Bleonita Sejdiu, shqiptarja që u bë “kampione gjermane”

24 Prill '23

Bleonita Sejdiu, shqiptarja që u bë “kampione gjermane”
	 	 

Bleonita Sejdiu është emër mjaft i përfolur nga ky fillimvit në Gjermani. Ani pse atje shkoi që nga mosha 18-vjeçare fitoi shkathtësitë e duhura dhe pas tre vjet qëndrimi atje, arriti të shpallet shitësja më e mirë në Gjermani. Si një kampione me trofe, ajo është uruar e vizituar edhe nga figura të njohura gjermane. Në një intervistë për AkademiPune, ajo ka treguar për rëndësinë e profesionit të saj dhe cila ishte rruga e saj deri te ky shpërblim.

Bleonita Sejdiu është nga fshati Runik i Skenderajt, ku ka mbaruar shkollimin fillor dhe të mesëm. Në moshën 18-vjeçare, ajo ka braktisur Kosovën për të vazhduar jetën në Gjermani ku qëndron që tre vite e gjysmë. Atje, Bleonita ka mbaruar shkollimin profesional për shtije që përfshin shitjen, përgatitjen, dekorimin, marketingun, paketim dhuratash, dizajnin dhe përshkrimin e tabelave te produkteve dhe se fundi. Atje i hyri edhe garës kombëtare në Winheim në këtë fushë ku edhe triumfoi. Ajo kaloi të gjitha garat duke filluar nga rajonale deri te gara më e madhe në Gjermani ku ka fituar vendin e parë duke u bërë "Kampione Gjermane" në shtije”.

Vizita e kryebashkiakut dhe falendërimit që është banore e Marsburgut

Ajo ka treguar për AkademiPune se ky çmim i ka hapur edhe shumë dyer të tjera në botën e biznesit dhe është shpresë dhe këmbëngulje drejt hapave edhe më të mëdhenj për të ardhmen.

“Kjo është një ndër gjerat më madhështore qe ka pasur mundësi të më ndodhë ndonjëherë. Jam e lumtur pafund sepse me hapi dyert në boten e biznesit dhe fitova një burse për te mbaruar një specializim i cili me jep të drejtën që të punoj si profesoreshe ne vendet ku bëhet praktika si edhe ne shkollat profesionale, gjithashtu jam e ftuar në garën me te madhe të këtij vitit që të jem pjese e jurisë”, ka shpjeguar ajo.

Sipas artikullit gjerman, ky rrugëtim për Bleonitën ishte sfidues për shkak se njohuritë e saj të gjuhën vinin nga televizioni, sistemi arsimor gjerman ishte i huaj për të dhe as prindërit nuk mund ta ndihmonin shumë. Por, çfarë e karakterizonte Bleonitën ishte vullneti i madh, përkushtimi në vendin e punës dhe dëshira për shkollën. Ajo për shumë pak kohë e mësoi gjermanishten nga puna e saj dhe përvoja me klientët. “Nëse dëshironi, mund të bëni gjithçka. Thjesht nuk duhet të dorëzoheni”, kishte thënë ajo.

Më këtë çmim, Bleonita mori edhe vëmendjen e mediave gjermane. Ajo ishte vizituar edhe nga kryebashkiaku i Marsbergut, Thomas Schröder së bashku me përfaqësues të tjerë të lartë të cilët shihet në një fotografi prapa shqiptares kampione.

 “Pasi mora çmimin u nderova edhe nga  Thomas Schröder  i cili  tha se ndihej si ta kishte fituar qyteti i tij Champions Ligen dhe më falënderoi qe jam bërë banore e këtij qyteti”, ka thënë tutje ajo për AkademiPune.

Bleonita drejt biznesit të saj personal në Gjermani e Kosovë

Bleonita është optimiste teksa bën planet për të ardhmen. Ajo do të vazhdojë studimet dhe specializimin e fundit në këtë fushë, si dhe të studiojë marketing. Pos, kësaj synon biznesin e vetë personal në Gjermani dhe pas kësaj të vij dhe në Kosovë të hap një biznes.  

“Unë  momentalisht  po mendoj ta mbarojë edhe specializimin e fundit e më pas ta kem biznesin tim këtu, e më vonë mendoj që ta hap një biznes në Kosovë ku sado pak te kontribuoj për vendin tim dhe për të rinjtë e tij”, ka thënë tutje ajo.

Bleonita pasi po prekë me hapa të sigurt ëndrrën e saj ka një mesazh edhe për të rinjtë Kosovë që të mos ndalen kurrë së besuari në vetveten.

“Unë kam një mesazh për të gjithë rininë që të besojnë shumë në vetvete sepse do t’ia dalin, unë e di që ata munden se Kosova është e mbushur me njerëz të aftë e me talente të ndryshme, dhe të mos dorëzohen kurrë e të luftojnë për ëndrrën e tyre se shprese ka çdoherë, rrugët e jetës janë plot mundësi e që shpresoj shumë që edhe Kosova të krijojë mundësi që të rinjtë ta gjejnë veten ne profesione të ndryshme në mënyrë që Kosova t'i mbaj për vete të gjithë këta të rijnë me entuziazëm e dëshirë për pune. Për fund dua të shprehë një falënderim të veçantë për familjen time e cila çdoherë ka qenë krah mbështetës dhe shtytës  që unë t'i arrijë këto suksese”, ka thënë tutje ajo./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2026 - KosovaJob LLC