Resmije Rahmani është në çdo protestë ku duhet të luftojë për mirëqenien e personave në karrocë. Me aktivizimin e saj nuk ndalet asnjëherë. Rrëfimi i saj është një rrëfim ngadhënjimi mbi realitetin e përditshëm të cilin, Resmije Rahmani e njohur si Biba May e ka sfiduar natyrshëm.
Ajo vuan nga distrofia muskulare progresive. Biba jeton në Prizren ku udhëheqë Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës – OPDMK. Ajo themeloi këtë organizatë për tu bërë zë dhe mbështetje e grave dhe burrave si ajo. Biba për AkademiPune ka rrëfyer historinë e saj frymëzuese që nga koha kur nuk kishte karrocë për të lëvizur e deri të koha kur u siguroi karrocën shumë personave të tjerë.
E lindur në vitin 1980 në Prizren, Resmije Rahmani deri në moshën 7-vjeçare nuk ka pasur asnjë simptomë të distrofisë muskulare. Diagnoza iu konfirmua në moshën 8-vjeçare dhe që atëherë asaj iu pamundësuan shumë aktivitete si fëmijë. Megjithatë ajo nuk u ndalë. Vazhdoi shkollimin me korrespodencë me misionin për tu bërë edhe zë për të tjerët.
“Nuk e lashë këtë sfidë të më pengonte nga synimi im për të ngritur zërin për avancime për barazinë e grave dhe personave me aftësi të kufizuara”, shprehet ajo.
Për shkollimin filloi thotë se kishte hasur në plotë pengesa. Atëkohë Resmije nuk kishte as karrocë me të cilën mund të shkonte në shkollë. Megjithatë e mbaroi shkollën fillore me prani jo të rregullte. Për disa vjet nuk kishte mundësi ta vazhdonte shkollën e mesme. Edhe pse pauzoi për një kohë, megjithatë ajo nuk u dorëzua.
“Shkollën e mesme e vijova pas disa vitesh pauze për shkak të luftës dhe pamundësisë financiare, por kjo nuk ma zvogëloi dëshirën dhe shpresën për të përfunduar shkollën e mesme, fatkeqësisht nuk pata përkrahje nga institucionet shtetërore të Kosovës në Prizren, por falë një donator të huaj arrita të mbaroj shkollën e mesme me korrespondencë”, ka rrëfyer tutje Resmija.
“Motrat më mbanin në kurriz”, Resmija iu atribon motrave ngritjen e saj në shoqëri
Resmije Rahmani sot është një emër i njohur në Prizren dhe përtej. Atkvizimi i saj mori përmasa reale në protesta dhe me praninë e saj kudo. Suksesin sot ua atribuon motrave të cilat thotë se e mbanin në kurriz gjatë kohës kur nuk kishte karrocë.
“Motrat e mia janë meritore për përfshirjen time në shoqëri pasi që ato më mia qe me mbanin ne kurriz kur nuk kisha karroce vetëm qe te përfshihesha dhe të mos ndahesha nga shoqëria, që të mos ndihesha e vetmuar dhe e ndarë nga të gjithë. Me kalimin e kohës me pranoi gjithë qyteti im. U bëra një simbol për ta, mjaftonte të flitej për një karrige me rrota, të gjithë me njohën si bionden me flokë te gjatë sepse isha e vetmja vajzë (me një karrige me rrota) që lëvizë nëpër qytet”, ka thënë ajo.
Biba menjëherë pas luftës e filloi aktivizmin e saj në organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Duke e parë gjendjen jo të mirë të personave me distrofi muskulare, ajo vendosi tu jap një adresë për zgjidhje të vështirësive të tyre. Kështu, në vitin 2003 themeloi Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës – OPDMK.
“Dita ime e zakonshme e punës është komunikimi i përditshëm me gratë dhe personat me aftësi të kufizuara në lidhje me kërkesa të ndryshme për probleme vështirësie, planifikim të përbashkët të aktiviteteve, marrëveshje për ngritjen e zërit për mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara, zgjidhjen e problemeve, ofrimin e ndihmave për lëvizje më të lehtë, karroca etj”, ka shpjeguar Biba.
Ajo thekson se misioni i saj është përmirësimi i kushteve për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Zëri i saj është një zë fuqizues për gjithëpërfshirje dhe barazi. Ajo ka dhe një ëndërr që do ta realizojë.
“Dëshira ime, synimi im për të ardhmen është krijimi i një qendre rehabilitimi multifunksionale për personat mbi 16 vjeç”, ka theksuar ajo.
Biba: Suksesi është më i madh kur luftojmë bashkë
Mesazhi i saj është që të investohet në edukim në mënyrë që secili të kontribuojë në një realitet gjithëpërfshirës që e përkrahë këdo pa dallime.
“Mendoj se duhet të investojmë më shumë në edukimin e hershëm (tekste shkollore) që në fillim për të njohur dhe motivuar brezat e ardhshëm për diversitet në shoqëri, si dhe më shumë praktika vullnetare dhe aktivitete të përbashkëta të grupeve të ndryshme, vetëm kështu mundemi. kontribuojnë për një të nesërme më të mirë dhe gjithëpërfshirëse”, ka theksuar tutje ajo.
Biba kërkon që të përmirësohen kushtet për persona me aftësi të kufizuara. Një mënyrë për ta bërë këtë sipas saj është largimi i egoizmit dhe të gjithë të luftojnë për të gjithë. Ajo kërkon që të zbatohet ligji për personat me aftësi të kufizuara dhe kërkon përkrahje institucione që të integrohen edhe më shumë në shoqëri.
“Zëri më i fortë dhe suksesi më i madh është më i lehtë kur të gjithë luftojmë për të gjithë ne”, ka thënë ajo.
Në Ditën e Gruas, Biba që është një inspirim për çdo grua që duhet të luftojë për të ardhmen e vetë dhe të të gjithëve ka një mesazh. Ai mesazh është që të gjithë të jenë bashkë për të arritur rezultate.
“Asnjëherë mos hiqni dorë nga dëshirat dhe synimet tuaja në jetë, pavarësisht nga gjendja juaj e përgjithshme, jeta është një dhe ne duhet ta përdorim atë sa më mirë që të mundemi, askush nuk mund të bëjë gjithçka, por ne mund ta bëjmë të gjithë së bashku, pak për të gjithë. ne për një të nesërme më të mirë”, ka thënë ajo. / AkademiPune