“Nana’s Tie”, brendi shqiptar i kravatave

4 Gusht '23

“Nana’s Tie”, brendi shqiptar i kravatave
	 	 

Tringa dhe Rita Dreshaj ishin rritur me rrobat që nëna e tyre Mahije Bardhi-Dreshaj i punonte për to. Kështu nëna e tyre përkushtuar në punë e detaje u bë shembull për to. Këtë lidhje të veçantë kanë vendosur ta finalizojnë në produkte unike që janë të punuara në Kosovë. Viteve të fundit, ato janë bërë së bashku të tria, i janë përveshur makinës së qepjes për të krijuar brendin e ri origjinal me titullin “Nana’s Tie”.

“Nëna ka qenë gjithmonë shembulli jonë dhe për çfarë jemi krenuar. Ajo për shumë vite ka punuar në veshjet të cilat ne i kemi veshur po ashtu edhe ne veshjet e shume njerëzve te tjerë të familjes”, shprehet Tringa në një intervistë për AkademiPune kur pyetet se si u kthye ky pasion në punë.

Në shtëpinë e familjes Dreshaj, makina e qepjes zë një vend kryesor. Në dhomën e qëndrimit, ato kanë një vend të veçantë ku janë të gjitha pajisjet e qepjes. Materiale me ngjyra të ndryshme e paketime të veçanta dëshmojnë për këmbënguljen e tyre për t’i bërë produktet e tyre sa më të personalizuara për klientët.  “Gjithçka ka lindur nga kjo traditë familjare kur kemi dashtë që të krijojmë diçka për nder të nënës tonë andaj edhe emri i brendit quhet “Nana’s Tie”.

Tringa Dreshajt, juriste me profesion rrallë i mungon ndonjë aksesorë i punuar nga duart e nënës së saj. Kjo i bie në sy gjithë shoqërisë së saj. Një nga bisedat me një mik do të bëhej shkas që ajo së bashku me nënë dhe motrën ta vulosnin punën shumëvjeçare në një brend që do të shiste produkte anë e mbanë Kosovës. Kësaj here vendosën tu japin hapësirë edhe aksesorëve që përdorën nga gjinia mashkullore, andaj dhe fokusi i brendit mbeti te kravatat.

“Produktin e kemi zgjedh rastësisht kur ne disa punime aksesorë që nëna i ka punuar për mua, një koleg i imi ishte i interesuar dhe më pyeti se ku i kam marrë dhe më dha një ide se pse nuk realizoni edhe diçka për meshkuj pasi që shumica e produkteve dhe aksesoreve janë të orientuar te gjinia femrore”, ka treguar Tringa për AkademiPune.

Nëna me dy vajza – një trio produktive

Me linjën e parë të produkteve me titullin “Sunfloëer” filloi gjithçka në vitin 2020. Kjo pikënisje për inicueset ishe goxha sfiduese për mënyrën se si do të priteshin në tregun kosovar.

“Ishte mjaft sfiduese dhe e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë dhe si do ta pret tregu një produkt të këtillë”, ka thënë tutje Tringa.

Për brendin “Nana’s Tie”, ato synojnë t’u japin klientëve kërkesen e tyre të realizuar në aksesorë të cilët rrallë gjinden në treg. Gjatë punës u kushtojnë rëndësi të veçantë materialit, mënyrës së dizajnimit e deri te paketimi për tu dhënë klientëve ndjenjën e veçantisë në detaje. Kravatat e punëdore po ashtu u përshtaten edhe stinëve të ndryshme dhe janë të dizajnuara varësisht nga eventet që do të vendosen.

“Kravatat që ne i prodhojmë kane specifik punën e dorës të cilat punohen të gjitha me dorë,  gjithashtu edhe aksesorët përcjellës janë unik dhe te prodhuara në bazë te kërkesës së klientëve tone, ne material, ngjyre e dizajn. Ne punojmë tre veta nëna, motra dhe unë e që së bashku e bëjmë një trio shume produktive dhe produktet te cilat dalin nga ne janë plot dashuri e pasion për atë se çfarë janë prodhuar. Është një ndjenje e veçantë të punojmë së bashku dhe kur klientët janë të kënaqur me atë se çfarë ne kemi krijuar”, shprehet tutje Tringa.

“Nana’s Tie” që lindi si brend për krijimin e kravatave po zgjerohet si brend edhe në produkte të tjera. Së bashku me punën e tyre nga shtëpia, ato synojnë të krijojnë shumë produkte të veçanta për ambientet e të tjerëve në shtëpi. Në një fokus te produktet për shtëpie dhe fëmijë, ato do të sjellin produkte të reja të cilat do të krijohen në bazë të lidhjes së fortë që krijojnë me klientët paraprakisht.

“Veçse kemi filluar ta zgjerojmë biznesin tone me produkte të reja të linjës HOME dhe KIDS me produkte dhe aksesorë për shtëpi e fëmije. Klientët zakonisht janë të kënaqur me produktet tona por veçantia është qe ne krijojmë bashkëpunim dhe ndërlidhje me klientët paraprakisht me qellim qe produktet te punohen me kërkesën dhe dëshirën e tyre”, ka shtuar Tringa për AkdemiPune.

Tringa, e cila gjatë javës ushtron një profesion krejtësisht tjetër ka një mesazh që pasionet të ndiqen domosdo.

“Pasionet gjithmonë duhet të ndiqen nuk ka kohë të duhur për tu ndjekur, thjesht në momentin qe ndiheni komfort mund të filloni të eksploroni dhe t’i realizoni ato. Ndërsa sa i përket personave te cilët janë kravata-dashës mund te themi qe dera e juaj gjithmonë do të mbetet “Nana’s Tie”, ka përfunduar Tringa. Ajo ka shtuar se produktet e tyre mund të porositen online nëpërmjet faqeve në Facebook dhe Instagram dhe së fundmi edhe në TIKTOK si një inovacion në rrjetet sociale./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC