Donik Karaqi: Kompanitë duhet vetë t’i përgatisin profesionistët

19 Maj '23

Donik Karaqi: Kompanitë duhet vetë t’i përgatisin profesionistët
	 	 

“Sfidat e të gjeturit profesionistë të kualifikuar në kohën e mungesës së fuqisë punëtore” – ka qenë një temë e shkurtër diskutimi me Donik Karaqin – themelues i komjpanisë “Chameleon Digital Printing House” në Kosovë. Kompania e cila filloi si një “Start-up”, sot e cila ka sjellur një epokë të re të depërtimit të brendeve.

Doniku ka treguar për AkademiPune se fillimisht kanë hasur në shumë sfida për shkak të përkrahjes së vogël, por që tash sfidat janë thelluar dhe janë bërë më operative në aspektin e gjetjes së stafit profesionistë.

“Këto dy vjetët e fundit sfidat kanë qenë shumë më të mdhaja dhe më operative duke pasur parasysh që është bërë një ikje shumë e madhe e fuqisë punëtore prej Kosovës, kjo na ka vështirësuar punën edhe neve. Gjithashtu dhe rritja e lëndës së parë e ka vështirësuar punën por besoj që tash i është kushtuar më shumë rëndësi fuqisë punëtore dhe gjërat janë duke u përmirësuar”, ka thënë ai për AkademiPune.

Sipas tij harmonia brenda ekipit dhe profesionalizmi janë dy aspekte kryesore ku duhet të fokusohet çdo kompani dhe një celës për ta arritur këtë sipas tij janë trajnimet.

“Mundohemi të mbajmë shumë trajnime. Kemi pasur staf që kanë filluar si praktikantë dhe tani kanë bërë rreth 5 vjet përvojë pune në kompaninë tonë dhe mendoj që këto trajnime mundësojnë që të rinjtë të jenë më të përgatitur për tregun e punës. Meqë po ka mungesë të punëtorëve në tregun e punës, kompanitë duhet të fillojnë që vetë t’i përgatisin për treg të punës. Ka punëtorë që kanë kualifikime të ndryshme, por nuk përshtaten mirë më tregun e punës. Njëra prej ideve më të mira ndoshta është të krijohen punëtorë brenda kompanisë”, ka thënë tutje ai.

Kompania e themeluar nga ai - “Chameleon” ofron një gamë të gjerë të printimit që nga printimi i shtypur deri te ai digjital duke krijuar produkte unike dhe të personalizuara. Për një dekadë, Chameleon ka ndihmuar brendet dhe kompanitë të shpërndajnë mesazhin e tyre te publiku duke u pozicionuar në krye në një botë plot mundësi. I gjithë rrugëtimi është i ndërtuar në detaje. Dedikimi, pasioni, mbështetja dhe përkushtimi i madh kanë karakterizuar rrugëtimin prej një dekade të kompanisë Chameleon Print. 

Donik Karaqi ka qenë pjesë e Samitit të parë të Burimeve Njerëzore “PowertoHR” të organizuar nga platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob. Ai e ka vlerësuar këtë trajnim tejet të nevojshëm në kohën kur fokusi te burimet njerëzore është gjithnjë e më i madh.

“Një samit i tillë ka qenë shumë i nevojshëm, sidomos edhe tani që tema e Burimeve Njerëzore është bërë një temë shumë e ndjeshme edhe në gjithë vendet e botës dhe ka filluar tani t’i jepet rëndësi edhe në Kosovë. Një event i tillë ku bashkohen të gjithë profesionistët e Burimeve Njerëzorë ka qenë shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm”, ka thënë ai.

“PowertoHR”, ka mbledhur mbi 350 profesionistë të fushës së Burimeve Njerëzore duke sjell në një vend perspektiva globale, rajonale dhe vendore sa i përket temave më të rëndësishme që lidhen me punësimin dhe kulturën e punës brenda një kompanie. /AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC