Kosovarët që me biznesin e tyre kanë fituar klientë të rregullt në Vjenë

12 Shtator '23

Kosovarët që me biznesin e tyre kanë fituar klientë të rregullt në Vjenë
	 	 

Memli Salihu dhe Besnik Sylejmani kaherë e kishin në mendje idenë për të nisur në biznes në kryeqytetin e Austrisë. Procedurat burokratike ua vonuan pak procesin e kur veç filluan punën ndodhi pandemia. Asnjëra nuk ishte arsye për t’i zbrazur ata që e kishin nisur biznesin e tyre me shumë ambicie e përkushtim. E filluan me një lokacion të vetëm në Vjenë e tash janë bërë të njohur me lokacione të ndryshme gjatë javës dhe fundjavave. Hamburgerët me shije të ndryshme që veçohen për produktet e freskëta janë bërë shumë të kërkuar nga klientët besnikë në Vjenë të Austrisë. Por, biznesmenëve kosovarë klientët shqiptarë u japin emocione të veçantë teksa presin të takojnë edhe shumë turistë kosovarë në vitin që po vjen. Salihu që shkoi për shkollim në Austri, studimet e udhëtimet e shumta ishin përforcues i mirë për ëndrrën e tij në gastronomi. Ai për AkademiPune ka rrëfyer historinë e suksesit dhe planet e së ardhmes.

AkademiPune: A mund të na tregoni kur keni shkuar në Austri, cili ishte mision që iu shtyu të shkoni atje dhe si i kujtoni ditët e para?

Memli Salihu: Në Austri kam ardhur në mars të vitit 2005, arsyeja që kam ardhur ka qenë për t’i vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit te Vjenës. Ditët e para me kujtohen shumë mirë, kanë qenë shumë ndjenja te përziera dhe me vështirësi që besoj që secili prej nesh i ka përjetuar. Në atë kohë kam pas fatin me pas familjarë që kanë jetuar në Vjenë të cilën më kanë udhëzuar e kjo ka qenë një lehtësim shumë i madh për mua. Në ndërkohë jam njoftuar dhe afruar me studentët shqiptarë me të cilët kam studiuar për dhe punuar së bashku, me një pjesë të tyre kam edhe sot shoqëri shumë të ngushtë.

AkademiPune: Si ju erdhi ideja për ta hapur një biznes me hamburgerë. A ishte i vështirë jetësimi i kësaj ideje në Vjenë?

Ideja ka ardhur prej Besnikut me të cilin e kemi së bashku Foodtruck-un "The Burgery”, ide të cilën unë e kam pranuar pa ndonjë hamendje. Edhe pse prej shumë viteve sa herë që kemi pasur rast kemi biseduar me shokët këtu për ide te ndryshme që kryesisht janë sjell rreth gastronomisë. Jetësimi i idesë nuk ka qenë aq shumë i vështirë sa kanë qenë te paqarta procedurat burokratike e që kanë zgjatë shumë.

Memli Salihu: Si ishin ditët e para të punës dhe si u priten produktet e gatuara nga ju?

Ditët e para te punës kanë qenë shumë interesante dhe jemi pritur shumë mirë edhe si koncept po edhe gatimet e tona respektivisht llojet e ndryshme të hamburgerëve që kemi përgatitur.

AkademiPune: Që sa e ushtroni këtë biznes dhe si do ta përshkruanit gjithë rrugëtimin? Sa keni pasur mundësi të zhvilloheni?

Memli Salihu: Me “The Burgery” kemi filluar që gati 4 vjet. Ka qenë shumë pak kohë para fillimit të përhapjes së koronavirusit. Edhe pse fillimi ka qenë i mirë si biznes, por me përhapjen e pandemisë kemi pasur sfida të ndryshme, por që me punë ia dolëm që të mbijetojmë dhe ta vazhdojmë punën. Ne fillim e kemi pasur vetëm një lokacion ku kemi dalur tre deri në katër herë në javë edhe pse koncepti ynë i biznesit me Foodtruck ka qenë 1 lokacion 1 herë në javë! Në ndërkohë e kemi realizuar edhe këtë e tash i kemi 4-5 lokacione fikse gjatë ditëve të punës dhe përsëriten çdo javë edhe në vikende kemi mundësi që të shkojmë në festivale dhe evente të ndryshme.

AkademiPune: Cilat janë komentet që i merrni më së shpeshti?

Memli Salihu: Komentet janë të mira kryesisht rreth kualiteti që e kemi, kjo shpjegohet më së miri më klientët e rregull që i kemi të cilët na vizitojnë çdo javë, dikund 70-80% të tyre janë të rregullt.

AkademiPune: Çfarë mendoni se i veçon hamburgerët e juaj dhe cili kërkohet më së shumti?

Memli Salihu: Hamburgerët tanë i veçon mishi i freskët dhe pa ndonjë shtesë, buka që është ma ndryshe që quhet “pretzel bun”, sosat që i bëjmë vetë dhe sallatat e freskëta. Teknika që e përdorim quhet "smashed burger" dhe mund te realizohet vetëm me mish të freskët! Cheeseburger është më i kërkuari prej Hamburgerëve.

AkademiPune: Dëshira për gatimin, a është diçka e trashëguar apo pasion që e keni zhvilluar vetë?

Memli Salihu: Dëshira për gatim është me tepër pasion se sa trashëguar, kanë qenë edhe përvojat që kemi pas gjatë viteve të studimeve dhe udhëtimet nëpër vende të ndryshme që na kanë ndihmuar në masë të madhe që të vndosim të hyjmë  në gastronomi e pikërisht në Street Food.

AkademiPune: Çfarë e veçon të punuarit në një kamionetë dhe të rrethuar gjithnjë me njerëzit që i japin gjallëri qytetit?

Memli Salihu: Puna me Food Truck apo siç po e quani ju kamionetë është shumë më atraktive sepse je gjithnjë në lëvizje mirëpo i ka edhe vështirësitë e veta, po pa qenë shumë i përkushtuar nuk mund të bëhet. Gjatë ditëve të punës takojmë njerëz të ndryshëm dhe me shije te ndryshme, ke mundësi me punu në vende të ndryshme dhe kjo është një kënaqësi e veçantë.

AkademiPune: Cili është raporti juaj me shqiptarët atje?

Memli Salihu: Raporti ynë me shqiptarët këtu s'ka se si të mos jetë i mirë, na vizitojnë shumë shpesh dhe çdo herë që na vizitojnë është një emocion i veçantë. Kohëve të fundit kemi pas rritje te shqiptarëve që na kanë vizituar, kjo si rezultat i një superstorje te realizuar gjatë disa ditëve të punës tonë në disa lokacione të ndryshme nga kameramani dhe fotografi i njohur Arben Llapashtica e cila është shfaqur në KTV dhe në rrjetet sociale. Tash prej vitit të ri me liberalizimin e vizave presim që të na vizitojnë e të na gëzojnë me vizitat e tyre edhe turistët nga Kosova.

AkademiPune: Çfarë planifikoni tutje që ta zhvilloni biznesin tuaj?

Memli Salihu: Planet tona lidhen kryesisht me lokacionet ku punojmë, kohë pas kohe këto lokacione pësojnë ndryshime e ne duhet të përshtatemi me ndryshimet ne ndërkohë jemi në kërkim te lokacioneve të reja. Dhe sigurisht kemi plane edhe për zgjerim të biznesit mirëpo gjithçka do te vijë me kohë./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC