7 marsi është përherë një ndjesi e veçantë për Naxhije Buçincen. Në këtë ditë veçmas ka shumë takime e telefonata. Në të njëjtën kohë iu kthehet edhe kujtimeve të saj të shumta. Ndonjëherë edhe ajo befasohet me veten, veçmas me vullnetin e madh që shembte çdo pengesë që kishte përpara. E luftonte analfabetizmin në çdo formë.
Edhe kur për këtë i duhej të ndiqte rrugë jo të lehta. Edhe pse kjo ditë e bën t’i peshoj më ndryshe të gjitha arritjet, Buçinca në një intervistë për AkademiPune dëshmon se lufta e saj për arsimimin e veçmas të vajzave shqiptare ka qenë e përditshme. Kështu ka qenë për 65 vjet kontribut në arsim. Kështu thotë se do të mbetet deri në fund të jetës së saj. Por se kontributi i madh thekson se ia ka zbukuruar pleqërinë. Buçinca, e lindur në Ulqin në vitin 1935, këtë mision e filloi para rreth gjashtë dekadash në vendin e lindjes, për ta vazhduar më pas kontributin edhe në Kosovë. Lufta e Dytë Botërore solli një sistem totalitar – komunist në Mal të Zi e familja e saj e njohur për atribute atdhetare pësoi trauma jo të lehta. Babai i saj atëkohë e kishte ngritur flamurin shqiptar në kishë. Për t’iu shpëtuar torturave u zhvendosën në Tiranë, ku Buçinca kreu shkollimin fillor. Meqë ideologjia ishte e njëjtë, babai i saj ra në dorën e komunistëve ku edhe u pushkatua. Megjithatë, babai ia la një porosi. Amanetin e tij, Naxhije Buçinca e bëri mision të përjetshëm.
“Nana e ka pasur emrin Meleqe dhe i ka thanë ‘Mi shkollo fëmijët dhe i drejto kah Kosova, atdheu ynë në tradhtoi dhe atdheu ynë tash është Kosova”, ka rrëfyer Buçinca teksa i është kthyer kujtimeve të fëmijërisë. Kjo bëri që mësuesja Naxhije Buçinca të vijë të shkollohet në Gjakovë për të kaluar pastaj në Prishtinë. Kur intervistohet nga një gazetare për ardhjen e saj nga Ulqini në Kosovë, ajo kishte një përgjigje të prerë. “Kam ardhur që të bëhem mësuese e popullit”, kujton ajo.
Buçinca: Shkollimi i vajzave ishte përcaktimi im jetësor
Bashkëshortin e saj, Fahri Buçincen e kishte krahë të djathtë kudo. Për më tepër, ai kishte dokumentuar gjithçka gjatë asaj kohe. Bashkë kishin udhëtuar në 68 fshatra gjatë viteve ’90. Të pandalshëm e luftonin analfabetizmin te vajzat. Këtë e bënin fillimisht në fshatrat e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Skenderajt. Më pas vazhduan edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Shkollimi i vajzave ishte përcaktimi im jetësor”, shprehet mësuesja Buçinca. Ajo në Vushtrri u bë e njohur si një grua që reagonte ndaj çdo diskriminimi që i bëhej etnitetit të saj e veçmas diskriminimit që u bëhej vajzave. Ajo shkonte në çdo shtëpi dhe fliste me prindërit e veçmas me nënat që të këmbëngulnin për arsimimin e vajzave të tyre. Ajo u fut në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën thotë se nuk e kuptonte si parti, por si lëvizje të madhe popullore për të rezistuar regjimin e Milloshoviqit. Si një zë i gruas ajo donte ta fuqizonte zërin e saj. Ajo kontribuoi në themelimin e Forumit të Gruas në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Nëse familja kishte një euro atëherë atë e jepte për djalin dhe nuk e jepte për shkollimin e vajzave”
Analfabetizmi ishte shkalla e parë që donte ta luftonte. Por, kurrë nuk u ndalë me kaq. Me buzwqeshje dhe fjalwt e zgjedhura zbuste çdo paragjykim.
“Megjithatë shumë më pak kam pasur probleme me analfabetizëm sepse shkollën fillore megjithatë e përfundonin në fshat, kur vinte puna të udhëtonte aty i ndalonin sepse nuk e konsideronin të sigurt. Kështu insistuam të krijuam fondacionin për shkollimin e vajzave”, rrëfen tutje mësuesja Naxhije Buçinca. Veçmas në zonat rurale, ajo haste në një rezistencë të madhe të familjeve që nuk investonin në shkollimin e vajzave.
“Nëse familja kishte një euro atëherë atë e jepte për djalin dhe nuk e jepte për shkollimin e vajzave. Dhe ky ishte diskriminimi”, thekson tutje ajo. Kur familjarët i premtonin se do t’i dërgonin vajzat në shkollë, ajo shkonte dhe i kontrollonte të nesërmen për të konfirmuar nëse kanë shkuar në shkollë.
Puna iu shpërblye dhe sot numërojnë rreth 1000 vajza të cilat u shkolluan falë ndihmës së tyre. Në çdo familje ku trokisnin, çifti Buçinca donin të mbillnin dëshirën e madhe për shkollim të vajzave. Disa prej të cilave ua ka ndërmjetësuar shkollimin kanë arritur të shkollohen edhe në universitete të njohura jashtë Kosovës.
Bashkë me bashkëshortin themeluan Fondin e Çiftit Buçinca me anë të së cilit për shumë vjet kontribuuan në arsimin e vajzave. Fillimisht kur vetëdijesimi ishte më i ulët ata kërkonin shkollimin fillor e të mesëm të vajzave, kurse më vonë luftonin për shkollimin universitar të tyre. Ata trokisnin nëpër universitet private për të kërkuar ndihmën e donatorëve. Pasluftës veçmas kishin gjetur mbështetjen e kolegjet private “Iliria” dhe “Globus”. Njëra prej vajzave që e kishte përkrahur ajo kishte fituar bursë në Oxfort, në Angli. “Kjo ishte fitorja ime më e madhe, nuk ka para që e paguan. Për këtë punë kurrë nuk kam kërkuar pagesë, por e kam pasur mbështetjen shumë të madhe të njerëzve”, thekson ajo.
Kudo që është prezantuar thotë se është prezantuar si mësuese dhe këtë titull e ka mbajtur me shumë nder. Nëna thotë se jep jetën dhe shëndetin dhe mësuesja duhet që ta bëj fëmijën të dijshëm, të pavarur dhe dinjitoz që ata ta përcjellë edhe të gjeneratat e tjera. “Për ta ndërtuar një fëmijë, shkolloje” – është mesazhi i saj.
Fëmijëve gjithmonë thotë se u është drejtuar me fjalë ledhatuese. “Më thonë asnjëherë nuk na ka thirr veçmas me zërin “pëllumb” dhe “zemër”. Jam munduar të shtrijë shumë dashuri sepse dashuria është çelësi i gjithë njerëzimit nëse e respektojnë atë”, ka thënë tutje ajo.
Në çdo 7 mars merr shumë urime, dhurata, telefonata e fjalë të mira. Ajo nuk lodhet kurrë se foluri për dëshirën e madhe për shkollimin e vajzave dhe pavarësinë e tyre.
“Këto gjëra m’i kanë dhënë pleqërisë kuptim. Më të vërtetë një pasuri. E paskam pasur me të drejtë gjithçka që kam bërë sepse shih si po ndihem në këtë pleqëri: kaq mirë”, përfundon intervistën ajo. /AkademiPune