Cilat aftësi duhet t’i kenë ata që punojnë në Burime Njerëzore?

12 Qershor '23

Cilat aftësi duhet t’i kenë ata që punojnë në Burime Njerëzore?
	 	 

Kushtrim Puka, i cili është Konsulent e Menaxhimit të Performacës  ka përvojë mbi dy dekada në sektorin privat dhe jofitimprurës. Kushtrimi, i cili është kryeshef ekzekutiv i Promnestrias ka qenë një nga udhëheqësit e paneleve në eventin më të madh të burimeve njerëzore në vend në “PowertoHR”, të organizuar nga KosovaJob. Ai fillimisht në një intervistë për AkademiPune ka treguar për përshtypjet e tij mbi këtë ngjarje që ka mbledhur mbi 350 profesionistë të BNj në vend. Sipas tij, ky samit e ka dëshmuar që Kosova po ecën në hap me trendët botërore.

“Mendoj që samiti e ka treguar në mënyrë shumë bindëse që fatmirësisht edhe në Kosovë ka kompani si KosovaJob, HumanPower dhe të tjera që janë duke punuar në koordinim me trendët dhe atë çfarë po ndodhë në botën e jashtme edhe që në disa raste jemi mjaft përpara, duke marrë parasysh që ne jemi shtet i ri, jemi vend i vogël mirëpo e kemi përqafuar shumë mirë këtë epokën digjitale. Kosova me penetrimin e internetit është një prej vendeve me shtrirjen më të madhe edhe në shtetet e Evropës kështu që edhe kjo ka ndikuar në atë drejtim që të zvogëlohet hendeku mes punëkërkuesve dhe punëmarrësve”, ka thënë ai.

Kushtrimi: Të rinjtë po ofrojnë shërbime për të huajt, të punohet për t’i mbajtur në Kosovë

Sipas Kushtrimit përkundër sukseseve tregu i punës në Kosovë përballet po ashtu me shumë sfida. Sipas tij të rinjtë kosovarë kanë arritur të punësohen në kompani të huja apo të ofrojnë shërbime për klientë të huaj andaj duhet krijuar strategji të duhura që të rinjtë të arrijnë të japin kontributin në Kosovë.

“Mendoj që ka shumë sfida që duhet adresuar siç janë kushtet në punë, mosdiskriminimi i punëtorëve në çfarëdo forme dhe thjesht ofrimi i sa më shumë vlerave të punëdhënësve për punëtorë në mënyrë që oferta të jetë sa më konkurruese, sa më atraktive dhe njëkohësisht që ta kemi një plan më afatgjatë në aspektin j vetëm të rekrutimit të stafit të ri, por edhe trajnimin e tyre. Një i ri në Kosovë nëse e ka një mundësi dhe e ka të qartë progresin në karrierë për një kompani ose organizatë atëherë mendoj që do të zvogëlohen gjasat që këta të rinj të kërkojnë të emigrojnë në vende të Evropës përderisa e kanë mundësinë e mirë që të punojnë këtu. Ne po ofrojmë shërbime për vende të tjera kështu që pse mos të punohet në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Cilat aftësi duhet t’i kenë ata që punojnë në zyrë të BNj?

Sipas Kushtrimit profesionistët që punojnë në zyrën e departamentit të burimeve njerëzore duhet të kenë aftësi të mira ndërnjerëzore për shkak se shumica e punës së rekrutuesve ka të bëj me njerëzit kështu që ata ballafaqohen çdo ditë me qindra apo mijëra aplikime.

“Ata duhet të jenë persona që kanë empati, që dinë t’i trajtojnë të gjitha problemet e mundshme që mund të ndodhin gjatë procesit. Duhet të jenë të afërt me njerëzit, të dinë t’i shpjegojnë sa më mirë vlerat dhe kulturën e kompanisë që është shumë me rendësi dhe njëkohësisht ta adresojnë çfarëdolloj shqetësimi, pyetje dhe kërkese që mund të kenë punëtorët apo aplikantët gjatë procesit dhe po besoj që kjo është përfitim i dyanshëm”, ka thënë ai për AkademiPune.

Kushtrimi: “PowertoHR” – një samit i përmasave globale

Kushtrim Puka ka qenë pjesë e samiti të parë të burimeve njerëzore të organizuar në Kosovë, “PowertoHR” i cili është organizuar nga platforma kryesore e punësimit në vend – KosovaJob. Ai ka udhëhequr panelin “Si të krijojmë strategji të mira rekrutimi për të tërhequr njerëz në epokën digjitale?”.

“Ka qenë një event fantastik për faktin se është eventi i parë që po organizohet në Kosovë. Besoj që me këtë event, KosovaJob përveçse ka arritur t’i mbledhë profesionistët e HR prej Kosovës, ishte kënaqësi t’i takojmë përfaqësuesit edhe nga vendet e tjera. Kjo tregon se ka qenë një samit me përmasa globale ku përveçse kemi pasur përfaqësues të kompanive dhe të organizatave të ndryshme, kemi pasur edhe shumë folës interesant prej BBC dhe META, LinkedIn që ishin tregime  shumë inspiruese, praktika të reja që edhe ne mundemi  t’i adoptojmë në Kosovë dhe që besoj ia ka shtuar madhështinë eventit”, ka thënë ai.

“PowertoHR” është mbajtur në shkurt të vitit 2023 në Kosova ku ka mbledhur mbi 350 profesionistë të fushës së burimeve njerëzore ku janë trajtuar sfidat e punësimit në vend dhe trendët e punësimit në botë./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC