Si ndikojnë trajnimet në zhvillimin e punonjësit?

15 Maj '23

Si ndikojnë trajnimet në zhvillimin e punonjësit?
	 	 

Trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve është një program që ndihmon punonjësve për të mësuar aftësi të veçanta, si dhe njohuri për të përmirësuar performancën dhe produktivitetin e punonjësve brenda kompanisë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e performancës së punonjësve dhe iu ndihmon që të jenë më të përkushtuar në punë. 

Një prej kompanive që operon në Kosovë dhe që ofron trajnime për punonjësit është “ProCredit Bank”. Albina Metaj – udhëheqese e departamentit të burimeve njerëzore dhe trajnimeve ka treguar për rëndësinë e trajnimeve në zhvillimin personal dhe profesional të punonjësve. Trajnimet fokusohen si të punonjësit e rinj, ashtu dhe te ata me pozita menaxheriale.

“Pro Crediti me trajnimet që njihet në treg duke filluar prej trajnimeve  ”on boarding” që kryesisht u dedikohen të rinjve të sapodalë nga universiteti, mandej edhe me trajnime të avancuara menaxheriale të cilat zhvillohen në Frankfurt të Gjermanisë ku mbahen akademitë për cikle të larta, për pozita menaxheriale. Kjo ka dëshmuar që ka pasur një rol të rëndësishëm në emancipimin e kuadrove edhe për përgatitjen e kapitalit njerëzor me një qasje proaktive me edukimin dhe zhvillim personal dhe profesional”, ka thënë Albina Metaj për AkademiPune.

Ajo ka shtuar se pjesa e trajnimeve është posaçërisht shumë e rëndësishme për vendet në tranzicion si Kosova dhe sistemi arsimor i së cilit ka pësuar si pasojë e zhvillimeve historike. Trajnimet sipas saj janë pjesë tejet e rëndësishme në aftësimin e stafit për të ndjekur trendët e fushës në të cilën janë të punësuar.

“Duke qenë se Kosova është një vend në tranzicion duhet të dimë se në çfarë tregu operojmë. Pjesën e edukimit si shoqëri nuk e kemi pasur mjaftueshëm të zhvilluar duke pasur parasysh të kaluarën historike, fatkeqësisht. Si punëdhënës kemi përgjegjësi që përtej pjesës së punës t’i zhvillojmë stafin edhe me trajnime, avancime në mënyrë që t’i përgatisim realisht që të jenë profesionistë të fushës”, ka thënë tutje udhëheqja e burimeve njerëzore dhe trajnimeve në “ProCredit Bank” në Kosovë.

Cilat janë vlerat që duhet të ketë një institucion?

Grupi ProCredit përbëhet nga banka tregtare të orientuara drejt zhvillimit e të cilat operojnë në Evropën Juglindore dhe Lindore dhe në Amerikën e Jugut, si dhe një bankë në Gjermani. Me qendër në Frankfurt të Gjermanisë, kompania bazë e grupit, ProCredit Holding, është përgjegjëse për menaxhimin strategjik, mjaftueshmerinë e kapitalit, raportimin, menaxhimin e rrezikut dhe organizimin e duhur të biznesit të grupit. Sipas Albina Metaj janë disa karakteristika që e identifikojnë këtë bankë për të krijuar një kulturë të vlefshme ku punonjësit mund ta përqendrojnë karrierën e tyre afatgjate. Mes tyre janë komunikimi i hapur, vlerësimi dhe mundësia për tu pajisur me njohuri të reja.

“Fillimisht përfaqësimi i një banke gjermane nënkupton disa vlera dhe parime të cilat na identifikojmë dhe i jetojmë çdo ditë. Kisha filluar me një komunikim të hapur, ajo çfarë e karakterizon “ProCredit Bank” është komunikimi i hapur mes kolegëve dhe ekipeve. Identifikimi me këto vlera edhe në publik jo vetëm brenda dhe pastaj pjesa e vlerësimit. Vlerësimin po e mendoj në aspekt të arritjes, performancës që i bie më u vlerësu në baza meritore. Kjo është një kulturë shumë e vlefshme e institucionet që përfaqësoj dhe gjithsesi mandej hapësira që krijon institucioni për tu përgatitur për njohuritë e reja”, ka thënë tutje ajo.

Albina ka qenë një nga panelistët e ngjarjes më të madhe të burimeve njerëzore në vend “PoWer to HR” të organizuar nga platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob. Ajo ka qenë pjesë e panelit : “Zbuloni sekretet për të përmirësuar markën tuaj të punëdhënësit dhe për të garantuar mirëqenien e punonjësve”. Sipas saj më e rëndësishmja është përgatitja personale e punonjësve sepse kjo shërben si bazë edhe për zhvillimin e mëtejshëm profesional.

“Është esenciale me qenë vetëkritikë dhe i hapur për tu avancuar dhe për tu pajisur me shkathtësi. Ne përmendem gjatë seminarit se është shumë e rëndësishme të fokusohem te pjesa e sjelljes dhe përgatitjes personale të një individi përderisa pjesa profesionale është gjithmonë diçka që konsideroj që mësohet, mjafton të kesh kapacitet, vullnet dhe të ofrohet mundësia dhe resurset brenda kompanisë”, ka shtuar tutje ajo./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC