Si ndikon puna katër ditë në javë në reduktimin e stresit?

14 Mars '23

Si ndikon puna katër ditë në javë në reduktimin e stresit?
	 	 

Puna katër ditë në javë në vend të pesë ditëve me të njëjtën pagë- çon në përmirësimin e mirëqenies mes punonjësve pa dëmtuar produktivitetin e kompanisë. Ky është rezultati i një studimi që ka zgjatur gjashtë muaj nga qershori deri në dhjetor të vitit 2022, dhe përfshiu gjithsej 61 kompani në Mbretërinë e Bashkuar me një fuqi punëtore të kombinuar prej rreth 2,900 punonjësish.

Gjatë pandemisë COVID, shumë punëtorë përjetuan stres të shtuar dhe madje kaluan në një gjendje rraskapitjeje që mund ta bëjë të vështirë arritjen e qëllimeve të punës. Konsulenti i pavarur organizativ, Michael Leiter shpjegon se stresi në vendin e punës e bën të vështirë që kompanitë të rekrutojnë punonjës të rinj dhe të mbajnë punonjësit që i kanë. Por, sipas tij një ndërgjegjësim më i madh për çështjet e lidhura me to mund të ketë një efekt pozitiv. “Njerëzit po kërkojnë më shumë ndryshime në mënyrën se si po organizohet puna,” ka pohuar ai.

Kjo kërkesë është ajo që e shtyu organizatën e pavarur kërkimore “Autonomy” së bashku me grupet e avokimit “4 Day Week Global” dhe “4 Day Week Campaign” dhe studiues në Universitetin e Kembrixhit dhe në Kolegjin e Bostonit dhe institucione të tjera, të publikojnë një raport mbi atë që ndodh kur kompanitë reduktojnë numrin e ditëve brenda një javë pune. Sipas sondazheve të pjesëmarrësve, 71 për qind e të anketuarve raportuan nivele më të ulëta të rraskapitjes dhe 39 për qind raportuan se ishin më pak të stresuar sesa kur filluan testin. Kompanitë përjetuan 65 për qind më pak ditë kur punonjësit kërkonin pushim për shkak se ndiheshin të sëmurë apo për gjëra personale. Dhe numri i dorëheqjeve ishte dyfish më i vogël krahasuar me një periudhë gjashtëmujore të mëparshme. Pavarësisht se punonjësit regjistronin më pak orë pune, të ardhurat në fakt u rritën pak, mesatarisht me 1.4 për qind.

Edhe para pandemisë COVID, kompanitë u përpoqën të përmirësonin mirëqenien e punonjësve me ndërhyrje të tilla si programet e mirëqenies. Raporti i ri sugjeron se një javë pune katër-ditore mund të jetë një mjet për këtë qëllim.

"Ne mendojmë se kjo është një mënyrë shumë më efektive dhe më e fuqishme për të pasur ndikim te punonjësit," thotë bashkëautorja e raportit Juliet Schor, ekonomiste dhe sociologe në Kolegjin e Bostonit. Schor thotë se bërja e këtij ndryshimi me katër ditë punë nuk e dëmton perspektivat e karrierës apo të ardhurat e punëtorëve.

Përveç anketave, studiuesit kryen intervista të thella me pjesëmarrësit në raportin e ri. Nga ato intervista, doli se punonjësit e përdornin ditën shtesë të pushimit kryesisht për punë organizative dhe të përditshme. Kjo, nga ana tjetër, i lejoi ata të rezervonin fundjavën kryesisht për rekreacion, në mënyrë që të kalonin kohë me familjet dhe të zhvillojnë hobit e tyre.

Testi përfshiu kompani nga një sërë industrish. Çdo kompani zgjodhi se si të zbatojë javën e saj katër-ditore - duke e bërë të Premten një ditë pushimi për të gjithë ose duke lejuar punonjësit të zgjedhin çdo ditë pushimi, për shembull. Sondazhi zbuloi se pjesëmarrësit gjithashtu reduktuan orët duke eliminuar detyrat e humbjes së kohës, siç janë takimet e gjata. Nëntëdhjetë e dy për qind e kompanive që morën pjesë në programin pilot thanë se do të vazhdonin të testonin javën katërditore dhe 18 kompani vendosën të mbajnë përgjithmonë orarin e reduktuar të punës./ AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC