Uran Meha, matematikanti i suksesshëm që doktoroi në Francë

2 Qershor '23

Uran Meha, matematikanti i suksesshëm që doktoroi në Francë
	 	 

Në fëmijëri, kujtimet e tij janë kapërcim nëpër përjetime të luftës. I përket gjeneratës së parë të nxënësve që nisen mësimin në Kosovën e çliruar. Qysh si fëmijë dëshira e tij për shkencën u bë diçka me të cilën u identifikua shpejt. Zelli i tij e nxori të parin në shumë gara të matematikës. Me vendosmëri për të ndjekur këtë rrugë nisi studimet në Prishtinë, i vazhdoi në Gjermani e Francë ku kreu doktoraturën. Ai sot punon si hulumtues dhe inxhinier për Komisionin e Energjisë Atomike të Francës në Grenoble. Në një intervistë për AkademiPune, Uran Meha përmbledhë gjithë historinë e tij të suksesit. Etika e fortë e punës është çelësi i suksesit të tij ndërsa flet dhe për dëshirën e madhe që një ditë të kontribuoj në Kosovë.

AkademiPune: Në një përshkrim të mikut të juaj, Kujtim Dobruna ai e kujton se keni qenë një fëmijë lufte që në moshën 5-vjecare jeni dëbuar nga shtëpia në rrethana jo të lehta. Më intereson ta di se si e kujtoni fëmijërinë. Çfarë gjurmë ka lënë ajo te ju dhe si ka ndikuar në udhëtimin e mëtejshëm?

Urani: Jeta në Kosovë në fundin e shekullit të kaluar nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht në periudhën 1990 - 1999. Si fëmijë në atë kohë natyrisht që më ka munguar pjekuria dhe perspektiva e duhur për ta kuptuar situatën, por rrethanat e vështira kanë qenë të qarta edhe për mua. Gjurmët dhe plagët e lëna nga ajo kohë janë pjesë e dhimbshme e jetës dhe identitetit tonë, dhe nuk do të shlyhen kurrë. Sidoqoftë, mendoj se që nga ajo kohë ne si popull kemi gjetur ngushëllim te njëri-tjetri, dhe kjo e ka krijuar një komunitet të ngrohtë e shumë te lidhur mes vete, gjë e cila ndjehet edhe sot në Kosovë.

AkademiPune: Ku u shpërngulet gjatë asaj kohe dhe në çka e bazuat vullnetin për tu kthyer përsëri në Kosovë. Si ishte periudha e shkollimit deri në shkollën e mesme?

Urani: Gjatë asaj kohe kemi qenë të vendosur në një fshat në rrethinën e Tetovës, në Maqedoni të Veriut. Unë dhe familja ime, e gjithashtu edhe shume kosovarë nga ajo kohë, jemi jashtëzakonisht shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë hapur dyert e shtëpive të tyre anembanë botës për të na ofruar strehim në një kohë kur e ardhmja e mirëqenies dhe vendlindjes sonë ishte e paqartë. Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, ne u rikthyem në Kosove me shumë vullnet për ta rindërtuar jetën tonë në vendlindje, dhe unë isha pjesë e gjeneratës së parë që filloi shkollimin ne Kosovën e lirë.

Duke pasur parasysh se kemi qenë vend në rindërtim e sipër, dhe me një popullatë të dalur e lënduar nga lufta, periudha e shkollimit fillor dhe të mesëm ka qenë shumë e mirë. Në veçanti e kujtoj ditën e shkollës me 17 shkurt 2008 kur Kosova u shpall shtet i pavarur, përvojë që është unike për ne kosovarët.

Urani: Unë kam qenë gjithmonë i fascinuar me shkencën

AkademiPune: Kur doli në pah pasioni juaj për shkencën, më konkretisht për matematikën? Si vlerësoheshit nga mësuesit?

Urani: Unë kam qenë gjithmonë i fascinuar me shkencën, veçanërisht me matematikën. Gjatë shkollës fillore dhe të mesme kam marrë pjesë në gara komunale dhe shtetërore të matematikës, ku e kam fituar vendin e parë në disa raste. Mendoj se pasioni im për matematikën ishte i qartë që nga një moshë shumë e re. Sa i përket mësuesve, e kam pasur gjithnjë përkrahjen e tyre, por nuk mendoj se jam trajtuar më ndryshe se nxënësit e tjerë. Mësues më i veçantë për mua ka qenë profesori Ramadan Limani nga Fakulteti i Shkencave Matematike - Natyrore, me të cilin jam takuar disa herë gjatë viteve të shkollës fillore dhe të mesme për të diskutuar matematikë. Ishte qasja e tij e motivuar nga kureshtja e cila më ka lënë mbresa në atë kohë dhe ende vazhdoj t'i përdori parimet shkencore që i kam mësuar nga ai.

AkademiPune: Për studime bachelor zgjodhët Universitetin e Prishtinës. Cilën fushë e zgjodhët dhe si ishte përvoja në këtë universitet?

Urani: Përvoja ime si student i matematikës në Universitetin e Prishtinës ka qenë shumë e mirë. Ne kemi qenë një grup i vogël që studionte matematikë në atë kohe, dhe profesorët e asistentët kanë qenë shumë të afërt, përkrahës dhe të gatshëm për të më ndihmuar mua dhe kolegëve të mi për të pasur një studim sa më të plotë.

AkademiPune: Për studimet master mes Bonit, Kembrixhit, Cyrihut dhe Parisit, zgjodhët Bonin. Nga çfarë u përcaktua zgjedhja juaj për Bonin? Si ishte përvoja juaj në universitetin që zgjodhët dhe çfarë mësuat në fushën e studimit gjatë kësaj periudhe, pra përtej studimeve, po them dhe për një sistem më ndryshe arsimor nga ai që ke lënë në Kosovë?

Urani: E zgjodha Universitetin e Bon-it sepse departamenti i matematikes së këtij universiteti është shumë i njohur për kualitetin e lartë të stafit dhe të programeve studimore. Po ashtu në atë kohë kisha fituar bursën për studime nga fondacioni gjerman DAAD, dhe kjo e lehtësoi zgjedhjen time. Fillimi i studimeve në Bon ishte sfidues, veçanërisht pasi që programi i masterit ishte vazhdimësi i programit të bachelor të të njëjtit universitet, i cili veçse ishte mjaft i avancuar dhe më i ngarkuar se ai që kisha ndjekur në Prishtinë. Mirëpo me kalimin e kohës dhe përmes punës u adaptova në atë ambient, dhe arrita të përfitoj mjaft nga profesorët, dhe kolegët atje. Një karakteristikë e studimeve në Bon ishin seminaret që organizoheshin nga profesorët, ku prezantimet bëheshin nga studentët. Kjo ishte një përvojë e mirë nga e cila mësova për përpunimin dhe strukturimin e një ligjërate matematike mbi tema të ndërlikuara.

Sipas Uranit kriteri kryesor për realizimin e ëndrrave është etika e fortë e punës

AkademiPune: Protofolio juaj profesionale dëshmon se rruga e studimeve ishte përtej. Për doktoraturë lëvizët në Francë. Çfarë përvoja të reja solli ky hap i ri në jetën e juaj?

Urani: Gjatë doktoraturës në Francë kam kaluar kohë në Universitetin e Lion-it dhe në Institutin Henri Poincaré në Paris. Kjo periudhë ka qenë e shkëlqyeshme për mua. Në aspektin profesional kam mësuar për rrjedhojën e punës hulumtuese dhe për bashkëpunimin shkencor. Po ashtu është tipike për doktorantët të marrin pjesë në konferenca të ndryshme, që paraqesin një mundësi ideale për të diskutuar me ekspertë të ndryshëm, për të takuar kolegë nga vende të ndryshme, e gjithashtu për të mësuar mbi zhvillimet e fundit në disiplinën përkatëse. Po ashtu jeta jashtë profesionit në Francë di të jetë shumë interesante, me shumë mundësi për eksplorim të kulturës lokale dhe për zhvillim personal.

AkademiPune: Ju keni qenë ligjërues për matematikë në këtë universitet ku përfunduat doktoraturën. Na tregoni më shumë për këtë aspekt. Si dhe për më tepër cila është metoda me të cilën mundoheni të përcjellni aftësitë e juaja në këtë fushë?

Urani: Në fakt sot punoj si hulumtues dhe inxhinier për Komisionin e Energjisë Atomike të Francës në Grenoble, dhe në këtë rol nuk më bie të mbajë ligjërata në matematike. Gjatë studimeve të doktoraturës kam qenë gjithashtu ligjërues i matematikës në Universitetin e Lion-it. Ky aspekt i punës së një matematikani paraqet një sfidë dhe përvojë shumë interesante: së pari më ka lejuar që pjesërisht ta rikthej kontributin që e kam marrë nga mësimdhënësit e mi paraprak, dhe së dyti ka qenë mundësi e mirë për t'i rivizituar nocionet që kisha mësuar në fillim të studimeve, por kësaj radhe i pajisur me një pjekuri më të madhe shkencore. Metoda e mësimdhënës në matematikë është një temë që ngrit shumë debat. Matematika është një disiplinë që mendoj është shumë e natyrshme dhe kapshme, mirëpo gjuha e saj simbolike nxit aversion te shumica e nxënësve, e edhe njerëzve të rritur. Ajo që kam provuar ta bëj ka qenë t'i jap rëndësi intuitës dhe ideve që fshihen pas paraqitjes së tyre simbolike, dhe nga përvoja ime, studentët e pëlqejnë një qasje të tillë ndaj matematikës.

Urani: Shpresoj që një ditë kontributin ta jap në Kosovë

AkademiPune: Cili është mesazhi juaj për ata që duan t’i ndjekin ëndrrat. Veçmas për shkencëtarët e rinj të Kosovës. A mund të zhvillohen shkencëtarët pa kapërcyer kufijtë?

Urani: Edhe pse kjo është klishe, kriteri kryesor për realizimin e ëndrrave është pa dyshim etika e fortë e punës. Në veçanti për shkencë, mendoj se një tjetër kualitet i pazëvendësueshëm është kureshtja dhe pasioni për disiplinën në fjalë. Zakonisht këto dy veti konsiderohen si të lindura, por unë mendoj që këto veti gjithashtu mund të kultivohen. Një gjë tjetër qe dua të ceki është që sot jetojmë në një kohë ku kemi qasje në sasi të madhe të informacionit përmes internetit. Kjo gjë është pozitive për arsye të qarta, mirëpo nganjëherë e vështirëson përqendrimin në një temë specifike. Unë mendoj që libri vazhdon të jetë një burim shumë i mirë i studimit të shkencës për arsye se informacioni në libër strukturohet në mënyrë shumë pedagogjike, dhe meqenëse prezentimi i tij bëhet nga i njëjti autor, lexuesi e ka më lehtë të adaptohet me stilin dhe idiosinkracitë e autorit.

Sa i përket zhvillimit brenda Kosovës, kjo natyrisht varet nga ambiciet e personit në fjalë. Si një shtet i ri, ne ende nuk e kemi infrastrukturën shkencore dhe akademike mjaftueshëm të zhvilluar për të ofruar edukim te krahasueshëm me atë të shteteve më të zhvilluara. Përkundër kësaj, unë e vërej që ka ndryshime pozitive nga koha kur kam qenë unë student në Prishtinë, dhe mendoj e shpresoj që ky trend përmirësues do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

AkademiPune: Cilat janë planet tua në të ardhmen. A lidhen ato dhe me Kosovën?

Urani: Në këtë fazë të karrierës e gjej të vështirë të mendoj dhe të flas për plane konkrete për të ardhmen. Megjithatë sot kam dy ide dominante për të ardhmen time: së pari është vazhdimi i zhvillimit personal në fushën e ndërveprimit të shkencës dhe teknologjisë, dhe së dyti është që përmes përvojës dhe kontakteve të mija të kontribuoj për vendin tim. Në librin "Shqiptarët" nga Mit'hat Frasheri i shkruar ne vitin 1919, ai vështron se shqiptarët janë një popull që vazhdimisht prodhon individë të aftë, por të cilët kontributin e tyre e japin në tokë të huaj. Për më tepër, Mit'hati shpreh dëshirë dhe jep një mesazh për popullin tonë që të përpiqemi ta ndërrojmë këtë mënyrë te jetesës dhe punës që na ka ndjekur me shekuj. Duke parë se sot, një shekull pas librit të Mit'hatit, ne e gjejmë vetën në një situatë shumë të ngjashme, unë dua ta ndjek këshillën e këtij dijetari madhështor shqiptar dhe shpresoj që një ditë do të arrij që kontributin tim ta jepi për vendin dhe shoqërinë tonë në Kosovë./ AkademiPune.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC