“Kemi talent për programim, kompanitë e huaja po hapin zyre në Kosovë”

4 Maj '23

“Kemi talent për programim, kompanitë e huaja po hapin zyre në Kosovë”
	 	 

Numri i madh i të rinjve të cilët janë angazhuar në kompani që merren me softuerë dhe shërbime teknologjik dëshmojnë se kosovarët i janë përgjigjur me entuziazëm revulocionit digjital. Kërkesa është gjithnjë e më e madhe. Drenusha Ymeri – menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë softerike “Litera Microsystems” në një intervistë në “Power to HR” ka ndarë shkurt përvojën e saj e të punuar në fushën e burimeve njerëzore në këtë industri e cila sfidohet vazhdimisht me kërkesa sa i përket punonjësve.

Kompania “Litera” ku punon ajo ka bazën në Chicago ku ka mbi 1200 të punësuar nga e gjithë bota. Selia e saj në Kosovë ka rreth 60 të punësuar. Drenusha punon për më shumë se tre vjet në fushën e Burimeve Njerëzore në sektorin e IT-së. Përvoja aty thotë se sa është sfiduese është edhe atraktive pasi që puna e saj e përditshme është me njerëz ambicioz dhe në një fushë nga e cila i ka sytë e gjithë bota. Mbajtja e talentëve në këtë fushë sipas saj po bëhet gjithnjë e më sfiduese, por e thekson me mburrje faktin që në Kosova ka një numër të madh të talentuarve në këtë fushë e të cilët janë të kërkuar edhe nga kompanitë e huaja.

“Kemi shumë talent për programim dhe këtë po e shohin edhe kompanitë nga jashtë dhe kompanitë e huaja po vijnë këtu dhe po hapin zyre. Kjo është definitivisht një mburrje për neve që kemi kaq shumë talentë por në anën tjetër e bën edhe më sfiduese që të gjenden këta profesionistë. Shumë kompani po kanë mungesë të programerëve dhe si rrjedhojë pastaj po është një luftë për ta marrë talentin mirëpo është një industri shumë e mirë dhe jam krenare që jam pjesë e kësaj industrie”, ka thënë ajo për AkademiPune.

Kompania “Litera” ku është e angazhuar Drenusha ka qenë në ballë të teknologjisë ligjore për 25+ vjet. Si një lider global në fluksin e punës, rishikimin dhe analizën e kujdesit të duhur të fuqizuar nga AI, bashkëpunimin dhe zgjidhjet e menaxhimit të dhënave, “Litera” u ofron ekipeve ligjore teknologji të thjeshtuar për krijimin, analizimin dhe menaxhimin e dokumenteve, marrëveshjeve, çështjeve dhe të dhënave të tyre. Produktet e “Litera” ndihmojnë firmat ligjore dhe ekipet ligjore të korporatave në mbarë botën që të punojnë në mënyrë më efikase, të saktë dhe konkurruese për t’u ofruar klientëve të tyre informacion të përdorshëm dhe të zbatueshëm

Drenusha Ymeri

Drenusha Ymeri: Në këtë fushë, nuk ka rëndësi niveli i studimeve por aftësitë

Sipas Drenushës niveli i studimeve po zbehet karshi aftësive që nevojiten për tu kyçur dhe për të zhvilluar karrierën në fushën e teknologjisë.

“Realisht në këtë fushë nuk ka shumë rëndësi se çfarë niveli të studimeve ke, a ke përfunduar nivelin Bachelor apo Master me rëndësi janë aftësitë dhe njohja e gjuhëve programuese dhe teknologjisë së fundit”, ka thënë ajo për AkademiPune.

Drenusha Ymeri ka qenë një prej afro 300 pjesëmarrësve në samitin e parë të Burimeve Njerëzore në vend “Power to HR”. Sipas saj një event i tillë ka qenë shumë i nevojshëm veçmas të dëgjojnë edhe nga menaxher të njohur të burimeve njerëzore që përvojat e tyre që të zbatohen edhe në kompanitë në Kosovë.

“Është kënaqësi për mua dhe në këtë fushë është pikërisht ajo që na u është dashur neve në Kosovë, kështu që e përgëzoj Arionin dhe KosovaJob për një organizim të tillë. Janë prekur shumë tema të qëlluara, shumë tema relevante për neve në HR dhe është një mundësi e mirë qoftë të dëgjojmë prej pjesëmarrësve nga vendi jonë apo vendet e tjera”, ka thënë ajo.

“Power to HR” është mbajtur në shkurt të këtij viti  ku folës kryesor kanë qenë Serdzan Şimşek Arnautović – menaxher i rekrutimit në META dhe Anne Morrison, themeluese e BBC Academy. Mysafire speciale ka qenë Hava Maloku – shqiptarja e vetme që punon në LinkedIn. / AkademiPune

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC