“Project Space 17”, hapësira në Prishtinë që bashkon profesionistë të ndryshëm

16 Mars '23

“Project Space 17”, hapësira në Prishtinë që bashkon profesionistë të ndryshëm
	 	 

Një vend me ndriçim e hapësirë të mjaftueshme është një prej hapësirave ku kalojnë ditët profesionistë të fushave të ndryshme. Prej “Project Space 17”, kryhen punë që lidhen me profesione të ndryshme. Pjesëmarrësit mund edh të shkëbejnë përvojat e tyre. AkademiPune ka realizuar një intervistë me Sihana Klisuricën nga “Project Space 17”, e cila ka treguar për funksionin e “Project Space 17” dhe mundësinë për të punuar në këtë ambient, i cili është i përshtatshëm veçmas për ata që punojnë si “freelancer” (të pavarur).

“Project Space 17”? ka hapur dyert me 13 nëntor të vitit 2018, me idenë që të shërbej si një hapësirë e përbashkët e punës gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e edukative. “Project Space 17” është një hapësirë e sigurt që kontribuon në rritjen e vitalitetit kulturor përmes llojshmërisë së ngjarjeve dhe aktiviteteve në formatin e hapësirës së përbashkët të punës dhe hapësirës së ngjarjeve, si dhe luan rolin e një platforme gjithëpërfshirëse ku arti dhe kultura takohen me aktivizmin për të sjellur ndryshim.

 

Sihana Klisurica ka treguar se “Project Space 17” që nga dita e hapjes luan rolin e hapësirës së përbashkët të punës dhe gjatë kësaj periudhe ka mirëpritur individ dhe grupe të ndryshme të cilët/cilat kanë zgjedhur “Project Space 17” si vend për të punuar. Pije e shumë libra është një mundësi nga e cila mund të përfitojnë ata që punojnë në këtë hapësirë.

“Duke qenë se është një hapësirë e vogël (por e ngrohtë) ne ofrojmë opsionin e rezervimit të një ulëse me mundësi të pagesës  ditore, javore apo mujore. Project Space 17 po ashtu ka një mini-bar ku shërbehen pije të ndryshme, dhe një bibliotekë me mbi 800 tituj nga fusha të ndryshme si arti, kultura, historia, teatri, arkitektura. Kjo do të thotë se individët apo grupet që vijnë për të punuar mund të shfletojnë librat në bibliotekë, qoftë për ndonjë hulumtim që janë duke e bërë, për ndonjë referencë apo edhe vetëm për lexim”, ka treguar tutje ajo.

Jack Butcher: Ky është vendi im i preferuar për të punuar

Gazetari Jack Butcher kur don të shkëputet nga puna në shtëpi vjen në hapësirën e “Project Space 17”. Aty thekson se gjen atmosferën e mirë e cila në të njëjtën kohë ka edhe qetësinë e mjaftueshme për tu fokusuar në punët e tij të përditshme që lidhen me shkrimin.

“Ky është vendi im i preferuar për të punuar në Prishtinë pasi që të jep energji pozitive, kreativitet dhe miqësi. Unë e përdor rregullisht hapësirën e punës këtu që është një shëkputje e mirëseardhur nga puna që bëj në shtëpi.  Atmosfera e qetë është e përkryer për të qenë produktiv dhe i fokusuar”, ka thënë ai për AkademiPune.

Për gazetarin Jack Butcher “Project Space 17” është bërë një vend ideal për të takuar njerëz nga profile të ndryshme dhe për të shkëmbyer mendime për çështje të ndryshme nga ato të profesionit të tij. Kjo shpesh i ndihmon për të nxjerrë pikëpamje të reja sa i përket sfidave të vjetra. Ai pëlqen gjithçka që ia jep ndjenjën e rehatisë dhe të pozitivitetit në kujdesin dhe gjërat e vogla që pjesëmarrësit ndajnë me njëri-tjetrin.

“Më pëlqen veçanërisht sa komode është hapësira me të gjitha bimët dhe librat, dhe i vlerësoj gjestet e vogla kur njerëzit sjellin një tortë të bërë vetë ose ndajnë me ne limonadë të freskët”, ka shpjeguar tutje ai.

Një hapësirë që ofron edhe mundësinë e socializimit

Këto kushte që ofron “Project Space 17”, sipas Sihanës kanë ndikuar në rritjen e vazhdueshme të numrit të të interesuarve për shfrytëzim të hapësirës.  Kjo hapësirë përveç atyre që angazhohen për të punuar aty, mirëpret edhe studentët. Kjo u mundëson atyre që ta kenë edhe lirinë për socializim apo edhe për tu përfshirë në biseda e procese që kontribuojnë në rritjen e tyre personale apo profesionale.

“Individët apo grupet që vizitojnë “Project Space 17” janë të ndryshme, nga sfonde, mosha dhe profesione të llojllojshme. Studentët zakonisht vijnë në prag të ndonjë punimi apo hulumtimi për fakultet, ku po ashtu shfletojnë libra nga biblioteka”, ka shpjeguar tutje ajo për AkademiPune.

“Project Space 17” në mbrëmje shndërrohet në hapësirë për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative. Aktivitete që organizohen janë: Nata e Poezisë, Performanca Muzikore, Biseda me artistë/e, prezantime, punëtori, panele diskutimi, ligjërata. “Project Space 17” krahas aktiviteteve që ka në program është nikoqire edhe e programeve të Galeria 17 dhe Rezidenca 17 (dy hapësirat e tjera që Shtatëmbëdhjetë tash menaxhon). Po ashtu ofron edhe mundësinë e rezervimit nga individ, grupe, apo organizata të tjera që të organizojnë aktivitetet e tyre në hapësirë.

 Project Space 17 është e hapur çdo ditë nga e hëna deri në të premten nga ora 10:00 – 17:00. Rezervimi bëhet përmes regjistrimit web faqes, emalit ose edhe ne rrjetet sociale të “Project Space 17”.

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC