të shohin gjëra tek ti, që ndoshta të tjerët nuk i kanë”

Njohuritë në shumë gjuhë të huaja, Lavdrimi thotë se mund t’iu sigurojnë më shumë vende pune dhe atë në disa fusha. Këta individë mund të ushtrojnë edhe profesione të ndryshme. “Sa më shumë gjuhë të huaja që dini, aq më shumë mundësi për të pasur disa vende të punës do të keni, duke filluar prej administratës, përkthimit, gazetarisë, politikës dhe normalisht edhe mësimdhënies.”

Cila është mënyra më e lehtë për ta mësuar një gjuhë të huaj?

Një gjuhë e huaj mund të mësohet në shumë mënyra. Shumë njerëz mësojnë vetëm nëpërmjet televizorit, librave, muzikës, etj. Sipas Lavdrim Avdylit, mënyra më e mirë për të mësuar dhe përvetësuar një gjuhë të huaj është komunikimi. Si profesor i gjuhës angleze, ai thotë se kur mësohet një gjuhë e huaj, duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë edhe shqiptimit.

“E para që unë do të propozoja në rast se dëshironi ta mësoni një gjuhë të huaj, është largimi nga librat. Librat, janë diçka shumë e mirë për t’u lexuar kur kemi më shumë kohë sepse leximi i librave na ndihmon në zhvillimin e vetes por jo gjithmonë një gjuhë mësohet prej një libri. Çelësi kryesor për ta mësuar një gjuhë të huaj, është komunikimi sepse nëpërmjet komunikimit zhvillohet edhe gramatika, fjalori, shkrimi dhe leximi. Mirëpo, efekti nuk është arritur vetëm nëse mësohet gramatika apo shkrimi. Në rast se nuk mund të tingëllojmë në gjuhën angleze si amerikanë, britanezë, kanadezë por automatikisht dallohemi nëse vijmë nga një pjesë e Ballkanit, kjo nuk mund të konsiderohet sukses, pra nëse edhe shqiptimit nuk i kushtohet rëndësi” 

Si tjetër mundësi për ta mësuar më shpejtë dhe lehtë një gjuhë të huaj, Lavdrimi nënvizon anagazhimin përmes televizorit. Gjithsesi, ai thotë se edhe programet në televizione duhet të përzgjedhen për nivelin e gjuhës që zotëroni.

Një mundësi tjetër është anagazhimi përmes televizorit. Shikimi i filmave, serialeve ose dëgjimi i këngëve është gjë pozitive mirëpo duhet përzgjedhur programin e duhur për nivelin e gjuhës që keni. Kjo do të thotë, që nëse tentoni ta zhvilloni një gjuhë duke dëgjuar muzikë por dëgjoni një këngë shumë të shpejt dhe që nuk e kuptoni, atëherë krejt çka kuptoni është një ritëm i mirë muzike por asgjë më shumë. Prandaj, është gjithmonë më mirë në rast se zgjedhni një këngëtar ose këngë që pak a shumë e kuptoni, qoftë edhe nëse e kuptoni 10% sepse atë 10 përqindësh ju e zhvilloni dhe tjetrën herë bëhet 20, 30 e kështu me radhë. E njejta gjë vlen edhe për filmat, serialet por mundësisht duke u larguar nga gjuha shqipe apo gjuha amtare cilado qoftë ajo. Nëse jeni duke e shikuar një film në gjuhën angleze është mirë që edhe titrat të jenë në po atë gjuhë. Pra kur zhvilloni një gjuhë, mundohuni ta zhvilloni komplet

 “Eksploroni derisa ta gjeni punën e përshtatshme”

Lavdrim Avdyli, u përfshi në tregun e punës qysh në moshën 16 vjeçare. Gjatë intervistës me AkademiPune, ai tha se karrierën e tij fillimisht e nisi si mësimdhënës i gjuhës angleze, me një grup shumë të vogël nxënësish, duke eksploruar edhe fusha të tjera në të njejtën kohë. Bazuar në përvojat e tij, ai këshillon të rinjtë që presin të hyjnë në treg të punës, që të punojnë punë të ndryshme derisa të gjejnë se cila është ajo karrierë që ju përshtatet më së shumti.

pune e pershtatshme

Unë kam arritur të mësoj shumë gjuhë të huaja për arsye se i kam zhvilluar disa punë në karrierën time. Unë nisa të punoj në moshën 16 vjeçare për herë të parë, si mësimdhënës i gjuhës angleze, pastaj kalova edhe në fusha të tjera. Kam punuar edhe si gazetar, si përkthyes, në administratë e burime njerëzore. Prandaj, këshilla më e mirë që unë mund të jap për të rinjtë sot, është të mos ndalën në asnjë përvojë pune që iu ofrohet, sepse kur i provojnë të gjitha mundësitë që ofrohen atëherë e kuptojnë se në cilën punë mund ta gjejnë veten më mirë”, përfundoi ai. 

Academic Education Center (Qendra e Edukimit Akademik) është shkollë private, e cila ofron kurse të gjuhëve të huaja, trajnime në mësimdhënie, lidership, etj. /AkademiPune

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Një koleg po dëgjon muzikë me zë të lartë në kompjuterin e tij. Si reagoni ju?
    A
    Filloni të këndoni bashkë me të
    B
    Merrni ndëgjuset tuaja dhe e injoroni situatën
    C
    Lëshoni edhe ju muzikë në kompjuterin tuaj
    D
    Me mirësjellje i kërkoni të dëgjojë këngën me ndëgjuset e tij
  • Jeni në një drekë biznesi me kolegët dhe shefin tuaj. Kur vjen koha për të porositur, çka bëni ju?
    A
    Kërkoni vetëm një pije të ftohtë
    B
    Shikoni çka kanë porositur të tjerët dhe merrni diçka ngjashëm
    C
    Nuk iu intereson, porosisni çka të dëshironi
    D
    Porosisni si zakonisht
  • Cila nga të mëposhtmet e karakterizon një e-mail të mirë?
    A
    Shkrimi me shkronja të mëdha
    B
    Përcjellja e fotografive qesharake
    C
    Shkrimi konciz
    D
    Përfshirja e njerëzve të panevojshëm në email
  • Sonte, ështe festa vjetore e zyrës suaj, e cila mbahet në një ambient të hapur. Ju duhet të:
    A
    Praktikoni qëndrimin tuaj
    B
    Të mos flisni asgjë përpos biznesit
    C
    T'i shmangeni thashethemeve të punës. Ta shijoni festën!
    D
    Të mos shkoni fare
  • Shkoni tek frigoriferi dhe shihni se një koleg e ka provuar ushqimin tuaj. Si reagoni?
    A
    E shkruani emrin tuaj në ushqim për herën tjetër
    B
    Vëni një aparat për të kapur personin që ka provuar ushqimin tuaj
    C
    I pyesni të gjithë nëse e dinë kush e ka provuar ushqimin
    D
    Nuk hani atë ditë
  • Kolegu juaj ka një diskutim në telefon i cili mund të dëgjohet nga të gjithë. Çka bëni ju?
    A
    Mundoheni ta injoroni bisedën në maksimum
    B
    Ndërhyni me këshillën tuaj
    C
    Merrni shënime për çka po flitet
    D
    Ankoheni për dekoncentrim
  • Në zyrë keni një printer. Derisa e përdorni, thyhet. Çka bëni ju?
    A
    Largoheni qetësisht
    B
    E shqelmoni
    C
    E raportoni problemin dhe e shkruani një letër që printeri nuk punon
    D
    Tregoheni indiferent ndaj situatës
  • Nuk po pajtoheni në një pikë me shefin tuaj gjatë një mbledhjeje. Ju:
    A
    E thoni kundërshtimin tuaj para të gjithëve
    B
    Me mirësjellje nuk pajtoheni dhe sugjeroni një alternativë tjetër
    C
    Kërkoni të takoheni personalisht me shefin
    D
    Ankoheni tek bashkëpunëtorët tuaj pas shpinës së shefit tuaj
  • Ku duhet të presin familjarët ose shokët të cilët iu vizitojnë në punë?
    A
    Në pjesën e pritjeve, dhomën e pauzave apo në kafiteri
    B
    Në zyrën e ndonjë kolegu i cili është jashtë për momentin
    C
    Në terrasë
    D
    Jashtë objektit të punës
  • Kënga juaj e preferuar është në radio. Ju:
    A
    Vallëzoni rreth zyrës me muzikë me zë të lartë
    B
    E dëgjoni këngën me zë të lartë
    C
    Dëgjoni këngën me zë të ulët pa i penguar tjerët
    D
    Nuk reagoni dhe vazhdoni punën
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
10 punë për njerëzit që i duan makinat
Auto-industria është një industri e gjerë, prandaj edhe mundësitë e punës që ofrohen në këtë drejtim nuk janë të pakta. Nëse jeni adhurues i automjeteve, drejtimit ose ndërtimit të tyre si dhe e keni pasion punën që lidhet me makina, këtë pasion mund ta ktheni në një karrierë të frytshme. Ekzistojnë shumë punë që mund t’i bëni në industrinë e automjeteve. Ne ju sjellim disa sugjerime rreth karrierës që mund të mund të ndiqni. Vozitës Për ata që vozitjen e kanë pasion, tregu i punës ofron shumë mundësi. Një vozitës mund të punojë në industri të ndryshme - për të transportuar njerëz, mallra apo produkte nga një vend në vendin tjetër. Ka shumë mundësi për karrierë si vozitës, ndër to: shofer kamioni, autobusi, taksi, e deri tek shoferët e tjerë personal. Mekanik Nëse jeni prej atyre që e kuptojnë mënyrën se si punojnë makinat, si mund të rregullohen dhe në përgjithësi jeni një person që i kontribuon zgjidhjes së problemeve, shkollimi për mekanik mund të jetë një zgjedhje e duhur. Duke qenë automekanik, do ta kaloni gjithë ditën rreth makinave dhe pjesëve të ndryshme që i përbëjnë ato. Restaurues Ka shumë prej njerëzve që nuk duan të shesin apo largojnë makinat e tyre të përparshme, ndonëse mund të kenë ndryshuar ngjyrë apo të jenë dëmtuar. Restauruesit janë personat që kujdesën ta rregullojnë këtë problem. Ata ua kthejnë makinave të vjetra shkëlqimin e mëparshëm. Nëse jeni prej atyre njerëzve që preferoni cilësi, jeni detajist si dhe i doni makinat, puna si restaurues mund të jetë e duhura për ju. Pastrues i automjeteve Makinat kanë nevojë të mirëmbahen. Pastruesit e automjeteve përdorin produkte specifike për pastrimin e makinave, për të hequr papastëritë brenda dhe jashtë tyre. Shumica e pastruesve kanë një mori klientësh të besuar, që kujdesen për automjetët e tyre. Agjent i makinave me qira Në këtë punë, ju do të ofroni shpjegime për njerëzit që duan të marrin një makinë me qira për një kohë të shkurtër. Zakonisht, një agjent makinash me qira merret me telefonatat, mbledhjen e pagesave dhe dokumenteve të nevojshme, zgjidhjen e ankesave dhe në fund kontrollimin e makinës.  Inxhinier automjetesh Inxhinierët e makinave janë pozita të punës të paguara mirë kudo në botë. Nëse jeni një person që keni aftësi të zgjidhjes së problemeve, keni aftësi analitike si dhe keni njohuri rreth ndërtimit të makinave, karriera si inxhinier i makinave mund të jetë një rrugë e mirë. Menaxher i shitjeve Karriera si menaxher i shitjeve të makinave është shumë e kërkuar në tregun e punës sot anëmbanë botës. Nëse pasioni juaj janë makinat dhe jeni të mirë në komunikim me njerëz, atëhere kjo mund të jetë karriera ideale për ju. Duke u përfshirë në këtë profesion, do të mund të mësoni rreth automjeteve të ndryshme dhe të ndani njohuritë me klientët tuaj, duke ju siguruar atyre edhe modelet që ju nevojiten.  Instruktor i vozitjes A dëshironi t’i inspironi të tjerët apo të krijoni entuziazëm tek ta? A mendoni që jeni të mirë si mentor i dikujt? Karriera e duhur për ju mund të jetë instruktor në vozitje. Puna si instruktor në vozitje nuk është një punë shumë e lehtë. Një instruktor është përgjegjës për t’ua mësuar të tjerëve mënyrën e sigurt për ta vozitur një automjet si dhe për rregullat e trafikut. Për t’u bërë instruktor në vozitje duhet të jeni person i qetë, i durueshëm, të jeni i qartë në udhëzime, të keni aftësi të shkëlqyera të vozitjes si dhe të dini të reagoni në situatat e rrezikshme.   Tregtar i makinave Për t’u bërë tregtar i suksesshëm i makinave nuk është shumë e vështirë. Mjafton të keni njohuri se si të negocioni apo të bëni marrëveshje, të njihni tregun se ku operoni dhe të kuptoni se çka është duke kërkuar ai treg më shumë. Si tregtar i makinave mund të fitoni të ardhura të shumta me një punë disa orëshe. Teknik i gomave Një teknik i gomave merret me instalimin dhe riparimin e gomave në automjete të ndryshme. Ndër tjera, ata sigurohen që gomat të jenë fryer mirë dhe të zëvëndësohen në mënyrë të rregullt ne një automjet. /AkademiPune.
Lexo më shumë
Katër përfitime nga puna me gjysmë orar
Përgjegjësitë në punë nuk dallojnë, qoftë nëse punohet me gjysmë orar ose me orar të plotë. Dallimi qëndron tek orët që kalohen duke punuar. Ka shumë kompani që ofrojnë punë me gjysmë orar për shumë pozita të punës. Këtu vlen të theksohen punët si dizajni, juridiku, punët me rrjete sociale apo edhe punë në bamirësi. Duke bërë punë me gjysmë orar, ju mund t’i balanconi edhe përgjegjësitë e tjera të jetës. Fillimisht, ka shumë gjëra që duhet t’i keni parasysh kur vendosni të zgjedhni nëse dëshironi të bëni punë me gjysmë orar. Zgjedhjet personale Prioritetet financiare Aftësitë që zotëroni  Kontributi Nëse jeni prej atyre njerëzve që dëshironi të fitoni njohuri, t’i ndihmoni të tjerët dhe në të njejtën kohë të punoni e fitoni të ardhura, një punë me gjysmë orar do të ishte shumë e dobishme, shkruan CharityJob, përcjellë KosovaJob. Më poshtë ju sjellim 4 përfitime që vijnë nga puna me gjysmë orar: 1. Kohë shtesë për t’u marrë me diçka tjetër Kur punohet me orar të plotë - nuk mbetet edhe shumë kohë dhe energji për t’u marrë me ndonjë aktivitet tjetër. Në një punë me gjysmë orar, do të keni më shumë kohë të merreni edhe me aktivitete tjera të ndryshme. 2. Rrugë drejt mundësive të avancuara Puna me gjysmë orar mund t’iu çojë drejt përfitimeve të mëdha. Nëse dini të zgjedhni mirë punën tuaj, do të jeni në gjendje të përmirësoni aftësitë dhe ekspertizën tuaj në fushën që dëshironi. Për më tepër, shumë mundësi mund të shfaqen gjatë rrugë sepse e çoni veten drejt një ambienti të duhur të punës. Shumë shpesh, bizneset, organizatat apo institucionet e ndryshme punësojnë punëtorë me gjysmë orar sepse atyre iu nevojitet dikush për një punë të caktuar. Kjo ua lehtëson kyçjen në një pozitë pune dhe ambient të caktuar të punës. Kur një punëdhënës e vëren talentin tek ju, atëherë mundësi të reja do të paraqiten. 3. Më pak stres, më shumë fleksibilitet Puna me orar të plotë mund të jetë shumë e lodhshme. Studimet tregojnë se stresi është një faktor që çon drejt depresionit. Punët me gjysmë orar mund të zvogëlojnë stresin sepse ju do të punoni më pak dhe nuk është e nevojshme të merreni më punë gjatë gjithë ditës. 4. Menaxhimi i kohës Çka e bën edhe më të mirë punën me orar të pjesshëm është fakti se do ta menaxhoni kohën më mirë. Duke punuar me gjysmë orar, ju thjesht nuk qëndroni në një vend,  ju do të doni të eksploroni edhe mundësi të reja që të punoni për më shumë se një punëdhënës. Kjo iu bën të fitoni njohuri dhe aftësi edhe në fusha të tjera.
Lexo më shumë
Pse disa njerëz e urrejnë vendin ku punojnë?
E urrej punën time! A e keni thënë ndonjëherë këtë shprehje? Apo e keni dëgjuar dikë tjetër duke thënë? A e keni menduar arsyen se pse e keni thënë këtë?Sipas një sondazhi të realizuar nga Korporata Analitike dhe Këshilluese “Gallup”, afër 85% e punonjësve në botë thonë se e urrejnë punën që bëjnë. Sipas këtij sondazhi, arsyeja se pse punonjësit e thonë këtë është si pasojë e raportit jo të mirë me punëdhënësin e tyre.Cilat janë shkaqet pse e urreni vendin e punës? Ekzistojnë një mori arsyesh pse  mund të mos jeni të lumtur në vendin e punës. Disa prej tyre mund të jenë: sjellja jo e mirë e punëdhënësit, mbledhjet e shpeshta, nuk respektohet e drejta për pushim, nuk vlerësohet puna juaj sa duhet dhe shumë faktorë  të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në dëshirën tuaj për punë dhe performancën që keni. Nëse nuk ju pëlqen vendi aktual i punës dhe keni pakënaqësitë tuaja, atëherë është koha që të rishqyrtoni pozitën ku ndodheni dhe të ndërmerrni vendime sa më parë rreth të ardhmes tuaj në atë kompani. Kjo ngase gjendja emocionale jo e mirë dhe energjia negative që merrni nga ai vend pune mund të ndikojë negativisht në personalitetin dhe zhvillimin tuaj. Akademi Pune ju prezanton disa hapa që mund t’i ndërmerrni nëse jeni i pakënaqur me vendin e punës: Zhvilloni aftësitë tuaja Duhet të jeni kurreshtar rreth aftësive që posedoni dhe fushave ku keni nevojë për përmirësim. Ndoshta, pozita ku aktualisht ndodheni kufizon kreativitetin tuaj dhe nuk ndiheni i lirë ta shprehni atë. Prandaj, zhvillimi i aftësive të reja do t’ju hapë më shumë dyer. Kësisoj, ju mund t’i shfrytëzoni aftësitë e fituara në atë pozitë ku mendoni se ndiheni më rehat dhe jeni më produktiv. Kushtoni kohë vetë-reflektimit Nëse nuk bëni vetë-reflektim kur gjërat nuk shkojnë ashtu si i keni planifikuar, kjo ndikon te ju negativisht. Çdokush kalon nëpër sprova të ndryshme, ju nuk mund të jeni në dijeni se në çfarë situatash të vështira ndodhen të tjerët, po ashtu as ata nuk mund ta dinë situatën në të cilën gjendeni ju. Prandaj, mirëkuptimi i natyrës njerëzore ndihmon rregullimin e raporteve me njëri tjetrin. Bisedoni me punëdhënësin tuaj Nëse pas vetë-reflektimit, mendoni se keni bërë gjithçka që duhet, është koha të flisni me punëdhënësin tuaj. Para se ta bëni këtë, rikujtoni gjërat që doni t’i bisedoni dhe paqartësitë që doni t’i diskutoni me të. Komunikimi është çelësi i arritjes së marrëveshjeve, prandaj është e rëndësishme t’i qaseni si duhet bisedës me punëdhënësin tuaj. Duke pasur një qasje të duhur, pa dyshim se do të hasni në mirëkuptim edhe nga ana e tij. Filloni kërkimin e një pune të re Nëse edhe pas bisedës me punëdhënësin tuaj nuk hasni në mirëkuptim, mos hezitoni të filloni kërkimin e një pune të re. Shumë njerëz që nuk janë të lumtur me punën aktuale, harrojnë që kanë opsion kërkimin e punës së re shkaku i frikës nga ndryshimet që mund t’i përjetojnë. Mirëpo, duhet të ballafaqoheni me realitetin dhe të jeni i sinqertë me vetveten. Prandaj, kurrë mos mendoni se është vonë ta sfidoni veten me një punë tjetër. Këtë mund ta filloni me përmirësimin e CV-së tuaj, duke u  konsultuar me ndonjë ekspert që mund t’ju ndihmojë, pasi ka shumë rëndësi se si e përpiloni CV-në. /AkademiPune
Lexo më shumë
Çka ndodhë nëse nuk shfaqeni në intervista të punës?
Ftesa për intervistë është padyshim një hap shumë i rëndësishëm për të fituar vendin e punës ku keni aplikuar. Kjo nënkupton që kompanisë i ka pëlqyer aplikacioni juaj dhe gjasat që ju të bëheni pjesë e asaj kompanie janë shumë të mëdha. Mirëpo, nganjëherë në periudhën mes aplikimit dhe ftesës për intervistë, dëshira juaj për t’u bërë pjesë e kompanisë mund të ketë ndryshuar.   