“Power to HR”, eventi që mblodhi të gjithë profesionistët e BNj në një vend

27 Shkurt '23

“Power to HR”, eventi që mblodhi të gjithë profesionistët e BNj në një vend
	 	 

Me folës të zgjedhur e tema që prekin aktualitetin e fushës së Burimeve Njerëzore, samiti global i BNj në Kosovë “Power to HR” i organizuar nga KosovaJob, ka krijuar një standard të ri të organizimit në këtë fushë. Duke hapur shtigje të reja për thellim diskutimi në këtë fushë e me premtimin për një edicion të dytë edhe më të fuqishëm.

Në fjalimin hapës të themeluesit dhe drejtuesit të KosovaJob, Arion Rizaj u ka uruar mirëseardhje gjithë të pranishmëve duke i falënderuarqë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së KosovaJob në samitin e parë global për “Power to HR”. Nën moderimin e aktorit dhe moderatorit, Lulzim Bucolli, “Power to HR” ka sjellur perspektivën globale të BNj të bazuar në përvojën e folësve kryesorë, Serdzan Şimşek Arnautović – menaxher i rekrutimit në META dhe Anne Morrison me përvojë të gjatë në BBC Academy. Lulzimi me një moderim larg formaliteteve ka bërë që të gjithë pjesëmarrësit të ndihen të lidhur me folësit e panelistët.

Anne Morrison ishte folësja e parë e samitit e cila tregoi çelësin e suksesit për t’i mbajtur talentët. Pika kryesore së cilës duhet t’i kushtohet prioritet për ta arritur këtë është t’iu kushtohet kujdes punonjësve pasi që ata janë ambasadorët më të mirë të kompanisë. “Nëse kujdeseni për punëtorët tuaj, ata do të kujdesen për klientët tuaj”, ka treguar producentja dhe regjisorja e njohur që ka përvojë të gjatë me BBC Academy dhe me festivalin “Bafta”.

Menaxheri i rekrutimit në gjigandin Meta, Serdzan Şimşek Arnautović ka folur rreth rritjes dhe tërheqjes së talenteve për të ardhmen: Si munden kompanitë t’i kuptojnë, përshtatin dhe zbatojnë strategjitë e rekrutimit që korrespondojnë me epokën e re”. Ai është ndalur në tri faza “Kupto, Adapto dhe Plaso”. Një pikë ku është ndalur Arnautovic janë të dhënat. Sipas tij të dhënat janë thelbësore në çdo fushë. Në mes të opinionit dhe të dhënave ka thënë se zgjedhë gjithnjë të dhënat. Ai ka veçuar aftësitë si thelbësorë për të kërkuar te një kandidat dhe në mënyrën se si mund të transformohen ato brenda kompanisë.

Mysafire speciale e eventit ka qenë, Hava Maloku e cila ushtron pozitë menaxheriale në rrjetin më të madh të punësimit dhe biznesit në botë, “LinkedIn”. Fjalimet e saj para publikut të huaj kanë qenë të shpeshta, por në Kosovë perspektiven e saj e ka ndarë me një ndjenjë të emocioneve më të veçanta. Ajo ka shtjelluar fjalimin e saj rreth brendimit të kompanive dhe rreth gjërave që duhet të shmangin kompanitë për të fituar më të talentuarit në ekipin e tyre.

Një eksperiencë e veçantë mes diskutimeve ka qenë edhe vallëzimi, e inkuadrimi i publikut me pyetje të ndryshme. Pauzat mes tyre kanë qenë mundësia ideale për pjesëmarrësit për tu lidhur e për të reflektuar mbi diskutimet dhe eksperiencën e re të ndërtuar në këtë organizim. Duke dalur jashtë kornizave të formaliteteve dhe duke i bërë të gjithë të pranishëm, “Power to HR” është bërë një dritare e re e rëndësishme në këtë fushë.

Rizaj: U arrit motoja e eventit “Krejjt HR-at në një vend”

“Krejt HR-at në një vend” – ka qenë motoja rreth së cilës ka nisur dhe është zhvilluar e gjithë ngjarja. Me një organizim të detajuar e më përkushtim, “Power to HR” qysh me edicionin e parë e ka arritur qëllimin e vetë. Ka mbledhur 356 profesionistë të fushave të ndryshme, ku 90 % e tyre kanë qenë profesionistë nga industria e burimeve njerëzore. Vetë numri i pjesëmarrësve e ka bindur udhëheqësin e këtij organizmi, Arion Rizaj që qëllimi për t’i mbledhur të gjithë profesionistët e BNj në një vend është arritur. Por, përshtypjet e pjesëmarrësve kanë qenë një perforcues edhe më i mirë i kësaj.

Planifikimi dhe organizimi i eventit ka zgjatur më shumë se tre muaj me punë shumë intensive, ku janë diskutuar shumë detaje lidhur me përgatitjen dhe agjendën e eventit. Përshtypjet nga të pranishmit kanë qenë jashtëzakonisht të mira të cilët janë ndarë shumë të kënaqur me organizimin, rrjedhën dhe përmbajtjen e eventit”, ka thënë Arioni për AkademiPune.

KosovaJob - një dekadë si urë lidhëse në punësim, “Power to HR” urë lidhëse mes profesionistëve të HR

Arion Rizaj – themelues dhe udhëheqës i plarformës numër një në Kosovë sa i përket punësimit përgjatë samitit në një sesion të shkurtër ka përshkuar në rrugëtimin prej një dekade të KosovaJob që nisi me skenimin e konkurseve të shpallura në gazeta. Besimi në hapësirën virtuale atëbotë ishte i mangët. Sot, një dekadë pas kur të gjitha gazetat e shtypura janë mbyllur, KosovaJob ka përmbushur misionin e saj duke u bërë platforma kryesore e punësimit në vend dhe ura lidhëse më e besueshme mes punëdhënësve dhe punonjësve. Në një dekadë, duhej të bëhej diçka edhe për profesionistët e burimeve njerëzore – një fushë që u zhvillua hovshëm dekadën e fundit. KosovaJob erdhi me “Power to HR”. Qysh në ditët e para kur u lansua ftesa për “Power to HR” u shit numri më i madh i biletave. Për ekipin e “Power to HR” dhe vetë Arionin ky ishte një konfirmim për të punuar edhe më fuqishëm në organizimin final të eventit.

“Duke qenë se ishte hera e parë që organizohej një samit i burimeve njerëzore në Kosovë, interesimi ka qenë shumë i madh duke u shitur 70% të biletave që në 20 ditët e para. Të gjithë të pranishmit kanë shprehur se u kishte munguar një organizim si “PowertoHR” në Kosovë i cili më në fund u realizua nga KosovaJob. Pjesëmarrësit e kanë parë si mundësinë ideale për tu zhvilluar më tej në këtë fushë dhe nga përshtypjet e tyre e kam parë që kanë dalur shumë të kënaqur nga eventi”, ka thënë tutje Arioni për AkademiPune.

Pas shumë përshtypjeve pozitive si nga folësit, panelistët dhe të gjithë pjesëmarrësit, Arioni ka thënë se nga ta janë të motivuar që ta bëjnë këtë ngjarje tradicionale, madje duke ngritur edhe më tej standardin e organzimit.

“Një event i tillë meriton të mbahet më shpesh në Kosovë dhe ne si KosovaJob premtojmë që do e organizojmë çdo vit ku do të ngrisim nivelin dhe standardin çdo herë e më shumë. Sigurisht që interesimi do të rritet për të marrë pjesë dhe do mundohemi që herën e ardhshme të ketë më shumë hapësirë për të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e PowerToHR”, ka thënë tutje Arioni.

Eventin e kanë karakterizuar edhe dy panele diskutimi duke sjell perspektivën e profesionistëve vendor dhe nga rajoni sa i përket fushës së burimeve njerëzore. Paneli i parë është udhëhequr nga Gent Shala, me panelistë Fikret Zeneli, Abdylkerim Ratkoceri, Albina Metaj- Ajvazi, Arben Abrashi. Paneli i parë është fokusuar drejt gjetjes së çelësit për t’i mbajtur punëtorët e lumtur brenda kompanisë. Paneli i dytë është moderuar nga Kushtrim Puka me panelistë Zana Havolli, Milaim Mjeki, Artka Koka Grubi dhe Hana Gashi-Salihu ku kanë diskutuar rreth strategjive të rekrutimit për të tërhequr njerëz në epokën digjitale. Në të njëjtën kohë të dy panelet janë karakterizuar me diskutim për tema të reja të nxitura nga pyetjet e publikut.

AkademiPune gjatë ditëve në vijim do të ju sjell në pika të shkurtra përmbledhje të folësve kryesorë, panelistëve dhe shumë intervista që lidhen me samitin e parë global të burimeve njerëzore në vend. / AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC