Si të mbahen profesionistët në punë, tregon Anne Morrison që themeloi “BBC Academy”

15 Shkurt '23

Si të mbahen profesionistët në punë, tregon Anne Morrison që themeloi “BBC Academy”
	 	 

“Njerëzit më të mirë që bëjnë më të mirën e tyre: Si t’i tërhiqni dhe t’i ruani superyjet e së nesërmes?” – Kjo është tema mbi të cilën do ta shtjellojë ligjëratën e saj Anne Morrison në Samitin e parë të Burimeve Njerëzorë “Power to HR” që po organizohet në Kosovë nga KosovaJob. Ajo ka qenë një ndër njerëzit kryesor që kanë udhëhequr me BBC Academy dhe ka realizuar projekte të mëdha televizive në këtë gjigand medial. Ajo aktualisht është ndër njerëzit kryesor në Institutin e lartë të edukimit “Pearson College London”. Ajo është Producente Ekzekutive dhe Kryesuese e Bordit në NED and Trustee – e cila ka 15 vjet përvojë në udhëheqjen e rekrutimit. Ajo aktualisht është Drejtoreshë Kreative e një kompanie të pavarur të prodhimit të filmit dhe televizionit të quajtur “Nevision”.

Ajo është rritur në Irlandën e Veriut në kohën konfliktit. Prej atje u largua për të studiuar Letërsi Angleze në Universitetin e Kembrixhit. Më pas u transferua në Londër ku ka punuar për shumë vite në televizionin e njohur “BBC”, ku ka drejtuar departamentet e dokumentarëve, filmave artistikë dhe ngjarjeve që transmetoheshin drejtpërdrejt. Përgjegjësitë e saj u rriten vazhdimisht sa që numri i njerëzve që menaxhonte shkoj në 1000 njerëz. Morrison realizonte qindra orë programe në vit. Për të pasur kualitet në to thotë se ishte esenciale të mund t’i mbanin njerëzit e talentuar dhe profesionistë. Për këtë themeloi “Akademinë e BBC-së” brenda këtij televizioni.

“Ne ishim shumë të varur nga talenti krijues që ishim në gjendje të tërhiqnim dhe ruanim për cilësinë e atyre programeve. Më vonë, themelova Akademinë e BBC-së dhe drejtova të gjitha trajnimet e BBC-së”, ka treguar Morrison, e cila më vonë u bë Kryetare BAFTA-s dhe ku u fokusua në kërkimin e filmave, lojërave dhe yjet e së nesërmes, përmes skemave të tilla si “Breakthrough Brits”.

Anne Morrison tregon faktorët që ndikojnë në motivimin e punonjësve

Hapi i pazakontë për të ka qenë kalimi nga krijimi i programeve në krijimin e trajnimeve. Kjo ka qenë për shkak të pasionit të saj të madh sa i përket arsimit dhe besimin e palëkundshëm në zhvillimin e aftësive përgjatë karrierës. Këtë e ka bërë për të hapur një dritare më lehtë të depërtueshme për të rinjtë në botën e medias.

“Fatkeqësisht, në biznesin e medias është shumë e vështirë të depërtosh në fazat e hershme, kështu që doja ta bëja më të lehtë hyrjen për njerëzit e talentuar që nuk kanë shumë lidhje dhe që vijnë nga vende të ndryshme. Kemi zbatuar shumë skema për hyrje të reja të cilat janë një mënyrë e shkëlqyer për të filluar karrierën tuaj mediatike. Për sa i përket motivimit të stafit ekzistues, kam zbuluar se faktorët kryesorë janë rrënjosja e një sensi qëllimi dhe shpirti ekipor, të kesh një kulturë të hapur në të cilën reagimet shkojnë në të gjitha drejtimet, qartësia, autonomia dhe një atmosferë respekti dhe drejtësie”, ka thënë ajo për AkademiPune.

Ajo aktualisht është themeluese dhe Drejtoreshë Kreative e një kompanie të pavarur të prodhimit të filmit dhe televizionit të quajtur “Nevision”. Aty realizojnë programe të shkruara dhe jo të shkruara dhe kanë kompani të ngjashme në Skandinavi dhe SHBA. Në kuadër të punës janë shpërblyer me shumë çmime për dokumentarin "The Missing Children", dhe këtë vit ne po planifikojnë të bëjmë një dramë që zhvillohet në Skoci, ku është protagonist Brian Cox.

Morrison: Ajo që i mban njerëzit të angazhuar është ndjenja se ata mund të mësojnë aftësi të reja

Morrison thekson se ajo që e bën një kompani tërheqëse për punonjësit është ajo në të cilën drejtuesit praktikojnë atë që predikojnë dhe ku njerëzit mendojnë se mund të kontribuojnë si individë, në vend që të shihen si njësi prodhimi.

“Disa liderë pëlqejnë të vendosin stafin kundër njëri-tjetrit për të ngjallur një ndjenjë konkurrence, por zakonisht më është dëshmuar se kjo është kundërproduktive. Ajo që i mban njerëzit të angazhuar është ndjenja se ata mund të mësojnë aftësi të reja, të rrisin përvojën dhe përparimin e tyre brenda kompanisë. Kjo është shpesh më e rëndësishme si motivues sesa pagat e larta”, ka thënë tutje ajo.

Ajo për shumë kohë ka qenë edhe një ndër njerëzit më të rëndësishëm në festivalin “BAFTA”, i cili organizon shumë ceremoni çmimesh gjatë gjithë vitit në televizion, film dhe lojëra të ndryshme. Morrison e donte punën e madhe mrapa tij por edhe shkëlqimin e tapetit të kuq.

“Më pëlqeu mundësia për t'u veshur, për të ecur në tapetin e kuq dhe për të prezantuar secilën nga ceremonitë në skenë! Megjithatë, ajo që dihet më pak është se BAFTA është gjithashtu një shoqatë bamirëse e cila punon gjatë gjithë vitit për të identifikuar, mbështetur dhe frymëzuar talentët më të mirë brenda industrisë së medias dhe ata që duan t'i bashkohen asaj”, ka thënë tutje ajo.

Angazhimi i saj nga i cili nuk mund të shkëputet asnjëherë është fusha e edukimit. Ajo është pjesë e organit drejtues të “Pearson College London”, i cili mëson animacion, efekte vizuale dhe lojëra, si dhe studime biznesi. Ajo është mjaft e angazhuar si trajnere ku nëpërmjet kësaj pune mundohet t’i ndihmojnë njerëzit që të jenë të suksesshëm në karrierën tyre dhe për ta shmangur disa gabime..

“Gjatë kohës sime në Akademinë e BBC-së, kuptova se shumë kurse universitare të medias nuk janë shumë të rëndësishme për industrinë në të cilën studentët aspirojnë të bashkohen. Në Kolegjin Pearson, ne punojmë ngushtë me punëdhënësit në hartimin, mësimdhënien dhe vlerësimin e kurseve, që do të thotë se kemi nivele shumë të larta punësimi pas diplomimit”, ka treguar ajo.

Sipas Morrison duhet përkushtim në shumë aspekte përtej punës

Këshilla e saj është që kujdesi për shëndetin mendor dhe fizik të jetë në rend të parë, veçmas kur bëhet fjalë për punët stresuese.

“Rezistenca ndaj goditjeve dhe zhgënjimeve të pashmangshme është thelbësore dhe për ta arritur këtë, unë shpesh i këshilloj njerëzit që të "zgjeroni burimet e vetëvlerësimit tuaj", ka thënë tutje Morrison. Ajo është kundër përkushtimit të plotë ndaj punës. Sipas saj sado joshëse dhe e fortë të jetë lidhja me punën nuk duhet një dedikim i plotë ndaj saj i cili përjashton gjithçka tjetër.

“Do t'ju shërbejë më mirë të jetoni një jetë të balancuar dhe të ushqeni miqtë, familjen, hobitë dhe interesat e tjera në mënyrë që të keni shumë aspekte të jetë që të ju sjellin gëzim dhe jo vetëm një aspekt”, ka thënë ajo në një intervistë për AkademiPune.

Për të kjo është hera e parë që vjen në Kosovë andaj dhe emocionet i ka të mëdha në mënyrën se si do të zhvillohet diskutimi i saj me pjesëmarrësit e samitit të parë të burimeve njerëzore në Kosovë.

“Nuk kam qenë kurrë më parë në Kosovë, kështu që jam e emocionuar që do të shoh një pjesë të botës që është e re për mua. Jam po ashtu e interesuar të dëgjoj pikëpamjet e atyre në samit për temat që do të diskutoj dhe nëse ato përputhen me përvojën e tyre ose e kundërta”, ka thënë tutje ajo.

“Mezi pres të takohem me ju dhe të ndaj mendimet e mia se si të tërheqim dhe mbajmë prioritetin më të rëndësishëm për çdo biznes - talentët tanë!”, është mesazhi i saj për fund.

Samiti i parë i Burimeve Njerëzore në Kosovë po organizohet më 23 shkurt në Klan Arena. Biletën për “Power to HR” mund të rezervoni në këtë link:  www.powertohr.com 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC