Shkëputjet e shpeshta për të pirë cigare, shpesh i mbajnë një pjesë të punonjësve më larg nga vendi ku i kryejnë punët e tyre. Derisa pjesa tjetër që nuk pinë duhan vazhdojnë punën e tyre. Një kompani në Japoni vendosi të ndërmarrë masa ndaj kësaj.
Pasi një punonjës që nuk pi duhan parashtroi një ankesë në lidhje me atë se si shkëputjet për të pirë cigare po ndikonin në produktivitet, kompania marketingut “Piala Inc.” bëri një ndryshim në politikën e saj të pushimit me pagesë. Kompania vendosi që të shpërblejë stafin që nuk pi duhan me gjashtë ditë pushim shtesë çdo vit për të kompensuar kohën që duhanpirësit marrin për shkëputjet e cigareve.
Hirotaka Matsushima, një zëdhënës i Piala Inc. ka thënë për The Telegraph se si një punonjës nga stafi që nuk ishte duhanpirës vendosi një mesazh në kutinë e sugjerimeve të kompanisë në fillim të vitit duke thënë se pushimet e pirjes së duhanit po shkaktonin probleme.
Pasi dëgjoi për ankesën, udhëheqësi i kompanisë, Takao Asuka, vendosi t'u jepte punonjësve jo duhanpirës pushim për të kompensuar këtë kohë.
Shkëputjet shpeshta të cigareve nënkuptonin që shumë punonjës ishin larg nga tavolinat e tyre mbi 15 minuta çdo ditë, shtoi Matsushima.
Politika për të inkurajuar lënien e duhanit
Ndryshimi në politikën e kompanisë kishte për qëllim edhe të inkurajojë stafin për të lënë duhanin.
“Shpresoj të inkurajoj punonjësit që të lënë duhanin përmes stimujve dhe jo dënimeve apo detyrimeve”, tha Asuka për Kyodo Neës.
Një përqindje më e lartë e të rriturve japonezë pinë duhan krahasuar me amerikanët. Vetëm vitin e kaluar përqindja e të rriturve japonezë që pinë duhan kishte rënie nën 20 për qind. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, burrat japonezë kanë tre herë më shumë gjasa të pinë duhan sesa femrat japoneze.
Rreth 130,000 njerëz vdesin çdo vit në Japoni nga sëmundjet e lidhura me duhanin, dhe 15,000 të tjerë vdesin nga kushtet e lidhura me duhanin, ka thënë Susan Mercado, një zyrtare e OBSH-së për The Japan Times.
15 për qind e të rriturve amerikanë pinë duhan, nga 20 për qind sa ishin shifrat në vitin 2005. Rënia e duhanpirësve amerikanë është pjesërisht për shkak të iniciativave shëndetësore dhe ligjeve që ndalojnë pirjen e duhanit në zona të caktuara, shitësve me pakicë që nuk shesin më cigare dhe reklamave televizive kundër duhanit.
Në fillim të këtij viti, guvernatori i Tokios, Yuriko Koike tha se kishte në plan të vendoste një ndalim të pirjes së duhanit në vendet publike në të gjithë qytetin përpara Olimpiadës Verore 2020. Por frenimi i përdorimit të duhanit në Japoni ka të ngjarë të jetë i vështirë, siç ishin në SHBA përpjekjet të ministrisë së shëndetësisë së vendit për të ndaluar pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura në restorante. Ato u zvogëluan pasi lobistët ushtruan presion ndaj politikanëve.
Megjithatë, deri më tani, masa e marrë nga Piala Inc. duket se po funksionon. Katër nga 42 punonjësit e kompanisë që pinë duhan kanë hequr dorë tashmë nga ky zakon./ AkademiPune