Sipas një studimi të CV-Library, një në dhjetë profesionistë në Britani të Madhe e kanë pranuar që nuk janë shfaqur në intervista të punës. I njejti studim zbuloi gjithashtu se 34% e kandidatëve nuk u shfaqën në intervista sepse nuk e donin punën më, ndërkaq 22% prisnin të paktën edhe një konfirmim emaili ose kishin harruar fare të shkonin. Mos shkuarja në intervista të punës pa ndonjë paralajmërim mund të ketë pasoja të mëdha në punësimin tuaj. Do të futeni në listën e zezë (blacklist) të kompanisë Listat e zeza të kompanive vërtetë ekzistojnë, sidomos tek kompanitë e rekrutimit. Nëse keni aplikuar për punë dhe nuk jeni shfaqur në intervistë, atëherë gjasat që rekruterët t’iu fusin në listën e zezë janë shumë të mëdha. Kjo nuk përbën shumë dallim edhe po aplikuat direkt tek një punëdhënës, ngase në të ardhmen mund të keni dëshirë te aplikoni tek e njejta kompani për një pozitë tjetër. Mos shkuarja juaj në intervistë mund t’i zhgënjejë personat të cilët ju kanë besuar si dhe rekruterët që kanë vendosur t’iu sjellin përballë klientit të tyre. Gjithashtu, kjo do t'iu bëjë të dukeni edhe shumë jo profesional. Do të prishni urat me kompanitë Një tjetër pasojë e mos shfaqjes tuaj në intervistë është se ju do të prishni urat që do të mund të ndërtonit me kompanitë në rast se do të ishit prezent. Sigurisht, kompania ose pozita e punës mund të mos kenë qenë të përshtatshme në atë kohë por kjo nuk nënkupton se do të jenë edhe në vitet e ardhshme. Ruajtja e imazhit profesional mund t'iu sjellë shumë dobi, pasi që rekrutuesi ose punëdhënësi mund t'iu ndihmojnë të gjeni një rol tjetër në të ardhmen, sidomos kur flitet për kompanitë e rekrutimit. Rastet e mos shkuarjes në intervista të punës janë shumë të shpeshta edhe në Kosovë. Rekruterja nga kompania e rekrutimit HumanPower, Zanë Havolli, në një intervistë për KosovaJob tha se kandidatët të cilët nuk shfaqen në intervista të punës dhe nuk lajmërojnë, hyjnë direkt në listë të zezë. "Nëse një kandidat nuk shfaqet në intervistë të punës si dhe nuk na lajmëron neve si kompani, atëherë ai futet direkt në listë të zezë. Në rast se i njejti aplikon për një pozitë të re të punës, atëherë kompania merr njoftimin se ky kandidat ka qenë njëherë në listë të zezë dhe pastaj duhet ta shqyrtojmë”, ka thënë ajo. Ajo tha se kandidatët hyjnë në listë te zezë edhe nëse nuk shfaqin interes për punën e sidomos nëse janë arrogantë gjatë intervistimit. Ndërkaq, Minire Sadriu, menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë Albi Group, po ashtu ka thënë se kandidatët të cilët nuk shkojnë në intervistë e nuk lajmërojnë, humbin shancën për t’u ftuar përsëri për ndonjë intervistë në të ardhmen. “Ne i kemi të gjitha evidencat, me data, me orë, për të gjithë kandidatët. Ata të cilët nuk kanë ardhë në intervista të punës dhe nuk na kanë lajmëruar, nuk thirren më për intervistë. Ndërsa, sa u përket kandidatëve të cilët na japin një arsye valide, ata emra i lemë të hapur ose i kalojmë në rundin e dytë të intervistave” theksoi Sadriu. Si të shpëtojmë nga “lista e zezë” e kompanive? Mos shkuarja në intervistë mund t’iu shoqërojë me pasoja në të ardhmen sidomos nëse jetoni në një qytet të vogël ose ne ndonjë zonë ku ka mungesë të kompanive që veprojnë. Që të mos humbisni shancat për t’iu bashkuar kompanisë ndonjëherë tjetër, ju duhet të keni parasysh mënyrën se si refuzoni të shkoni në intervistë. KosovaJob, ju sjellë disa këshilla që mund t’i ndiqni, në mënyrë që emri juaj të mos mbetet në listën e zezë të kompanive. Tregoni me mirësjellje nëse pozita e punës ose orari nuk është i përshtatshëm për ju në atë periudhë. Lajmëroni në rast se keni pasur ndonjë urgjencë. Tregoni rekruterëve nëse keni pranuar një ofertë tjetër të punës e cila ju është përshtatur më shumë. 
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.